HEKURI
✤ (Fe). Element kimik i grupit VIII të sistemit periodik, me numër atomik 26 dhe me peshë atomike 55,85, dendësi 7,27, temp. shkrirjeje 1539°C. Është metal i shndritshëm, me ngjyrë të bardhë në të argjendtë, plastik dhe i qëndrueshëm, i farkëtueshëm, i saldueshëm dhe i petëzueshëm, që punohet me lehtësi në të nxehtë e në të ftohtë, i vetmi metal që mund të kalitet, me veti të theksuara ferromagnetike. Oksidohet në ajër duke formuar një shtresë të shkrifët ndryshku dhe brehet nga agjentët atmosferikë.
H. është një nga elementet më të përhapura në natyrë. Takohet rrallë në gjendje të lirë, por formon minerale të shumtë, ndër të cilët hematiti, magnetiti, limoniti, sideriti, gëtiti etj. H. është metali më i rëndësishëm i teknikës dhe i teknologjisë së sotme, përdoret në të gjitha fushat e ekonomisë, të mbrojtjes dhe në jetën e përditshme. Në praktikë pothuajse nuk përdoret H. 1 pastër dhe në jetën e përditshme zakonisht quhen prej H. sende prej gize, çeliku dhe lidhjesh të tjera të H.
H. është një nga metalet e njohura në Shqipëri që në lashtësi, në kohën e hekurit (shih). Ilirët njihnin nxjerrjen e H. nga reduktimi i mineraleve që gjendeshin në vend dhe ishin mjeshtër të përpunimit të H., siç dëshmohet nga armëi, zbukurimet dhe veglat e punës, të zbuluara në trevat shqiptare. Tradita e punimit zejtar të H. në farkëtari ka arritur deri në ditët tona. Në Shqipëri H. gjendet kryesisht si hematit (shih), limonit etj, në xeherorët e hekur-nikelit, një nga pasuritë minerale më kryesore të vendit, që janë baza e zhvillimit të Ind. së hekur-nikelit (shih). Me ngritjen e Kombinatit metalurgjik «Çeliku i Partisë» më 1976 ka filluar shkrirja e H. dhe prodhimi në vend i lidhjeve të tij metalike sidomos i gizës (shih) dhe i çelikut (shih).
(Ar. P.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Hekuri