GJENDKAT ENDOKRINE
Gjëndrat janë në përgjithësi qeskëza ose tuba qelizorë që prodhojnë disa lëndë të posaçme të nevojshme për veprimtarinë jetësore të organizmit. Të tilla gjëndra janë, p.sh., gjëndrat e pështymës, gjëndrat e djersës, gjëndrat e lotëve, mëlçia, pankreasi etj., të cilat lëndën që prodhojnë, me anën e disa kanaleve, e nxjerrin në sipërfaqe të lëkurës ose e derdhin në disa vende të caktuara të aparatit tretës. Në organizmin tonë, përveç këtyre gjëndrave që përmendëm, ka edhe disa gjëndra të tjera që janë quajtur gjëndra endokrine ose me sekretim të brendshëm, që do të thotë se këto gjëndra lëndën që prodhojnë e sekretojnë (e lëshojnë, e kalojnë) drejtpërsëdrejti në gjak. Pra, gjaku transporton jo vetëm lëndët ushqimore dhe oksigjenin, por edhe këto lëndë që prodhojnë gjëndrat endokrine e që quhen hormone.
Gjëndrat endokrine ose me sekretim të brendshëm të organizmit tonë janë: hipofiza, epifiza, gjëndra tiroide, gjëndrat paratiroide, timusi, gjëndrat mbiveshkore, pankreasi, gjëndrat gjinore (seksuale). Të gjitha këto gjëndra formojnë një sistem që quhet sistemi i gjëndrave endokrine. Por veprimtaria e tyre, edhe pse e ndërlikuar, nuk është e pavarur. Në fakt prodhimi dhe sekretimi i hormoneve në gjak kryhet në bazë të ngacmimeve, të urdhrave që vijnë nga sistemi nervor. Zbulimi i gjëndrave endokrine, i lëndëve që prodhojnë ato dhe i funksioneve që ato kryejnë, vlerësohet si një nga zbulimet më të rëndësishme të shekullit tonë në fushën e biologjisë e të mjekësisë. Shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se rritja e organizmit, zhvillimi dhe funksionimi i organeve, veprimtaria muskulore, veprimtaria nervore, transformimi i lëndëve etj., nuk mund të kryhen pa pjesëmarrjen e gjëndrave endokrine, pra të hormoneve që prodhojnë ato. Po ashtu, në sajë të këtij zbulimi, është bërë e mundur që të njihet shkaku i vërtetë i shumë sëmundjeve dhe njëkohësisht të gjendet edhe mënyra më shkencore për mjekimin e tyre.