HAXHIFILIPI THIEODHOR
✤ (rreth vitit 1730-1805). Mësues e veprimtar i gjuhës shqipe, Mësues i Popullit. Lindi në Elbasan. Mbaroi Akademinë e Re të Voskopojës, ku siç duket, ishte nxënës i Theodhor Kavaliotit dhe i Grigor Voskopojarit. Për punën si mësues u njoh me emrin Dhaskal Todri. U përpoq për futjen e gjerë të shqipes në shërbesat fetare dhe për mësimin e saj në shkollë. Th. H. ripërktheu të dy «Dhjatat», ndër veprat e tjera kishtare, «Mesha e Shën Jon Gojartit» na ka arritur bashkë me disa fragmente ungjijsh dhe parafrazimin e dy fabulave të Ezopit. Porositi diku në Evropë, edhe një shtypshkronjë shqipe, që do të punonte me gerinat e tij. Për ta penguar këtë, kisha fanariote shtiu njerëz dhe e vranë në Dhiavat të Resnjës. Më 1827 kleri i dogji shkrimet.e Th. H. në Elbasan, duke nxjerrë si shkak murtajën që kishte rënë në qytet. Th. H. shkroi në elbasanishten e kohës dhe bëri një përpjekje të dukshme për krijimin e neologjizmave për nevojat e përkthimeve fetare. Ai krijoi në Elbasan një traditë të shkrimit të shqipes me alfabetin e tij, që njihet që nga fundi i shek. XVIII e gjer në shek. XX me autorë si S. Kazanxhiun, Papa Parthenin etj. Alfabeti i Th. H. u përdor edhe në letërkëmbim e pati përhapje edhe jashtë Elbasanit, si në Berat dhe në Kavajë. Veprimtaria e Th. H. ishte në vazhdën e një tradite të njohur në anët e Elbasanit që në shek. XVII me Th. Bogomilin.
(Dh. Sh.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Haxhifilipi Thieodhor
[cite]