HAXHIFEZA QAMIL MUSA
✤ (1880-1915). Atdhetar demokrat nga Elbasani, pjesëmarrës i lëvizjes kombëtare antiosmane. Me fillimin e Kryengritjes Fshatare të Shqipërisë së Mesme të viteve 1914-1915 u vu në krye të forcave kryengritëse të Elbasanit dhe u bë një nga komandantët kryesorë në fazën e parë të saj. Luftoi për shtrirjen e kryengritjes në krahinat jugore e juglindore të Shqipërisë, si dhe për mbrojtjen e thellimin e programit kombëtar dhe antifeudal të saj kundër ndikimeve të elementëve të moderuar e turkomanë. Mbi bazën e kërkesës për pavarësinë e Shqipërisë ai luftoi për të siguruar bashkëpunimin e kryengritësve me krahinat e tjara të vendit.
U shpreh për marrëdhënie të mira me vendet fqinje duke kundërshtuar pretendimet e qarqeve shoviniste të tyre mbi tokat shqiptare. Në krye të fshatarëve kryengritës kundërshtoi me armë orvatjet e forcave greke për të hyrë në thellësi të vendit. U arrestua në pabesi nga Esat pashë Toptani kur ky mori pushtetin në Durrës në tetor 1914 dhe u ekzekutua pas shtypjes së kryengritjes fshatare.
(G.Sh.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Haxhifeza Qamil Musa
[cite]