HAN JOHAN GEORG FON


HAN JOHAN GEORG FON
✤ (Johannes Georg von Hahn, 1811-1869). Diplomat austriak, albanolog. Shërbeu deri më 1843 si gjykatës në krahina të ndryshme të Greqisë ku u njoh me popullsinë arbëreshe (arvanite) vendase. Më 1847 u emërua nënkonsull i Austrisë për «Shqipërinë e Poshtme» në Janinë dhe punoi për shqipen me ndihmën e K. Kristoforidhit. Ndërmori një udhëtim të gjatë nëpër krahinat perëndimore shqiptare deri në Shkodër. Më 1851 u emërua konsull në ishullin grek të Syrës dhe më vonë përsëri në Janinë. Ndërmori dy udhëtime të tjera studimore: që nga Belgradi nëpër luginën e Moravës, nëpër Kosovë e Maqedoni deri në Selanik dhe më vonë që nga Shkodra nëpër malësitë e Veriut për në Kosovë e Dibër. Vëzhgimet e përfundimet i botoi në veprën Studime shqiptare (Albanesische Studien, Jena, 1854) në 3 vëllime, që njihet si një nga punimet shkencore më me vlerë të shkruara nga të huajt për historinë, gjuhën e kulturën shqiptare. Përshkroi më veçanti Tepelenën, Luginën e Gjirokastrës, Kurveleshin e Malësinë e Shkodrës, dha njoftime të vlefshme për bujqësinë, blegtorinë, mjeshtëritë popullore, qendrat qytetare, rrugët e shkëmbimet tregtare të krahinave të Shqipërisë, si dhe për arbëreshët në Greqi e Itali. Vepra e dytë Udhëtim prej Belgradi në Selanik (Reise von Belgrad nach Saloniki, 1858) përshkruan trevat lindore të banuara prej shqiptarëve, në një kohë kur nuk kishte filluar ende shpërngulja e tyre :nën presionin e shtetit serb. Vepra e tretë Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit (Reise durch die Gebiete des Drin und Vardar, 1867), jep gjithashtu një material të pasur e me vlerë për kushtet e jetesës së popullsisë së Malësive dhe për institucionet juridike-shoqërore dhe kulturën e saj. Më 1864 botoi të përkthyer gjermanisht dy vëllime me Përralla greke e shqiptare (Griechische und albanesiche Mdrchen} me një hyrje teorike mbi origjinën e përrallave. Me interes është edhe Studime për gojëdhënat (Jena, 1872-1876) me vëzhgime krahasimtare. Vëmendje të posaçme J. H. u ka kushtuar miteve e besimeve popullore, poezisë popullore, gojëdhënave dhe përrallave shqiptare. Në fushën e etnografisë dha i pari një paraqitje të «Ligjit të maleve», Kanunit të Malësisë së Madhe, konstatoi veçan cKanunin e Dukagjinit» për viset veriore dhe «Kanunin e Skënderbeut» për Mat e Dibër. Vëllimi II dhe III i «Studimeva Shqiptare» u kushtohen tërësisht çështjeve të gjuhës. Ai e shtroi shumë më gjerë sesa paraardhësit çështjen e prejardhjes së shqiptarëve e të shqipeS. Për këtë shfrytëzoi burimet antike, që flisnin për karakterin jogrek të ilirëve, epirotëve e maqedonasve; duke ndjekur rrugën e H. Tunmanit, shfrytëzoi edhe toponomastikën dhe shpjegoi me anë të shqipes shumë toponime ilire. Hani vërtetoi se mjaft emra vendesh të viseve shqiptare ishin vazhdim i drejtëpërdrejtë i emërtimeve të dikurshme ilire dhe zbuloi disa mjete fjalëformuese ilire që rrojnë në emrat e sotëm shqiptarë. Ai arriti në përfundimin se shaipja është vazhduese e drej tëpërdrej të e njërit prej dialekteve të vjetra të ilirishtes dhe u bë një mbrojtës i vendosur i autoktonisë së shqiptarëve. Ishte i mendimit se ilirishtja është një gjuhë pellazgjike në kuptimin e gjerë të fjalës. Për J. H. ilirët ishin një nga degët themelore të popullsisë paleoballkanike që qëndronte më vete përballë grekëve të vjetër. Mendimi i H. ishte në kundërshtim me tezën e përhapur në shek. XIX se shqipja lidhej me greqishten si gjuhë motra për shkak të prejardhjes së përbashkët të shqiptarëve e grekëve prej peilazgëve. Mendimi i tij u shërbeu përfaqësuesve të Rilindjes Shqiptare si mbështetje për kërkesat e tyre, që të njiheshin shqiptarët e të drejtat e tyre si një popull më vete me rrugë historike të veçantë.

(A.Bu.-M.Ti.-A.Dh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Han Johan Georg Fon


[cite]