Fuqia dhe puna e muskujve
Sa më i lartë të jetë intensiteti i ngacmimit që vjen te muskuli, aq më e madhe është edhe forca që shpreh ai. Forca e muskujve përcaktohet nga pesha që ata mund të ngrenë. Ka muskuj shumë të fuqishëm. Kështu, p.sh., muskujt e nofullës së qenit mund të ngrenë një peshë 8 herë më të rëndë se pesha e trupit të tyre. Fuqia e muskujve varet nga ndërtimi i tyre. Muskujt që janë më të trashë, që kanë më shumë fije indore, janë më të fuqishëm. Por fuqia e muskujve nuk varet vetëm nga trashësia, por edhe nga gjatësia e tyre fillestare, kur janë të shtrirë: muskujt më të gjatë shprehin një fuqi më të madhe. Gjithashtu një faktor tjetër që ndikon në fuqinë e muskujve, është edhe aftësia e indeve muskulore për t’u tkurrur menjëherë.
Kur njeriu ecën, vrapon ose udhëton me biçikletë, kur ngre e transporton pesha të ndryshme ose kur kryen çdo veprimtari tjetër fizike, kryen një punë. Puna fizike që kryen njeriu, është shprehje e veprimtarisë së tij muskulore. Sa më t fuqishëm të jenë muskujt, aq më e madhe është edhe puna që ata mund të kryejnë. Megjithatë duhet të themi se puna maksimale që mund të kryej njeriu varet më tepër nga aftësia lëvizëse e organizmit të tij, nga aftësia pra për të transportuar ngarkesa të ndryshme në një largësi të caktuar brenda një kohe sa më të vogël dhe nga sistemi qendror nervor që drejton veprimtarinë e muskujve, se sa nga fuqia absolute e muskujve.