11.3 Ismail Kadare, vullneti për të ecur përpara
Me gjithë kufizimet e realizmit socialist dhe të diktaturës staliniste, letërsia shqiptare
bëri përparime të mëdha në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë. Shembulli më kuptimplotë i forcës
krijuese dhe origjinalitetit të letrave të sotme shqiptare është Ismail Kadare67 (l. 1936), ende i
vetmi shkrimtar shqiptar i dëgjuar e me emër në shkallë të gjerë ndërkombëtare. Talenti i Kadaresë si poet e prozator nuk e ka humbur aspak forcën e vet novatore gjatë këtyre tre
dhjetëvjeçarëve të fundit. Guximi i tij për të luftuar mediokritetin letrar brenda sistemit solli një
frymë të re në kulturën shqiptare.
Lindur më 28 janar 1936 në qytetin-muze të Gjirokastrës, Kadareja kreu Fakultetin e
Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1958 e më pas Institutin Gorki të
Letërsisë Botërore në Moskë para vitit 1960, vit kur marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe
Bashkimit Sovjetik u bënë të ndera. Që në vitet e para Kadareja u përkrah nga Enver Hoxha,
edhe ky nga Gjirokastra, i cili i dha mundësi të arrijë synimet letrare e vetjake, për çka
shkrimtarë të tjerë do të ishin dërguar në internim ose në burg.
Ndonëse Kadareja është i vlerësuar në Shqipëri edhe si poet, deri tani ai ka bërë emër në
botë krejtësisht falë prozës së tij, sidomos romaneve të ashtuquajtura historike dhe tregimeve.
Vepra e parë madhore në prozë, edhe tani ndoshta një nga më të mirat e tij e me siguri
më e mirënjohura, është romani Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Tiranë 1963. “Si një shpend
krenar e i vetmuar ti do të fluturosh mbi ato male të nëmura e tragjike, që t’u shkëputësh nga
grykat dhe kthetrat e tyre djemtë tanë të mjerë.” Ky qe përfytyrimi i gjeneralit italian të
shoqëruar nga një prift fjalëpakë në misionin në Shqipëri për të marrë eshtrat e ushtarëve të tij
të rënë njëzet vjet më parë. Misionin ai e nisi me një ndjenjë madhështie siç i takonte rangut të
tij: “Në punën e tij kishte diçka nga madhështia e grekëve dhe trojanëve, diçka nga funeralet
homerike.” Kur nisi detyrën fisnike të zhvarrosjes së eshtrave të një ushtrie të shpërndarë
gjithandej nëpër tokën plot baltë të Shqipërisë, gjenerali e pa se ndodhej në një vend me mot të
vrentur e me shi, mes njerëzish të ngrysur e të zemëruar. Dalëngadalë, e në mënyrë të
natyrshme, gjenerali vihet përballë realitetit të ashpër të së kaluarës dhe e mposht ideja e
mundimshme e kotësisë së misionit të tij. Synimet e tij të mëdha me kohë qenë kthyer në një
ankth vetjak të vërtetë, kur eshtrat e Kolonelit famëkeq Z ia hedh mu përpara këmbëve një plakë
e marrosur.
Shiu që rrjedh teposhtë xhamit të dritares së makinës ushtarake në dispozicion të
gjeneralit, është një metaforë e zakonshme në prozën e Ismail Kadaresë. Në kohën e botimit të
parë, këto reshje të vazhdueshme dhe shumë detaje të tjera të romanit e bënin atë një hap të
dukshëm përpara në letrat shqiptare. Retë gri të ngarkuara me shi, balta dhe realiteti i
mërzitshëm e i njëtrajtshëm i jetës së përditshme ishin në kundërshtim të dukshëm me diellin e
artë dhe fitoret e ndritura të realizmit socialist. Këtë e bën edhe gjenerali. Edhe këtu gjejmë një
mjet fort të pëlqyer nga shkrimtari, i cili, më shumë se kushdo tjetër, do ta nxirrte letërsinë e
vendit të vet nga letargjia tematike e stilistike: kështu Shqipëria e vetmuar dhe e përhirë shihet
me syrin e një të huaji të pa të keq dhe që nuk e njeh gjendjen. Ky këndvështrim jo vetëm i dha
trajtë një vendi evropian, që në atë kohë ishte më i izoluar nga bota Perëndimore se Tibeti, por
edhe u ndihmoi vetë shqiptarëve të shihnin atdheun e tyre siç mund ta shihnin të tjerët.
