KALI I DRUNJTË
Akili qe vrarë dhe u mblodh këshilli i prijësve për të vendosur se ç’duhej bërë.
Mbreti i Itakës, Odiseu dinak dhe i urtë, mori fjalën:
— Prijës! Luftëtari ynë më i fortë, Akili, bir i Peleut, u vra. U vra Akili, më i miri i të gjithëve! Dhe as që mund të kemi shpresë për t’i mundur trojanët në luftë të hapur, por vetëm me ndonjë dredhi mund të fitojmë.
— Mirë thua, — u përgjigj Agamemnoni, — po si t’ia bëjmë?
— E kam vrarë mendjen shumë dhe më duket se e kam gjetur. Dëgjoni këtu. Do të bëjmë një kalë të drunjtë, të skalitur mirë, tërë lajle e lule dhe aq të madh, sa të nxërë brenda tetë a dhjetë vetë. Do ta shpiem në Trojë dhe në mes të natës luftëtarët e fshehur brenda kalit do të dalin, do të hapin portat e qytetit dhe Troja do të pushtohet nga tanët. Si thoni, a nuk mund t’ia dalim mbanë qëllimit tonë në këtë mënyrë?
— Pa dyshim. Ja një mjet i mirë! — u përgjigj Agamemnoni.
— Po, mjeti është i mirë, — tha Nestori, — po ka një vështirësi në këtë mes. A do të pranojnë ta futin kalin në qytet Trojanët?
— Mos kenë frikë nga ndonjë mashtrim dhe e lënë jashtë mureve! — tha Menelau.
— Po, në këtë mes ka me të vërtetë një vështirësi, po unë vrava mendjen për një kohë të gjatë para se të flitja me ju. E kam menduar edhe si ta kapërcejmë këtë vështirësi. Njoh një njeri që mund të na ndihmojë shumë mirë. Çdo prijës duhet t’u japë urdhër luftëtarëve të nisen gjoja për t’u kthyer në atdhe. Nuk jam i sigurt nëse do t’ia dalim mbanë, por, në më ndihmoftë Zeusi, do të fitojmë dhe lufta do të marrë fund. Më lini të bëj një orvatje?
— Si jo!
— Posi!
— Ti je më i urti i të gjithëve!
— Dhe më i zoti!
— Dhe më dinaku!
— Të gjithë kemi besim te ti.
Kështu thanë prijësit. Dhe Odiseu dha urdhër:
— Më bëni një kalë prej druri të madh sa katër kuaj të gjallë njëri mbi tjetrin. Ky kalë të jetë shumë i bukur dhe të ketë brenda trupit një dhomëz, ku mund të rrinë disa veta; po dera e dhomës të mos duket. Gatiteni sa më parë që të jetë e mundur dhe mos e bëni për fjalë me asnjeri.
Marangozët iu përveshën punës dhe punuan ditë e natë, natë e ditë.
Ndërkaq Odiseu thirri luftëtarët dhe u tha:
— O shokë, jemi lodhur nga lufta. Ngrini velat e anijeve dhe bëhuni gati për t’u nisur, sepse dëshirojmë të kthehemi në shtëpitë tona, te gratë dhe fëmijët tanë.
Luftëtarët klithën nga gëzimi dhe u turrën për tek anijet, që të bëheshin gati për t’u nisur.
Po Odiseu nuk u turr drejt anijes. Ai shkoi të kërkonte një njeri që e njihte mirë, të cilit ia kishte tani nevojën, dhe e çoi në shatorren e vet.
— Sinon, ti je dinak e i mençur, si dhe shtinjak i mrekullueshëm!
— Nuk jam aq dinak sa ti, që u hoqe si lypës kur shkove midis armiqve për të parë e për të matur forcat e tyre.
— Atëherë shkova unë, po tani të takon ty të shkosh. Sinon, ka ardhur çasti që të tregosh zotësinë tënde. Vetëm ty do ta them atë që kam ndër mend të bëj, se vetëm ti mund të më ndihmosh. Dua që trojanët ta futin në qytet kalin që po bëjmë ne.
— Odise, ti kërkon ta futësh në Trojë këtë kalë? Pse? Për çfarë do të shërbejë?
Kështu foli Sinoni dhe dukej sikur s’kishte kuptuar gjë.
— Akejtë do të bëjnë sikur do të nisen me anijet e tyre për në atdhe, po do të fshihen prapa ishullit Tenedo, ai ishulli që duket përkundruall. Do ta futësh në Trojë kalin, ku do të ketë luftëtarë, dhe natën shokët tanë do të kthehen; ne do të dalim nga kali, do të hapim dyert dhe qyteti do të pushtohet.
