GUR THEMELTAR NË NDËRTESËN E TRASHËGIMISË
KOÏCHIRO MATSUURA DREJTOR I PËRGJITHSHËM I UNESCO-S
Për të jetuar në paqe e harmoni ke nevojë për referenca, piketa, të cilat krijohen në mënyrë
progresive përgjatë historisë. Ndërtimi i së ardhmes nuk mund të bëhet pa i kushtuar
kujdes së kaluarës sonë të përbashkët. Trashëgimia e shkruar, e ruajtur në biblioteka dhe
arkiva, si shembëlltyrë e shumëllojshmërisë së gjuhëve, popujve dhe kulturave, përbën
njëkohësisht një dëshmi të jashtëzakonshme të së shkuarës sonë dhe të botës së sotme.
Por kjo trashëgimi është tejet e brishtë. Për shembull, në Europën Qendrore dhe Lindore
llogaritet që rreth 70-80 për qind e trashëgimisë dokumentare të ketë nevojë për një ndërhyrje
të shpejtë për ta shpëtuar.
Edhe kodikët e Shqipërisë, këto thesare të vërteta të trashëgimisë shpirtërore botërore, nuk
mbeten të pakërcënuar prej këtij rreziku. Këto dorëshkrime, midis të cilëve edhe “Kodiku i
Purpurt i Beratit”, një nga variantet më të vjetra të Testamentit të Ri, janë një referencë
thelbësore e letërsisë evangjeliste dhe, më përgjithësisht, e kulturës kristiane.
UNESCO i kushton një vëmendje të veçantë ruajtjes së kësaj trashëgimie unikale të zhvillimit
të letërsisë së vjetër biblike dhe liturgjike përgjatë historisë botërore. Ja pse “Kodikët e Purpurt
të Beratit” figurojnë në regjistrin e veprave më të rëndësishme të Njerëzimit, të krijuar në
kuadrin e programit Kujtesa e Botës.
Nisur nga mandati i saj, si përgjegjëse e zhvillimit kulturor dhe e mbrojtjes së trashëgimisë
botërore, UNESCO ka vlerësuar, në fakt, të nevojshme që të veprohet pa humbur kohë për të
arritur që trashëgimia dokumentare botërore të mos pësojë dëme të reja. Përmes programit
të saj Kujtesa e Botës UNESCO synon të sigurojë ruajtjen e trashëgimisë dokumentare me
interes universal dhe të nxisë trashëgiminë dokumentare me interes kombëtar e rajonal, si
dhe të lehtësojë komunikimin e një publiku të gjerë me to. Trashëgimia dokumentare ilustron
kështu shprehjen e ndryshueshmërisë dhe pluralizmit kulturor, të cilave UNESCO u kushton
një kujdes përparësor.
Ja pse, në mënyrë krejt të natyrshme, UNESCO i dha mbështetje botimit të “Katalogut të
kodikëve të Shqipërisë”. Nga kjo vepër e shënuar, kodikët e Shqipërisë do të jenë tashmë më
lehtësisht të pranishëm jo vetëm për shkencëtarët, por edhe për një lexues më të gjerë. Ky
katalog, informues dhe njëkohësisht shkencor, nxjerr në dritë dorëshkrimet dhe nxit në
përjetimin e përbashkët të kujtesës.
Gjithashtu ai vë në dukje në mënyrë parësore dhe një nga tiparet karakteristike të qytetërimit
dhe të kulturës shqiptare: përpjekjen për pajtimin ekumenik, i cili ka spikatur tërësinë e historisë
shqiptare dhe është reflektuar në mënyrë aq dalluese në kodikët, këto dorëshkrime kishtare.
Jam i lumtur të konstatoj se përpjekjet e UNESCO-s në fushën e ruajtjes së trashëgimisë
dokumentare janë pikëtakuar me një iniciativë kombëtare shembullore. “Katalogu i kodikëve
të Shqipërisë” na sjell kështu një gur themeltar në ndërtesën e ruajtjes dhe shpëtimit të
trashëgimisë. Ai kontribuon në nxjerrjen në pah të pasurisë, shumëllojshmërisë dhe të
brishtësisë së thesareve tona të mëdha të trashëgimisë shpirtërore. Si i tillë, ai nxit në ruajtjen
dhe përftimin e vlerës së saj të paçmuar.

* Kodikët e Shqipërisë

 

[cite]