FALMERAJER JAKOB FILIP
✤ (Jacob Philipp Fallrnerayer, 1790-1861). Historian austriak, bizantinist, publicist, anëtar i Akademisë së Shkencave të Bavarisë; bëri një varg udhëtimesh në vendet e Lindjes, në Turqi në Maqedoni si dhe në Greqi ku u njoh me popullsinë arbëreshe. F. shprehu në veprat e tij pikëpamje ekstremiste në lidhje me prejardhjen e popullit grek që e hënë atë një nga figurat më të luftuara në Greqi: se populli grek nuk paska «asnjë pikë gjaku të grekëve të vjetër», se qenka një përzierje shqiptarësh e sllavësh dhe se në kulturën e tij popullore nuk paska asnjë gjurmë vazhdimësie të trashëgimit kulturor antik. Për historinë e Shqipërisë janë me rëndësi ende veprat «Historia e Gadishullit të Moresë gjatë mesjetës» (Geschichte der Halbinsel Morea waehrend des Mittelalters) 1,2 Mynhen 1830-1836, si dhe Elementi shqiptar në Greqi Das albanesische Element in Griechenland, 1,2,3 Mynhen 1857-1861). Në këto vepra trajtohen në radhë të parë historia e mërgimit dhe e përhapjes së gjerë të shqiptarëve në trevat greke. Për të kuptuar këtë mërgim, F. trajton edhe historinë e shqiptarëve në trevat prej nga u nisën, në kuadrin e Perandorisë Bizantine dhe në ndeshjen e tyre me osmanët, që ai e quan një rragjedi historike, «aktet» e së cilës ai i ndjek nëpërmjet luftës së udhëhequr prej Skënderbeut. J. F. e vlerëson lart luftën e shqiptarëve si një popull me vitalitet të madh dhe «fanatikisht liridashës», po ashtu vlerëson edhe Skënderbeun si luftëtar për liri. Ndonëse nuk njeh burimet arkivale por mbështetet mbi burimet tregimtare, siç është M.Barleti, vepra e dytë e F. tërheq vëmendjen për një varg pikëpamjesh origjinale në vlerësimin e luftës popullore të shqiptarëve, si një luftë guerile me tiparet e saj karakteristike.
(A.Bu.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Falmerajer Jakob Filip
[cite]