FAUNA
✤ Tërësia e kafshëve që jetojnë në një trevë të caktuar, me prejardhje vendëse (autoktone) ose të ardhura nga territore të tjera (migruese). Sipas mjedisit, kohës dhe grupeve shtazore dallohen: F. tokësore, F. detare (shih), F. e ujërave të ëmbla (shih) etj.; F. e mesozoikut, F. e terciarit etj.; F. e insekteve (entomofauna), F. e peshqve (iktiofauna), F e egër. Pozita gjeografike e Shqipërisë, relievi i thyer, klima mesdhetare detare e kontinentale, dalja në dy dete, rrjeti hidrografik shumë i zhvilluar, kanë bërë që vendi ynë të ketë një F. të pasur e të larme. Përbëhet nga mjaft elemente të F. së Mesdheut, si dhe elemente të tjera sidomos nga F. e Evropës Qendrore. Disa studime të pjesshme dhe për interesat e tyre kanë bërë në të kaluarën të huajt. Pas Çlirimit, me ngritjen e Institutit të Shkencave dhe më vonë të UT (1957), u hodhën bazat për një studim sistematik të F. së Shqipërisë. Janë kryer studime me karakter taksonomik në fushën e entomologjisë, të cilat trajtojnë përbërjen llojore të insekteve të rendeve:
Coleoptera, Lepidoptera, Hymenoptera, Hemiptera etj., si dhe studime të veçanta me karakter biologjik për insekte dëmtuese siç janë: tenja e rrushit. (Polychrosis botrana Schiff), krimbi i misrit (Pyrausta nubilalis), miza e ullirit (Dacus oleae) etj. Në fushën e iktiologjisë, midis studimeve të tjera zë vend botimi: «Peshqit e Shqipërisë» (1958), ndërsa në atë të ornitologjisë, janë bërë disa botime mbi inventarizimin e shpendëve dhe studime të veçanta për shpendë të gjuetisë, si thëllëza, fazani, shkurta etj. Studime janë kryer gjithashtu edhe për grupe të tjera shtazore: butakët, ekinodermat, reptilët, gjitarët etj. Këto studime kanë ndihmuar për të njohur pasurinë faunistike të vendit, për një shfrytëzim sa më racional të saj, si dhe për biologjinë e mjaft kafshëve me vlerë ekonomike. Përveç Katedrës së zoologjisë në Fakultetin e Shkencave ‘të Natyrës, ‘ku është përqendruar puna kryesore për studimin e F. së vendit, ka edhe mjaft qendra të tjera kërkimore, si Instituti i Lartë Bujqësor në Tiranë, Instituti Pedagogjik i Shkodrës, Instituti i Higjienës, Stacioni i Kërkimeve Shkeneore të Peshkut dhe Stacioni i Mbrojtjes së bimëve në Durrës, të cilat studiojnë disa aspekte të caktuara të F.
(L.Gj.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Fauna