Gjëndrat e djersës

Lëkura ndihmon edhe për të mbajtur të pandryshuar temperaturën e trupit. Këtë detyrë ajo e kryen me anën e gjëndrave të djersës. Këto gjëndra ndodhen të vendosura shumë thellë në dermë dhe prodhojnë një lloj lëngu të njohur, atë që ne e quajmë djersë. Pikërisht avullimi i djersës ndihmon që trupi ynë të ruaj të pandryshuar temperaturën e tij.

Nëpërmjet disa tubëzave të shtrembër që përfundojnë në sipërfaqe, në një hapësirë që quhet pore, djersa arrin të dalë në shtresën e sipërme të lëkurës. Kur bën vapë, poret hapen shumë, djersa del me bollëk në sipërfaqe, uji që ajo përmban avullon dhe kjo shkakton shpërndarjen e nxehtësisë. Temperatura normalizohet. Ndërsa, në të kundërt, kur bën ftohtë, poret qëndrojnë të mbyllura dhe djersa nuk del dot në sipërfaqe. Pas avullimit të djersës, mbi lëkurë mbeten disa kripëra të ngurtësuara; grumbullohen mbi të gjithashtu edhe qeliza të vdekura të lëkurës, yndyra e gjëndrave yndyrore, pluhur etj. Por mjafton një banjë me ujë të ngrohtë që të gjitha këto mbeturina të largohen e që lëkura jonë të mbetet përsëri e pastër.

Trupi — Ynë

[cite]