— O Odise, unë do t’ua mbush mendjen trojanëve që ta futin kalin brenda mureve të qytetit. Ti do të më ngjeshësh me grushte, do të më futësh shqelma dhe do të më çjerrësh, por shiko që goditjet më shumë të duken se të ndihen! Pastaj të tjerat i marr përsipër unë.
— Kur të të kem ngjeshur me grushte dhe të të kem çjerrë, ti ç’do të bësh? — pyeti Odiseu.
— Kur të më kesh gërvishtur dhe të më kesh ngjeshur me grushte e të jem mbuluar i tëri me blana të mavijosura, do të vishem si i varfër dhe do të shkoj në Trojë.
— Po kur të ndodhesh në Trojë, ç’do të bësh? — pyeti Odiseu.
— O Odise, ti e di më mirë se unë; kur të jem në Trojë, do të them se më keni trajtuar keq, se jeni mizorë dhe shtypës, se dua të hakmerrem kundër jush! E që të hakmerrem, dua që të vdisni të gjithë dhe…
— Të lumtë, Sinon! — tha Odiseu. — Ndoshta nuk je më dinak se unë, po ama nuk bie poshtë.
— Eja tani, çirrmë e goditmë sa të jetë nevoja, — tha Sinoni.
Ai u zhvesh dhe Odiseu e ngjeshi me grushte e me shqelma dhe e çorri sa mundi. Kur ishte i tëri i dërrmuar, i copëtuar e i gjakosur, Sinoni mori ca zhele të vjetra, të grisura e të ndotura, i hodhi supeve në vend të mantelit dhe u nis fillthi për në Trojë.
Hyri në qytet me një pamje vërtet për të qarë hallin. Kur e panë në këtë gjendje si mos më keq, të rreckosur, të gjakosur e tërë blana të mavijosura, shumë gra e burra iu mblodhën përreth dhe e mbytën në pyetje.
—Kush je ti?
— Nga vjen?
— Kush të ka katandisur kështu?
— I shkreti ti!
— Si të quajnë?
— Pse je plagosur kaq shumë!
— Ç’të ka ndodhur?
— Ç’më ka ndodhur? Nuk e shihni? Më kanë trajtuar si një qen! Donin të më vritnin fare, po krisa e ika. Dhe dua të hakmerrem kundër tyre! Dua të marr hak kundër të gjithëve: kundër Menelaut, Agamemnonit, Odiseut e gjithë të tjerëve. Kanë për të parë se edhe një njeri i varfër si unë mund të marrë hakun kur e trajtojnë më keq se një kafshë! Po unë vdiqa, vdiqa për të ngrënë! Oooh!
Duke thënë këto fjalë, Sinoni mbylli sytë dhe u lëshua përdhe sikur e griu me të vërtetë uria, po trojanët, të kënaqur që kishin në qytetin e tyre një armik të Agamemnonit, e morën, e ndihmuan që ta merrte veten. Dhe thanë me njëri-tjetrin:
— Sa mirë aë kemi këtu një njeri që i di të fshehtat e armiqve tanë! Do të na ndihmojë dhe do ta fitojmë luftën më lehtë!
Pasi mori veten Sinoni, trojanët iu mblodhën rrotull, sepse donin të merrnin vesh shumë gjëra prej tij. Njëri e pyeti:
— Nuk më thua, o burrë i mirë, ç’është ajo godinë e lartë që e kanë ndërtuar akejtë dhe që duket si një kalë? A e di ti?,
— Si jo! Është vërtet kalë. Përgjoja prapa një çadre, kur Agamemnoni fliste me Menelaun. Ai është kalë i drunjtë dhe e kanë ndërtuar për t’ia dhuruar Paladë Atenës, që Paladë Atena t’i ndihmojë akejtë të mbërrijnë shëndoshë e mirë në atdhe.
— Të mbërrijnë në atdhe? Mos vallë po kthehen në atdhe akejtë? Nuk do të luftojnë më?
— Nuk e dini? Pas rënies së Akilit’ në betejë, ushtria u ligështua dhe asnjeri nuk ka më shpresë të fitojë! Do të kthehen në shtëpi; nuk shikoni që po ngrenë velat e anijeve për t’u nisur? Do ‘të kthehen e do të arrijnë në atdhe shëndoshë e mirë këta qena! Po në daçi t’i shihni të mbaruar e asnjë prej tyre të mos shkelë në tokën helene…
— Duam t’i shohim të mbaruar, s’do mend! Ç’duhet të bëjmë? Fol, Sinon, fol! Ti do të jesh një nga tanët dhe asnjeri s’do të të trajtojë keq këtu!
