IBRA ALI


IBRA ALI
✤ Udhëheqës i malësorëve të krahinës së Gashit (Malësia e Gjakovës) gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit të shek.XIX. Si prijës luftarak u dallua qysh në kryengritjet antiosmane të viteve 60. Gjatë viteve 70 përvetësoi programin politik të patriotëve rilindës dhe mori pjesë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Qysh nga vjeshta e vitit 1879 filloi të shquhej si një nga figurat kryesore të rrymës radikale brenda Lidhjes. U bë i njohur me ndërhyrjet e tij energjike kundër politikës qeveritare osmane të diskriminimit fetar dhe luftoi për të vënë në jetë barazinë e të drejtave dhe detyrave të mbarë shqiptarëve, pavarësisht nga përkatësia e tyrs fetare. U shqua sidomos në betejën kundër ushtrive osmane në Shtimje (20 prill 1881) ku edhe u plagos. Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit qëndroi në arrati duke marrë pjesë në kryengritjet antiosmane që shpërthyen në Rrafshin e Dukagjinit në mes të viteve 80.

(M.M.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Ibra Ali


[cite]