ETNOGRAFIA


ETNOGRAFIA
✤ Shkencë historike, që studion mënyrën e jetesës dhe zhvillimin historik të kultu-

rës tradicionale materiale, artistike, shoqërore e shpirtërore të popullit. Të dhëna të shkëputura etnografike për Shqipërinë dhe shqiptarët ka qysh herët. Në veprat e autorëve antikë grekë e romakë ka njoftime edhe për jetën ekonomike, organizimin fisnor e shoqëror të ilirëve. Me vlerë janë të dhënat etnografike në veprat e autorëve të vjetër shqiptarë e në relaeionet e tyre. Gjallërim të veçantë pati interesi për kulturën tradicionale të popullit shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare, duke përfshirë edhe punën e bërë nga arbëreshët. Dallohet në veçanti puna e Sh.Gjeçovit. Para Çlirimit edhe një varg studiuesish të huaj si F.Nopça, E.Durham etj. kanë sjellë në veprat e tyre materiale etnografike me interes, por interpretimi dhe përgjithësimi i këtij materiaii, në shumicën e rasteve, ka mangësi.

E. shqiptare u formua si shkencë më vete, me objektin dhe metodën e saj shkencore, vetëm pas Çlirimit. Më 1947, pranë Institutit të Shkencave u krijua një bërthamë e vogël etnografike që u kthye më pas në sektor. Sektori i E. nga viti 1955 deri më 1962 vepronte si organizëm shkencor pranë Fakultetit të historisë e të filologjisë, dhe nga v.1962 deri më 1972 ishte sektor i Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, pranë UT. Më 1979 sektori u nda në dy: në sektorin e kulturës materiale e artistike dhe në atë të kulturës shoqërore e shpirtërore dhe u përfshi në Institutin e Kulturës Popullore. Prej v.1982 botohet Etnografia shqiptare (shih).

Që në hapat e parë të punës, para shkencës etnografike shqiptare qëndronin dy detyra të rëndësishme: grumbullimi i materialit të domosdoshëm dokumentar për krijimin e fondeve muzeale dhe studimi e përgjithësimi i tij. Afërsisht deri në mes të viteve 60 u punua me forca më të mëdha për plotësimin e detyrës së parë. Rezuitat i kësaj pune ishte hapja më 1948 e Muzeut të parë Etnografik-Arkeologjik, i cili u pasurua më vonë me materiale të. shumta etnografike. Sot fondet etnografike janë të plotësuara mirë dhe përfaqësojnë pothuaj të gjithë vendin dhe fushat më të rëndësishme. Në fondet e kulturës materiale ka 25.215 (1983) ohjekte që janë mbledhur në 600 qendra të banuara fshatare e qytetare. Në to përfaqësohet kultura etnike jo vetëm e popullsisë brenda kufijve politikë të RPSSH, por edhe e popullsisë shqiptare që jeton në trojet e veta, në RFS të Jugosllavisë, si dhe e diasporës shqiptare të Italisë. Pas mesit të viteve 60 krahas mbiedhjes së materialit dokumentar, vend të rëndësishëm zuri puna për studimin e fushave më të rëndësishme të E. shqiptare. Arritjet janë botuar në organet shkencore, në «Kultura popullore» dhe në vëllime të veçanta speciale, duke përfshirë edhe disa albume të ilustruara. Studimet etnografike shqiptare mbështeten në metodologjinë marksiste-leniniste. Ndër fushat më të lëvruara janë: veshjet popullore, bujqësia tradicionale, zejet fshatare e qytetare, banesa popullore, mitologjia e besimet popullore, zakonet e jetës familjare, e drejta dokësore, organizimi shoqëror i popullit në të kaluarën. Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit kujdes i veçantë i është kushtuar studimit të dukurive të reja në fshatin socialist. Mbi bazën e studimeve të kryera më 1976 u mbajt Konferenca kombëtare e studimeve etnografike. Ndër studiuesit që japin ndihmesë për zhvillimin e E. shqiptare janë Rrok Zojzi, Andromaqi Gjergji, Spiro Shkurti, Mark Tirta, Mark Krasniqi, Anton Belushi etj.

(S.Sh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Etnografia


[cite]