HEMATITI
✤ (Fe20.i). Një nga mineralet kryesore të hekurit dhe xeheror i rëndësishëm për nxjerrjen e tij, që mund të takohet në natyrë i pastër ose i përzier me minerale të tjera, me ngjyrë hiri-çeliku deri në të zezë, me fortësi 5-6, kryesisht me pamje dheu të shkrifët ose të ngjeshur, me ngjyrë të kuqërremtë gjaku, prej nga ka marrë dhe emrin. H. është mjaft i përhapur në natyrë. Në Shqipëri H, është një nga mineralet kryesore në xeherorët e hekur-nikelit (shih), si në vendburimet e Pishkashit, Gurit të Kuq, Çervenakës etj., të formuara nga tjetërimi lateritik i shkëmbinjve ultrabazikë. Ka edhe H. hidrotermal, që është takuar në vendburimet e bakrit të Gjegjanit të Kukësit, Rehovës së Korçës, në disa shfaqje në rrethet e Pukës dhe të Mirditës. H. ka edhe në shumë shkëmbinj sedimentarë, si midis rërave, deltinave, tokave bujqësore etj. dhe u jep atyre ngjyrën e kuqe karakteristike. H. takohet shpesh edhe midis gëlqerorëve, si në Zonën e Alpeve Shqiptare, në Zonën e Korabit, në Peshkopi, në Malin e Thatë etj. ku nganjëherë formon grumbullime që përdoren si bojë minerale e kuqe.
(S. Bu.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Hematiti
[cite]