HEKALI
✤ Fshat i Mallakastrës në rrethin e Fierit (JL), në mes të krahinës së Mallakastrës, në shpatin P të kodrave. Qendër e fshatit të bashkuar që përfshin edhe fshatrat: Mollaj, Klosi (shih) dhe Romësi, popullsia gjithsej 5110. Si vendbanim H. është i lashtë. Në kodrën me emrin e sotëm Gradishtë janë rrënojat e qytetit ilir Bylis (shih). Gjatë mesjetës u kthye në fshat dhe përmendet me emrin Gradec, në shek. XVI del si Hekel dhe Pelshan (sot emri i njërës lagje të fshatit). H. është vendlindja e Rrapo Hekalit (shih) dhe këtu më 1847 ai u zgjodh udhëheqës i kryengritjes fshatare. Fshatarët morën pjesë gjallërisht në Luftën ANÇ. Më 21.11.1943 u ngrit Këshilli NÇ dhe 7 këshilltarët e tij qëndruan heroikisht para pushkatimit më 12.12.1943. Në L të H., në qafën e Sykuqit më 5.2.1943 u bë një përpjekje me fashistët italianë. H është vendlindja e Heroit të Popullit Dervish Hekali (shih). Kolektivizimi i bujqësisë u bë më 1958. Sot është KTL, që përmendet për rritjen e duhanit e të ullirit dhe ka rendimente të larta për drithërat e bukës. Është e zhvilluar blegtoria,, rriten dhitë dhe gjeli i detit. H. ka shkollë 8-vjeçare, shtëpi kulture, qendër shëndetësore, njësi tregtare e komunale.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Hekali


[cite]