HUDHRA
✤ (Allium sativum, L.). Bimë barishtore shumëvjeçare e familjes qepore (Liliaceae) me kërcell të gjatë deri 1 m, me 6-12 gjethe heshtake të holla, të rrafshëta e të përthyera në mes deri 60 cm, me lule zakonisht të pakta të cilat shpesh thahen që në gonxhe. Lulëzon zakonisht në qershor-korrik. Bën një qepë vezake të përbërë nga 6-12 thelpinj të vendosur ngjeshur njëri pas tjetrit. H. e ka prejardhjen nga Europa dhe Azia, në Shqipëri njihet që në lashtësi. Ajo shumëzohet me thelpinj. Instituti i Perimeve e i Patates (shih) bën një punë seleksionuese me vlerë i mbështetur në popullatat e vendit. Kultivarët më të përhapur të H. janë H. e Pukës, e Dhrovjanit, e Milotit etj. H. ka vlera të mëdha ushqimore, thelpinjtë e saj përmbajnë 30-40% lëndë të thatë 6-8% proteinë, 22-26% karbohidrate, vaj eterik, fitoncide, vitamina, kripëra minerale e sidomos kalium, etj.

(H. Ç.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Hudhra


[cite]