IKJA NGA TROJA
Nata ishte e zezë sterrë dhe Troja, e kredhur në heshtje të thellë, flinte. Po një derëz u hap në barkun e kalit të drunjtë, të cilin trojanët e kishin futur në qytet dhe e kishin shpënë te sheshi, përpara tempullit të Paladë Atenës. Nga barku i kalit një luftëtar zgjati kokën përjashta. Ky ishte Odiseu, më dinaku i prijësve. Një njeri u duk menjëherë te sheshi dhe tha: — Dilni! Erdhi koha! — Ky ishte Sinoni, më dinaku midis luftëtarëve. Nga derëza lëshuan përdhe një shkallë prej litari dhe njëri pas tjetrit zbritën Odiseu, Menelau, Ajaksi dhe të gjithë luftëtarët që ishin brenda kalit. Zbritën mengadalë, në heshtje, në terr dhe shkuan fill e te portat e qytetit, duke kaluar pa zhurmë nëpër rrugët e shkreta. Vranë një nga një sogjetarët1), të cilët s’arritën të lëshonin asnjë klithmë, dhe hapën portat e qytetit. Nga portat hynë pa zhurmë luftëtarët: njëzet, tridhjetë, pesëdhjetë, njëqind një mijë: gjithë rrugët u mbushën me luftëtarë. Si hynë në qytet, luftëtarët lëshuan klithma, shkallmuan dyert dhe hynë nëpër shtëpitë.
Trojanët, që po flinin, u zgjuan rrëmbimthi, zgjatën kokat nga dritaret
dhe panë rrugët plot luftëtarë. Burrat kërkuan armët. Por akejtë u vërviteshin me shpata e me heshta trojanëve të çarmatosur, dhe ata s’kishin rrugëdalje tjetër veçse t’ua mbathnin këmbëve. Shumë vetë shkuan në breg të detit midis hijeve të zeza të natës. Rrugët dhe sheshet u mbushën me të vrarë e të plagosur. Nuk dëgjoheshin veçse të qara e vajtimet, lutje e kërcënime, ulërima dhe vringëllima armësh. Në dritën e flakës së ndonjë zjarri dukeshin gra të tmerruara që iknin me foshnjat në krahë, njerëz që vraponin kuturu.
Edhe në pallatin e Priamit u bë rrëmujë e madhe. Princat dhe princeshat bërtitnin e qanin. Mbreti plak, Priami, shkonte poshtë e lart dhe s’dinte ç’të bënte…
— Shpëtoi? — pyeti Leoja.
— Jo, e vranë në tempull, tek po falej.
— Po mbretëresha u vra?
— Jo. Por fundi i saj qe më i tmerrshëm. U bë skllave e Odiseut dhe pa të bijën, Kasandrën, që u bë skllave e Agamemnonit.
Ndërsa të gjithë vritnin e po ndiqnin trojanët, Menelau rendte nëpër dhomat e pallatit duke kërkuar Helenën, të cilën donte ta vriste. E gjeti dhe i doli përpara me shpatë në dorë. Mirëpo Helena i ra ndër këmbë, siç bëjnë ata që kërkojnë ndjesë, e zbehtë dhe e bukur. Menelaut iu bë sikur ishte kthyer në të kaluarën dhe shihte vajzën e re që i lutej Tindarit për të. Dukej aq e dashur dhe e pikëlluar, sa Menelau s’i bëri dot asnjë të keqe. E fali dhe e çoi prapë si mbretëreshë në Spartë.
Ndërkaq Eneu, nipi i Priamit, të cilin e kishte shpëtuar Poseidoni gjatë dyluftimit me Akilin, vraponte dhe ai si të tjerët dhe përpiqej të vinte pakëz rregull në mes të kësaj rrëmuje dhe të shpëtonte sa më shumë njerëz. E dinte se çdo qëndresë ishte e kotë dhe u thoshte të gjithë atyre që ndeshte rrugës:
— Shpejt! Ikni! Shkoni drejt detit, në daçi të shpëtoni kokën.
Ndeshi në njërën nga dhomat të atin, Ankizin, dhe e mori në krahë, sepse Ankizi ishte plak dhe nuk mund të ecte vetë. Ndërsa po matej të dilte me Ankizin në krahë, Eneu dëgjoi një zë të hollë prej fëmije:
— Baba, baba!
Ktheu kokën dhe pa Askanin, djalin e tij të vogël. Foshnja ishte zgjuar, ishte ngritur nga shtrati, kishte parë t’anë me të gjyshin në krahë dhe kjo pamje i ishte dukur e çuditshme.
— Pse e ke marrë gjyshin në krahë? -— pyeti Askani, që nuk dinte gjë për rrezikun që po u kanosej.
