ISHUJT E KSAMILIT
✤ Katër ishuj të vegjël shkëmborë pranë bregut me të njëjtin emër në J të qytetit të Sarandës, me sipërfaqe të përgjithshme rreth 8.9 ha. Janë me prejardhje gërryese, të shkëputur nga toka, të ndërtuar nga gëlqerorë të jurasikut e kretakut. Ishulli më i madh, me sipërfaqe rreth 5 ha, gjendet 60 m larg bregut, ishulli tjetër gjendet 500 m larg bregut, ka sipërfaqe rreth 1.3 ha. Këtu gjendet edhe pika më e lartë e ishujve prej 24 m. Dy ishujt e tjerë (1.1 ha dhe 0.8 ha) janë më tepër shkëmbinj të dalë mbi ujë. Brigjet e ishujve janë të rrëpirëta, vende-vende gërryerja detare ka krijuar gremina. Janë të veshur dendur me makje. Për të ndihmuar rritjen e kafshëve të egra në ishullin më të madh është çuar ujë i pijshëm. I. e K. bashkë me viset bregdetare rreth e rrotull, përbëjnë një nga bukuritë e natyrës shqiptare dhe kanë vlera turistike.
(Me.K.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Ishujt E Ksamilit
[cite]