Pas një botimi të ripunuar më 1967, botimi frëngjisht Le général de l’armée morte, Paris
1970, në përkthimin mjeshtëror të Jusuf Vrionit (l. 1916), hodhi themelet për popullaritetin e
merituar të Kadaresë jashtë vendit. Ky roman është përkthyer edhe bullgarisht (Sofje 1966),
serbokroatisht (Krushevac 1968, Rijeka 1978), turqisht (Stamboll 1970), anglisht (Londër 1971,
Nju Jork 1991), greqisht (Athinë 1972), hungarisht (Budapest 1972), vietnamisht (Hanoi 1972),
gjermanisht (Dyseldorf 1973, Berlini Lindor 1977), rumanisht (Bukuresht 1973), suedisht
(Stokholm 1973), maqedonisht (Shkup 1975), portugalisht (Lisbonë 1976), sllovenisht (Maribor
1976), spanjisht (Havanë 1976, Madrid 1987), italisht (Milano 1982), sllovakisht (Bratislavë
1983), polonisht (Varshavë 1984), danisht (Århus 1985), holandisht (Amsterdam 1987) dhe
rusisht (Moskë 1990).
Pak kohë pas suksesit të ‘Gjeneralit’, Kadareja botoi një roman të shkurtër me titullin
Përbindëshi në numrin 12 (1965) të revistës Nëntori. Por ‘Përbindëshi’ shumë shpejt ra viktimë
e censurës staliniste. Shkrimtari më vonë ka shpjeguar se kishte mjaftuar një artikull shpifës për ta përjashtuar veprën nga letërsia shqiptare. “U godit aq barbarisht, u ndalua e u rropos aq
thellë, saqë për njëzët e pesë vjet nuk arrita dot ta çvarros68.” Përbindëshi në fjalë nuk ishte
veçse kali i Trojës para portave të Ilionit të shenjtë, veçse këtu, përbindësh në përthyerjen e
kohës. Rënia e Trojës ndodh si në të ardhmen edhe në të kaluarën e personazheve. Herë-herë ata
mbeten të pandryshuar ndërsa Troja shndërrohet para syve të tyre, duke ndërruar formë e duke
u bërë qytet modern me kafene, aeroport etj. Herë të tjera mbetet po ai qytet, ndërsa ata që
ndryshojnë janë personazhet, duke kaluar faza të ndryshme shndërrimi për t’u bërë figura të
kohës sonë. Ky shfytyrim i kohës, pa përruan xhojsian të ndërgjegjes, mjaftoi për t’ua ngritur
nervat censorëve stalinistë, të cilët ngrinë vetëm nga ideja se mos po bëheshin aludime politike,
dhe romani u pa e udhës të lihej në harresë. Kush mund t’i fajësonte autoritetet për dyshimin se
rrëfimi për pushtimin tinëzar të Trojës mund të ishte, në analizë të fundit, më fort për
Shqipërinë se për diçka tjetër? Libri u ribotua për herë të parë pas një çerek shekulli (Prizren
1990 dhe Tiranë 1991), dhe gjendet i përkthyer në frëngjishte (Paris 1991) dhe në suedishte
(Stokholm 1994). Veprat e Kadaresë gjithmonë kanë qenë pasqyrim i përpiktë i peripecive të
jetës politike shqiptare. Romani i tij i dytë, Dasma, Tiranë 1968, trajtonte temën e emancipimit
të gruas në Shqipëri në kulmin e dy fushatave të mëdha sociale të Enver Hoxhës: heqja e fesë
dhe emancipimi i gruas në një popullsi me prejardhje kryesisht myslimane. Dasma, krijim i
Revolucionit Kulturor shqiptar të viteve 1966-1969, është vepër me vlera artistike të kufizuara,
ndonëse është me interes si dokument i kohës. Për qëllim propagandistik është përkthyer
anglisht (Tiranë 1968, Nju Jork 1972), norvegjisht (Oslo 1976), suedisht (Stokholm 1976),
holandisht (Roterdam 1979) dhe spanjisht (1985).
Në vitet shtatëdhjetë Kadareja iu kthye përherë e më tepër prozës historike, liman ky më
i sigurt pas Revolucionit Kulturor, dhe u bë mjeshtër i pashoq i këtij zhanri. Kështjella, Tiranë
1970, roman që të kujton Il deserto dei Tatari, Milano 1940 (Shkretëtira e Tartarëve), të Dino
Buxatit, na kthen prapa në shekullin e pesëmbëdhjetë, epoka e heroit kombëtar të Shqipërisë,
Skënderbeut (1405-1468). Ajo, me imtësi dhe me një kompozicion të goditur, pasqyron
rrethimin nga turqit të një kështjelle mesjetare shqiptare, që simbolizon vetë Shqipërinë nën
fushatat e shumta të ndërmarra nga Perandoria Osmane për ta nënshtruar këtë vend. Sikundër
në Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Shqipëria shihet me sytë e një të huaji, pashait turk.
