GJENDRA E PANKREASIT
Në kapitujt e mësipërm thamë se pankreasi është një gjëndër që luan një rol të rëndësishëm në organizmin tonë. Disa enzima që ai prodhon. derdhen në duoden e në zorrët e holla dhe ndikojnë në zbërthimin dhe në tretjen e lëndëve të ndryshme ushqimore. Por funksionet e kësaj gjëndre nuk mbarojnë me kaq. Në pjesën e fundit të pankreasit ndodhen disa trupa të vegjël. me formë të rrumbullakët, që janë quajtur ishujt e Langerhansit. Këta trupa formojnë një gjëndër me sekretim të brendshëm. Hormoni që prodhon kjo gjëndër quhet insulinë dhe sekretohet drejtpërdrejt në gjak. Insulina ka një funksion me shumë rëndësi: ajo kontrollon dhe rregullon sasinë e sheqerit në gjak.
Insulina, duke u transportuar nga gjaku. shkon në të gjithë organizmin, në mëlçinë e zezë dhe në të gjithë muskujt. Në mëlçi insulina merr pjesë në shndërrimin e glukozës në glikogjen dhe në depozitimin e saj aty; ndërsa në muskujt ajo ndikon në kthimin e glukozës në lëndë energjetike. Nëse gjëndra e pankreasit dëmtohet dhe insulina pakësohet, atëherë mëlçia dhe muskujt nuk kanë më mundësi të shndërrojnë e të depozitojnë sheqerin (glukozën), i cili grumbullohet në gjak në sasi të mëdha. Në këtë rast njeriu preket nga një lloj sëmundjeje që quhet diabet, ose sëmundja e sheqerit. Kur kjo sëmundje është e lehtë, mund të’ përballohet e të kontrollohet edhe me dietë, duke zvogëluar në ushqimin e përditshëm karbohidratet (bukën, brumërat etj.). Por, në rastet e rënda, është e domosdoshme që i sëmuri të marrë pa ndërprerje insulinë. për të zëvendësuar sasinë e insulinës që nuk është në gjendje të prodhojë pankreasi. Insulina prodhohet sot me rrugë të ndryshme dhe përdorimi i saj në mjekësi ka shpëtuar jetën e mijëra njerëzve.