— Do të ta them pastaj. Tani të tregohesh i bindur dhe të bësh ç’të të them unë. Jepma dorën e rend sa të mundësh, rri urtë dhe mos bëj pyetje.
— Mirë, — u përgjigj Askani. Ia dha dorën t’et dhe shkoi bashkë me të midis hijeve të zeza të natës. Rrugëve pa burra që vraponin, gra që binin në dëshpërim, dhe luftëtarë që vritnin, po nuk foli dhe nuk pyeti për asgjë. Doli nga porta dhe vuri re se rojat ishin të vrarë, por nuk tha asgjë. Shkoi drejt detit dhe rrugës pa shumë veta që ecnin shpejt si ai, disa duke qarë, disa të heshtur, por nuk tha asnjë fjalë.
Me të arritur në breg, Eneu e lëshoi përdhe Ankizin. Që të tre u gjendën midis shumë trojanëve burra, gra dhe fëmijë. Kishin mbetur pa shtëpi e pa atdhe, të varfër, të vetmuar, të shpërndarë. Kishin ngarkuar në shpinë sende të çmueshme, po sa e sa gjëra kishin mbetur në Trojë! Nga çasti në çast mund t’i arrinin ushtarët e armikut dhe t’i vritnin. Në errësirë shikonin gjuhë flakësh të kuqe e të larta: Troja po digjej. Kur i panë flakët, të gjithë zunë të qanin, të pushtuar nga frika e dëshpërimi.
Por Eneu nuk u dëshpërua. — E ç’do të fitojmë duke qarë? — foli ai. — Ka shumë lundra dhe anije të lidhura te bregu; të përpiqemi të shpëtojmë. Të hipim në to gratë dhe fëmijët, t’i ngarkojmë lundrat me gjithë ç’kemi mundur të shpëtojmë dhe të shkojmë larg, nëpër det. Kush të mundë le t’i vihet punës!
Kështu foli Eneu dhe asnjë trojan nuk qau më. Ngarkuan nëpër anijet miellin dhe verën, arin dhe argjendin; edhe Askani i vogël punonte me të tjerët e shpinte në anije ato gjëra që mundte.
Kur u ngarkua tërë malli, hipën në anije gratë dhe fëmijët, pastaj pleqtë, pastaj burrat e fortë, dhe i fundit fare hipi Eneu me Askanin. Askani vërtet ishte i vogël, po dinte t’i bënte ballë rrezikut. Kur të gjithë kishin hipur nëpër anije, burrat filluan t’i ngitnin me lugata. Ende s’po gdhihej, po deti ndriçohej nga flakët që shpërthenin në qytet, ku dëgjoheshin ende ulërima, të qara dhe vajtime. Askanit i flihej e i hahej dhe deshi të kishte pranë t’ëmën, po nuk tha gjë. E zuri gjumi mbi prehrin e një gruaje të re të panjohur. Burrat i ngitnin anijet më fort dhe era i shtynte me vrull mbi valët. Agoi dita dhe ato vazhdonin të lundronin.
Lundruan ditë me radhë. Kapërcyen detin e Greqisë e të Siqelisë dhe arritën brigjeve të Afrikës. Panë një qytet të madh e të bukur dhe u ndalën, se ishin lodhur së lundruari.
Një peshkatar po zgjaste rrjetat buzë detit dhe Enea e pyeti se si quhej qyteti.
— Kartagjenë, — u përgjigj peshkatari.
— Cili është mbret i Kartagjenës?
— Kartagjena nuk ka pasur kurrë mbret. Qytetin tonë e ka themeluar para pak kohësh një grua, që quhet Didonë. Didona, mbretëresha jonë, ishte vejushë kur erdhi këtu, dhe shumë burra dëshironin të martoheshin me të, sepse ishte shumë e bukur, po ajo s’mund ta harronte burrin e sajte vdekur, qan përhera dhe është betuar se nuk do të martohet me asnjeri.
Kështu Eneu shkoi te Didona dhe i tregoi historinë e tij. Mbretëresha e dëgjoi me vëmendje, i dha dhurata të çmueshme dhe e strehoi në pallatin e saj bashkë me Askanin.
Eneu ishte shumë i pashëm dhe i fortë dhe Didona i tha të martohej me të e ta bënte mbret të Kartagjenës.
— S’mundem, o mbretëreshë. Zotat më kanë shpëtuar jetën, se duhet t’i çoj trojanët në një vend tjetër, të mrekullueshëm, ku do të ngrihet një qytet i madh.
Dhe Eneu iku nga Kartagjena bashkë me trojanët. Më në fund mbërritën te gryka e një lumi të madh, ku u ndalën dhe zbritën në stere. Aty qëndruan. Pak më larg u themelua një qytet i madh, që u quajt Romë.

1) Sogjetarët — rojat

[cite]