HETUESIA


HETUESIA
✤ Organ shtetëror për hetimin e vaprave penale. Në shtetin shqiptar pas shpalljes së pavarësisë funksionet e H. i kryenin gjyqtarët hetues, që vareshin nga Ministria e Drejtësisë. Për pak kohë pas Çlirimit hetimet i bënte gjyqtari hetues, që vepronte nën kontrollin e prokurorit. Më 1946 H. u hoq nga aparati gjyqësor, me hetimet u ngarkuan prokurori dhe organet e punëve të brendshme. Më 1953 kjo detyrë iu ngarkua hetuesve pranë prokurorisë dhe organeve të punëve të brendshme. Më 1974 H. u unifikua dhe u përqendrua në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Më 1983 u krijua H. si organ më veta, i pavarur nga administrata.

H. përbëhet nga H. e Përgjithshme dhe hetuesitë në rrethe. H. e Përgjithshme është organi më i lartë. Drejtohet nga Kryetari i H. P. Urdhërat dhe udhëzimet e tij janë të detyrueshme për organet e H. Ai përgjigjet dhe jep llogari për punën para Kuvendit Popullor. Kryetari i H. P. dhe zëvendësit e tij emërohen e shkarkohen nga Kuvendi Popullor dhe ndërmjet sesioneve nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Veprimtaria e H. në rreth drejtohet nga kryetari i saj. Kryetari i H. së rrethit dhe hetuesit emërohen ose shkarkohen nga kryetari i H. së P.

(G. GJ.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Hetuesia


[cite]