Ilia Ketri
shqiptar ortodoks Ilia Ketri (1937- ) ka lindur më 14 korrik të vitit 1937 në Sault St. Maria të Miçiganit. Më 1961 përfundoi studimet në kolegjin teologjik “Kryqi i nderuar” në Boston dhe një vit më vonë u dorëzua prift nga Episkopi Marko Lipe, ku shërbeu në Kishën Ortodokse Shqiptare të “Shën Trinisë” në South Boston Massachusetts. Ndërsa në vitet 1983-1989 Imzot Ilia shërbeu si drejtor i aktivitetit studentor në Shkollën Teologjike “Kryqi i Nderuar” të Bostonit. Në muajin dhjetor 1989 u emërua meshtar në kishën e Shën Joanit në Las Vegas. Imzot Ilia Ketri në vitin 1992 erdhi në Shqipëri, ku punoi me zell në çeljen e Seminarit për përgatitjen e kuadrove të K.O.A.Sh-it. Gjatë kohës së qëndrimit në Seminarin Teologjik ka qenë drejtor dhe jepte lëndën e Dogmatikës. Imzot Ilia ka qenë prift i martuar. Pas fjetjes së bashkëshortes Helena Sotiri, ai u dorëzua në gradën episkopale. Më shtatë maj 2002 Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës zgjodhi Protoprezviterin Ilia Ketri, Episkop të dioqezës së Philiomilionit. Dorëzimi i tij në gradën episkopale u krye nga Mitropoliti i Filadelfias Melitoni, Mitropoliti i Dardaneleve Anthony dhe Mitropoliti i Sebastisë Demetrios. Ceremonia e fronëzimit u bë më 12 maj 2002 në Kishën Partiarkale të Shën Gjergjit. Episkopi i ri Ilia është caktuar në krye të dioqezës ortodokse të shqiptarëve të Kishës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila është në varësinë e Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopojës, me përgjegjësinë e drejtimit shpirtëror e pastoral të besimtarëve ortodoksë shqiptarë. Më datën 4 shtator 2003 vjen përsëri në Shqipëri me detyrën e Dekanit të Akademisë Teologjike.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Andrea Llukani, Përmes shkrimeve, Tekno Paper, Tiranë 2004, faqe 3-4.