Irine Banushi

Irine Banushi

shqiptar ortodoks Irine Banushi (1906-1976) ka lindur në Shkodër në vitin 1906. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes dhe më pas vajti në Seminarin “Bogosllava” të Cetinjës në Malin e Zi. Studimet e larta teologjike i vazhdoi në Beograd dhe i përfundoi në vitin 1938. Menjëherë u kthye në atdhe ku filloi punë në Seminarin “Apostull Pavli” dhe në gjimnazin e Tiranës duke dhënë lëndën e latinishtes. Në prillin e vitit 1939 Ilia Banushi u bashkua me qëndresën antifashiste. Më pas e internuan në provincën e Kolfioritos në Itali nga ku u kthye në vitin 1940. Në atë kohë Kryehirësia e Tij Kristofor Kisi, i cili drejtonte Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke shmangur një përpjekje të italianëve për të emëruar një episkop unit, i propozoi Ilia Banushit, i cili shquhej për përgatitje të lartë teologjike dhe përkushtim ndaj atdheut. Kështu në shkurt të vitit 1942 Ilia u dorëzua në gradën episkopale në Manastirin e Shën Naumit që në atë kohë ishte në administrimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Pas dorëzimit ai mori emrin Irine. Imzot Irineu do të provonte egërsinë e diktaturës kumuniste duke u burgosur dy herë në vitet 1945-1948 dhe 1956-1960. Pasi kreu dënimin atë e gjejmë në manastirin e Shën Vlashit ku me fjalët e ëmbla shpërndante shpresën dhe ngjallte besimin te njerëzit. Lidhjet e shumta me njerëzit dhe ndikimi i madh që kishte në popull do të bëheshin shkak që organet e diktaturës ta transferonin Imzot Irineun në manastirin e Ardenicës. Tashmë i zhveshur nga çdo detyrë kishtare punoi si llogaritar (1967). Episkop Irineu ishte engjëlli mbrojtës i manastirit të Ardenicës, duke e shpëtuar disa herë nga shkatërrimi. Ai ua bënte të qartë njerëzve rëndësinë që kishte manastiri në historinë dhe kulturën e popullit shqiptar, sepse pikërisht në atë vend kishte vënë kurorën heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti. Vërtet furtuna ateiste ia kishte zhveshur petkun episkopal Imzot Irineut, por nuk mundi t`i hiqte shpirtin e atdhetarizmit.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Kristofor Beduli, Episkop IrineBanushi, botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë 2000.
2-Danish Bebeziqi, Si e njoha Peshkopin Irine, Vegim Drite, Nr.4 qershor 1997, faqe 25.

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]