GULAMI
✤ Sundimtar i Arbërisë në mesin e shek. XIII. Sundonte në kohën e konfliktit midis perandorit të Nikesë Joan Duka Vataces dhe despotit të Epirit Mihail II Engjëlli, konflikt që u zhvillua në trevat shqiptare. G. me ushtrinë e tij ishte rreshtuar përkrah Mihailit II. Më 1253 perandori bizantin e ftoi me premtime të kalonte në anën e tij duke u nisur edhe nga fakti që midis G. dhe familjes perandorake kishte lidhje farefisnie. Ky fakt flet për mundësinë që G. të ishte një pasardhës ose fis i Dhimitrit të Arbërit (shih), i cili kishte pasur për grua një mbesë të familjes perandorake bizantine. G. mori pjesë përkrah bizantinëve në luftën që u zhvillua për qytetin e Devollit; pas fitOres së korrur, perandori nuk e njohu G. si sundimtar të Arbërisë, por vendosi aty një qeveritar bizantin, çka u bë shkak për shpërthimin e kryengritjes së Arbërisë më 1257-1259.

(K.Bo.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Gulami


[cite]