Grigor Teologu

Grigor Teologu

(greqisht: Γρηγόριος ο Θεολόγος) Grigor Teologu (328-390) ka lindur në vitin 328 në Arianzo të Kapadokisë. Prindërit e tij qenë Grigori dhe Nona. Mësimet e para i mori në Çezare, ku u njoh me Vasilin e Madh. Në vijim studioi në Aleksandri dhe vite më vonë e gjejmë në Athinë, ku studioi për retorikë, mjekësi dhe fizikë.Gjatë viteve të studimeve në Athinë (352-357) Grigori zuri miqësi të ngushtë me Vasilin e Madh. Pasi u kthye në vendlindje u pagëzua dhe jepte mësime retorike. Në vitin 360 asketoi në Pont, ndërsa më 361 u dorëzua në gradën priftërore. Në vitin 372 Grigori u hirotonis Episkop i Sasimos, ndërsa më 380 u fronëzua Kryeepiskop i Kostandinopojës. Në vitin 381, pas vdekjes së Meletit të Antiokisë, Grigori kryesoi punimet e Sinodit II Ekumenik. Shumë shpejt Grigori dha dorëheqjen, përshëndeti popullin e Kostandinopojës dhe vitet e fundit të jetës i kaloi në vendlindje. Grigori fjeti në vitin 390. Kisha e shpalli shenjt dhe kujtimin e tij e kremtojmë më 25 janar. Shkrimet: 1) Fjalimet, përbëhen nga 45 predikime, të cilat u shkruan në vitet 379-381. Grigori ka qenë orator i shquar, prandaj fjalimet dhe predikimet zënë pjesën kryesore të trashëgimisë së tij letrare. Shumë prej Fjalimeve janë shkruar gjatë qëndrimit në Kostandinopojë. Fjalimet e Grigorit ndahen: a) Dogmatike. Pesë Ligjërata Teologjike, të cilat bëjnë fjalë për hyjninë e Fjalës (Fjalimet 3 dhe 4), doktrinën e Trinitetit (Fjalimi 2) dhe Mbi Shpirtin e Shenjtë (Fjalimi 5). Pesë Ligjëratat Teologjike janë shembujt më të shquar të gojtarisë së krishterë. Ato janë fjalimet më të rëndësishme të Grigorit, të cilat i dhanë titullin Teolog. b) Festive. Qenë fjalimet e Grigorit, të cilat janë mbajtur gjatë ditëve të festave. Ndër to mund të përmendim Ditëlindja e Shpëtimtarit. Kjo ligjëratë u shkrua rreth vitit 379 ose 380. Grigori gjithashtu ka shkruar për Pendikostinë, mbi Pashkët etj. 2. Poezitë, të cilat Grigori i shkroi nga fundi i jetës. Kanë shpëtuar 408 epose me rreth 18.000 vargje. Grigori ishte një mjeshtër i stilit poetik. Autobiografia e tij në vargje Mbi Jetën e Tij, e cila përbëhej nga 1949 vargje na jep shumë të dhëna të rëndësishme rreth problemeve të kohës. Grigor Teologu ka qenë më letrari ndër etërit. 3.Letrat përbëhen nga 245 letra, si dhe fjalimi i përmortshëm para kufomës së të atit, në prani të Vasilit të Madh. Grigor Teologu predikoi për Trininë e Shenjtë dhe ndikoi mbi himnshkruesit e kohës. Letrat u mblodhën nga vetë Grigori, me kërkesën e nipit të tij, Nikobulit.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]