HANET
✤ Ndërtime të ngritura gjatë rrugëve të komunikacionit ose në qendrat e banuara për t’u shërbyer udhëtarëve e karvanëve me kafshë. Vendoseshin në largësi sipas nevojave të karvanëve. Përbëheshin nga mjediset e fjetjes dhe të shërbimeve. Pranë tyre ngriheshin punishte për nevojat e kafshëve të barrës, si nallbanë, saraçë, samarxhinj. Në qytete, zakonisht ishin pranë pazareve.
Planimetria më karakteristike e H. ishte një oborr i brendshëm me ndërtesa dykatëshe përreth. Kati përdhes përdorej për stalla e depo ndërsa në ballin nga rruga, për dyqane. Në katin e sipërm ishin dhomat e fjetjes, me një galeri të hapur ndaj oborrit. Në oborr ishte pusi. Pajisjet e dhomave të H. ishin tepër të varfra. Shtrohej për tokë për të fjetur mbi rrogoza e shkorsa, mbuloheshin me velenxa, flokata ose me gunat e vetë udhëtarëve.
(P. Tho.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Hanet
[cite]