Skënderbeu vetë nuk del fare gjatë romanit. Shumë kritikë vënë në dukje se aludimi për ngjarjet
politike të viteve gjashtëdhjetë nuk ishte i paqëllimshëm. Më 1961 ishin prerë lidhjet me
Bashkimin e fuqishëm Sovjetik, kurse pas pushtimit të Çekosllovakisë më 1968, udhëheqësit
shqiptarë e ndien në palcë mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake sovjetike kundër tyre, për
ta kthyer këtë vend në vathë. Nuk pati lexues shqiptar që nuk e ndjeu analogjinë midis Portës së
Lartë dhe Kremlinit. Edhe Kështjella është përkthyer në shumë gjuhë: frëngjisht (Paris 1972),
katalanisht (Barcelonë 1974), holandisht (Amsterdam 1974), anglisht (Tiranë 1974, Nju Jork
1980), portugalisht (1977), serbokroatisht (Beograd 1977), greqisht (Athinë 1980), italisht
(Milano 1981), hungarisht (Budapest 1982), arabisht (Damask 1984), rumanisht (Bukuresht
1987), spanjisht (Barcelonë 1988) dhe gjermanisht (Kiel 1988).
Në periudhën e qetësisë relative midis fundit të Revolucionit Kulturor më 1969 dhe
spastrimit Paçrami dhe Lubonja më 1973, Ismail Kadare botoi një nga veprat e tij më me peshë
Kronikë në gur, Tiranë 1971. Kjo vepër me tetëmbëdhjetë kapituj dhe një epilog është kronika
e qytetit piktoresk të Gjirokastrës gjatë Luftës së Dytë Botërore. I njohur nga grekët me emrin
Argyrokastron, ky qytet përrallor me muret e larta të kalasë së gurtë që shfaqet si në mjegull në
shpat të malit përmbi kalldrëmet e ngushta, u pushtua me radhë, sikundër një pjesë e mirë e
Shqipërisë asokohe, nga grekët, italianët dhe më vonë nga gjermanët. Kronikë në gur, shkruar
mbi bazën e një varianti të titulluar Qyteti i jugut, Tiranë 1967, dhe përkthyer deri tani frëngjisht (Paris 1973), bullgarisht (Sofje 1975), suedisht (Stokholm 1975), finlandisht (1977),
serbokroatisht (Sarajevë 1979), turqisht (Stamboll 1981), rumanisht (Bukuresht 1983), greqisht
(Athinë 1985), anglisht (Londër & Nju Jork 1987), gjermanisht (Zalcburg 1988), holandisht
(Amsterdam 1990), italisht (Milano 1990), spanjisht (Barcelonë 1992), dhe suedisht (Stokholm
1993), është roman me gjuhë të përpunuar e me aludime politike të holla. Nuk na jep aq
pasqyrimin e ngjarjeve të ashpra historike në një qytet të pushtuar, sesa një bashkërendim
emocional të fuqishëm vëzhgimesh, mbresash e fantazish fëminore të një djali shqiptar.
Kadareja vetë, sikundër e kemi thënë, kishte lindur në Gjirokastër më 1936, ashtu si Enver
Hoxha një brez para tij. Duke qenë njëfarësoj me frymëzim autobiografik, romani e ndjek këtë
djalë nëpër rrugët e qytetit të tij të pushtuar dhe nëpër dyert e fantazisë së tij, ashtu si i sheh ai
ngjarjet me syrin e vet dhe ashtu si ia kap veshi nga ato çika thashethemesh, bisedash e
paragjykimesh nëpër lagje. Një fqinjë i duket si Ledi Makbeth, kurse një kokë lakër në pazar si
një kokë njeriu e prerë. Ushtarët kalimtarë i bëhen si ata të kryqëzatave deri sa ai vetë me të
tjerë hyjnë në një çetë partizane dhe bota e fantazisë fëminore i lëshon udhë pjekurisë së ashpër.
Spastrimi i liberalëve nga Plenumi i Katërt i Komitetit Qendror më 26-28 qershor 1973
shkaktoi një valë tronditjesh në qarqet intelektuale. Ismail Kadaresë, si disident letrar kryesor,
iu desh të hidhte hapa të kujdesshëm për të mos e pësuar. Në Nëntori i një kryeqyteti, Tiranë
1975, ai iu kthye në kohën e duhur një teme politike më të pranueshme, luftës partizane kundër
pushtimit gjerman në Tiranë më 1944. Është përkthyer në gjuhën daneze (Århus 1981), në
frëngjishte (Paris 1985), në rumanishte (Bukuresht 1989) dhe në gjermanishte (Kiel 1991).
