GRUPET POLITIKE PARLAMENTARE NË VITET


GRUPET POLITIKE PARLAMENTARE NË VITET
✤ 1920-1923. U krijuan në prag dhe gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të prillit 1921 me emrin «Partia Popullore» dhe «Partia Përparimtare». E para u formua më 20 tetor 1920 nga anëtarë të Këshillit Kombëtar me program për zhvillimin ekonomik e politik të vendit e me kryetar F.S.Nolin (shih). Shumica e anëtarëve të saj ishin elementë demokratë.

«Partia Përparimtare» u formua nga bejlerë e çifligarë gjatë fushatës së zgjedhjeve, si kundërpeshë ndaj «Partisë Popullore». Kryetar ishte Mehdi Frashëri. Ajo nuk doli me një program të shpallur. Më vonë në të hynë edhe deputetë demokratë si Luigj Gurakuqi (shih), Hasan Prishtina (shih), Hoxhë Kadriu (shih) etj., që donin t’i kundërviheshin kundërshtarit të tyre politik kryesor, Ahmet Zogut. Veprimtaria e dy grupeve u kufizua më tepër brenda mureve të Parlamentit; ato nuk kishin një strukturë organizative dhe një program të detyrueshëm për të gjithë anëtarët.

Në procesin e luftës midis elementëve përparimtarë e konservatorë u bë një polarizim i ri i forcave politike. Elementët më të shëndoshë të të dy «partive» si Fan Noli, Luigj Gurakuqi etj. i braktisën ato dhe formuan opozitën demokratike, e cila luajti rol të rëndësishëm në përgatitjen dhe fitoren e Revolucionit të Qershorit 1924.

(B.Ç.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Grupet Politike Parlamentare Në Vitet


[cite]