EKLIPSI

(qielli)

Ka eklipse të Diellit dhe eklipse të Hënës. Eklipsi i Diellit ndodh kur Hëna kalon përpara diskut të Diellit dhe e zë krejt dritën e tij. Kështu, gjatë ditës bëhet errësirë, që zgjat për disa minuta. Ndërsa eklipsi i Hënës ndodh kur Toka kalon midis Diellit dhe Hënës, duke e mbuluar Hënën me hijen e saj. Eklipsi i Hënës zgjat shumë, deri në 3 orë e ca. Eklipset e Diellit dhe të Hënës ndodhin për shkak të lëvizjes së Tokës rreth Diellit dhe të Hënës rreth Tokës. Gjatë këtyre lëvizjeve mund të ndodhë që Hëna të kalojë midis Tokës dhe Diellit, duke lëshuar hijen e saj mbi Tokë. Ky është eklipsi i Diellit. Por Hëna është shumë më e vogël se Toka, prandaj hija e saj zë një pjesë të vogël të sipërfaqes së Tokës. Për këtë arsye eklipsi i Diellit shihet vetëm nga disa zona te rruzullit tokësor. Gjatë eklipsit të Diellit rrotull diskut të errët të Hënës vërehet kurora e ndritshme e Diellit, e cila quhet kurorë diellore. Gjatë ditëve të zakonshme ajo nuk duket, për shkak se vetë disku i Diellit ka një ndriçim shumë më të fortë. Ndërsa në eklipset e Hënës ngjet e kundërta. Toka lëshon një hije të madhe dhe për të dalë nga kjo hije Hënës i duhen 2-3 orë. Për këtë arsye eklipsi i Hënës vërehet nga i gjithë rruzulli tokësor. Çdo vit ndodhin të shumtën 7 eklipse, që mund të jenë: 5 eklipse të Diellit e 2 të Hënës, ose 4 eklipse të Diellit e 3 të Hënës. Kështu, gjatë vitit 1981 patëm eklipsin e Diellit të datës 3 korrik 1981, i cili u vrojtua në Azinë e Vogël, në Siberi dhe në Oqeanin Paqësor, dhe eklipsin e Hënës të datës 17 qershor 1981, i cili u vrojtua kudo. Eklipse të tilla do të ketë edhe në vitet e ardhshme.

Qielli – Deti – Toka

[cite]