— Gjersa kali të qëndrojë jashtë mureve, akejtë do të jenë të mbrojtur në det, po në qoftë se kali hyn në sheshin tuaj më të madh, përpara tempullit të Paladë Atenës, në det do të shpërthejë një stuhi e tmerrshme, shumë nga anijet e mëdha do të fundosen e do të çahen nga era e marrë dhe trupat e armiqve tuaj e të mi do të flaken buzë detit. Këtë e ka thënë Kalkanti, më i famshmi i falltarëve tanë. Kështu e pafsha atë qenin, Agamemnonin! Do të më bëhet zemra mal e asgjë në botë s’do të më japë gaz më të madh!
Trojanët i besuan fjalët e Sinonit dhe zunë e po rrihnin çështjen në duhej ta sillnin kalin në Trojë apo jo. Ndërkaq anijet po ngrinin velat për t’u nisur; kur gjithçka ishte gati dhe shatorret i kishin hequr, helenët hipën nëpër anijet dhe u larguan në det. Vetëm kali vigan mbeti përpara mureve të qytetit dhe trojanët dolën tufa-tufa jashtë qytetit që të siguroheshin se armiqtë kishin ikur me të vërtetë e për të parë kalin.
— Sa i bukur dhe i skalitur mirë që qenka!
— Duket si i gjallë!
— Duhet shpënë në qytet përpara. tempullit të Paladë Atenës!
— Po ta shpiem në qytet, tërë armiqtë tanë do të vdesin!
— Ashtu! Kush e ka thënë?
— E ka thënë ai akeu që ka arritur këtu gjysmë i vdekur!
— E kanë thënë falltarët!
— Posi, posi!
— Po, po, kini besim te akejtë dhe te fallxhinjtë!
Mirëpo Kasandra, vajza e Priamit, ka vënë kujën dhe thotë se kali është i gjallë dhe do të na sjellë të keqe!
— Kasandra? Vajza e Priamit? Po çfarë di ajo? Është e çmendur! Kush ua vë veshin fjalëve të saj?
Kasandra, më e bukura e vajzave të Priamit, po dilte atë çast jashtë mureve dhe, kur u gjend përpara kalit,
u lëshua përdhe duke qarë. Pastaj u ngrit, duke vështuar larg në det, sikur shihte atje gjëra të tmerrshme.
— Është i gjallë kali! Do të luftojë baras me një mijë armiq! E shoh! Do të mundemi, do të vdesim! Kali merr frymë, ecën, mban armë! Nuk e shikoni që është gjallë? Mos e shpini në Trojë! Ja ku po rendin nëpër qytet, po ju vrasin! Ah! Të gjithë të vrarë, vendi po mbytet në gjak! Gjak dhe pranga! Vajtime, britma, hidhërim, dëshpërim!
Kështu bërtiste Kasandra duke qarë, pastaj u lëshua përdhe e këputur. Po asnjeri nuk e besonte; asnjeri nuk i besonte fjalët e Kasandrës. Dhe qytetarët, sa vinte, grumbulloheshin më tepër rreth kalit, dhe e soditnin. Po njëri nga priftërinjtë, Laokoonti, tha:
— Qytetarë, po ju jap një këshillë: mos u zini besë akejve, mos i zini besë Sinonit, mos e sillni kalin në qytet. Akejtë janë tradhtarë dhe ndoshta Sinoni ka gënjyer.
Kështu foli Laokoonti. Dy gjarpërinj, të ardhur nga deti, iu vërvitën atij. Ishin të tmerrshëm, të mëdhenj, sytë i kishin si dy flakë dhe mbi kokë mbanin mijëra flakë. Iu afruan Laokoontit, e vështruan mirë dhe iu mbështollën rrotull trupit, duke e shtrënguar gjithnjë më fort. Ulëriu i mjeri, sepse gjarpërinjtë po ia zinin frymën dhe, me të dëgjuar klithmat, të dy djemtë e tij të rinj erdhën me vrap dhe u përpoqën ta çlironin babanë e tyre; po gjarpërinjtë u zgjatën dhe mbështollën trupin e djelmoshave dhe, të shtrënguar së bashku Laokoonti me të bijtë vdiqën, kurse gjarpërinjtë u kthyen në det.
Qytetarët e kishin parë skenën e llahtarshme, po s’kishin bërë zë nga tmerri e tani asnjeri s’kishte ndër mend ta linte kalin jashtë mureve, secili desh të ndihmonte për ta shpënë te sheshi, përpara tempullit të Paladë Atenës.
Kësodore, kalin e shpunë në qytet dhe trojanët, duke pandehur se ishin çliruar nga armiqtë, shtruan gosti dhe bënë aheng tërë natën e natës. Pastaj secili shkoi të flinte, i lodhur, por i kënaqur, dhe asnjeri nuk vuri re se anijet armike, të fshehura prapa ishullit të Tenedos, po ktheheshin dalngadalë dhe luftëtarët zunë të zbritnin sërish në bregdet, të armatosur për luftim dhe të etur për gjak.
[cite]