HERBARI KOMBËTAR


HERBARI KOMBËTAR
✤ Koleksion bimësh të vendit të thara e të renditura sipas kritereve të caktuara që përdoret për qëllime studimi, konsultimi, dokumentimi dhe krahasimi. U ngrit më 1947 pranë sektorit shkencor të botanikës të Institutit të Shkeneave nga botanisti Nikolla Lako (shih). Sot H. K. ndodhet pranë Sektorit të Florës të Qendrës së Kërkimeve Biologjike. Përbëhet nga një fond mjaft i pasur me rreth 2500 lloje, kryesisht bimë enësore të përfaqësuara nga rreth 70.000 ekzemplarë. Llojet e bimëve të H. K. janë sistemuar në gjini dhe familje sipas rendit alfabetik, secili ekzemplar është i pajisur me etiketën ku pasqyrohen të dhënat e vrojtimeve të grumbulluara në terren, vendi dhe koha e mbledhjes etj. H. K. shërben si fond bazë i materialit faktik të bimësisë për kryerjen e studimit mbi florën e EPS të Shqipërisë, mbi florën krahinore, si edhe për studime të tjera me karakter teorik dhe praktik në lëmin e botanikës. Është pasuruar me një punë të gjatë e sistematike kërkimore në terren nga ana e botanistëve, të drejtuar nga Kolë Paparisto (sliih). Për të pasuruar fondin e H. K. kanë dhënë ndihmesë edhe punonjës të tjerë shkencorë të katedrave të botanikës të UT, të Institutit të Lartë Bujqësor etj. Në H. K. paraqet interes të veçantë koleksioni i bimëve të rralla dhe endemike të Shqipërisë.

(Xh. Q.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Herbari Kombëtar


[cite]