HIDRAULIKA


HIDRAULIKA
✤ Shkenca që studion ligjet e lëngjeve në qetësi dhe në lëvizje, si dhe zbatimin e tyre për përdorim praktik inxhinierik. H. ndahet në hidrostatikë, që studion ligjet e lëngjeve në qetësi, dhe në hidrodinamikë, që studion ligjet e lëngjeve në lëvizje. H. ka lidhje sidomos me hidroteknikën, ndërtimin e hidrocentraleve, përmirësimet ujore, furnizimin me ujë, kanalizimet, ndërtimin e makinave hidraulike (pompat e turbinat) , të porteve, të anijeve etj.

Disa nga ligjet e H. janë njohur e përdorur në mënyrë empirike që në lashtësi, siç dëshmohet nga ndërtimet hidraulike ose gjurmët e tyre, që janë ruajtur deri sot në truallin e Shqipërisë, si: ujësjellës, sisteme ujitëse e kulluese, kanalizime, sharra të ujit, dërstila, porte etj.

H. në Shqipëri u zhvillua si shkencë pas Çlirimit. U ngritën institucione arsimore e kërkimore-shkencore të veçanta, që merren me çështje të H. dhe të zbatimit të saj në praktikë. Në UT zhvillojnë veprimtari shkencore katedra e H. dhe ajo e hidroteknikës. Me zgjidhje të problemeve të H. dhe të zbatimit të saj në ndërtimet hidroteknike, kryesisht të HEC merret Laboratori i Kërkimeve Hidraulike (shih). Studime në fushën e H. kryhen edhe në Institutin I-Iidrometeorologjik. Institutin e Studimeve dhe Projektimeve të Hidrocantraleve, Institutin e Studimeve dhe të Projektimeve të Veprave të kullimit dhe të Ujitjes, si dhe në disa ndërmarrje që merren me ndërtime hidroteknike. Ndër studiuesit e sotëm në fushën e H. janë Pandi Stratobërdha, Isuf Reçi etj. Nga v. 1965 Shqipëria është anëtare e Shoqatës Ndërixmbëtare të Kërkimeve Hidraulike (AIRH).

(P.St.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Hidraulika


[cite]