HIRI
✤ (Oidium, Link). Sëmundje e bimëve që shkaktohet nga disa kërpudha, të cilat rriten në sipërfaqen e lastarëve të rinj, të gjetheve e frutave të shumë kulturave bujqësore e të drurëve. Kërpudhat vendosen mbi bimët duke futur në indet e prekura organet thithëse (haustoret). H. shfaqet në trajtën e një shtrese të bardhë miellore, në të cilën formohen qelizat e shumëzimit, konidet, që përhapen me anë të erës. Në fund të vegjetacionit formohen trupat dimërues, në trajtë pikash në ngjyrë të errët. Sipas bimës që prek, dallohen lloje të ndryshme të si p.sh. H. i hardhisë (Uncinula necator), H. i drithërave (O. moniloides ose Erysiphe graminis), H. i mollës (Podosphaera leucotricha), H. i specit (Liveillula taurica) etj. Për luftimin e H. përdoren kryesisht fungicidet me bazë squfuri, kaptani etj.
(A.Pa.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Hiri
[cite]