Dimri i madh, Tiranë 1977, është një meditim letrar i prishjes traumatike me Bashkimin
Sovjetik. I botuar në fillim në një variant më të shkurtër me titull Dimri i vetmisë së madhe,
Tiranë 1973, Dimri i madh është roman me përmasa monumentale historike e politike. Dimri i
ashpër i viteve 1960-1961 ishte me të vërtetë i rëndësishëm në historinë shqiptare të pasluftës.
Ai qe viti që shënoi prishjen midis Nikita Hrushçovit dhe Enver Hoxhës dhe dëshmoi tërheqjen
përfundimtare të Shqipërisë nga sfera sovjetike. Kur Hrushçovi i ndërpreu furnizimet me drithë
më 1961 për të treguar pakënaqësinë ndaj aleancës kino-shqiptare, Enver Hoxha iu përgjigj
kryelartë: “Më mirë hamë bar sesa gjunjëzohemi!” Poshtërimi për shqiptarët krenarë por të
varfër qe edhe më i rëndë po të shihet lidhur me një thënie të famshme të Hrushçovit, të bërë më
parë gjatë një vizite në Shqipëri, se minjtë në siloset e drithit të Bashkimit Sovjetik hanin më
shumë grurë sesa mund të prodhonte e gjithë Shqipëria. Shqiptarëve u duhej përsëri të
kujdeseshin për veten, kësaj radhe plotësisht të vetëdijshëm se nuk kishin aleatë të
drejtpërdrejtë përveç Kinës së largët. Tensioni arriti kulmin kur Hoxha haptazi akuzoi
Bashkimin Sovjetik për politikë kolonialiste. Dimri i madh i pasqyron këto ngjarje emocionuese
në dy rrafshe: në atë politik e në atë personal, nga tryeza e bisedimeve në Kremlin deri në
shtëpitë e njerëzve të thjeshtë në Tiranë. Personazhi kryesor i romanit është Besnik Struga,
gazetar në Tiranë, të cilin e caktojnë në delegacionin shqiptar si përkthyes dhe niset për në
Moskë ndërkohë që Evropën Lindore e ka mbuluar bora e parë e dimrit të madh. Atje ai merr
pjesë në bisedime, pritje e biseda sekrete në nivel të lartë, duke provuar drejtpërdrejt intriga
politike dhe politikë fuqish. Pa kthimit nga Moska Besnik Strugës ia shton tronditjen edhe fakti
se fejesa me Zanën në Tiranë prishet. Besniku përfaqëson një nga të shumtët e prekur nga
rrjedhat e politikës. Kadareja gjithashtu sjell në vepër edhe një tufë personazhesh dytësorë, që
nga fshesarët e deri te borgjezët e moshuar, të zënë në befasi nga ngjarjet e dimrit të madh.
Studentët shqiptarë të universiteteve të Moskës dhe Leningradit detyrohen të ndërpresin
studimet e tyre në mes e të kthehen në shtëpi. Bashkimi Sovjetik thërret të gjithë këshilltarët e
vet dhe, pas bisedimesh të ndera, tërhiqet dhe braktis bazën strategjike të nëndetëseve në
Pashaliman, afër Vlorës. Marrëdhëniet politike dhe ekonomike u prenë përfundimisht. Por
Shqipëria mbijetoi:
“Në fillim të marsit, pas një ere të stuhishme, furia e së cilës ua kalonte gjithë sqotave
dimërore, mijëra njerëz hipën mbi çatira dhe tarraca për të rregulluar përveç të tjerash,
antenat e TV-ve, të shtrembëruara ose të rrëzuara prej saj… Mirëpo, antenat, vetë
çatitë, ashtu sikurse gjithë peizazhi i gjerë përreth, kishin mbetur po ato. Ndoshta për
këtë arsye, ndërsa bëheshin gati për të zbritur, njerëzit tundnin kokat sikur të thoshin:
‘megjithatë ç’dimër që ishte’.”69
Një pjesë të mirë të dialogut në këtë roman Kadareja e rindërtoi nga procesverbalet
faktike të bisedimeve dhe nga kujtimet e Enver Hoxhës, që na japin mundësinë të shohim me
një sy të shpejtë e të veçantë mekanizmin e botës komuniste të kësaj periudhe. Portreti që i bën
Enver Hoxhës, siç edhe pritej, është disi lajkatues dhe ia forcoi pozitën si ‘shkrimtar i
brendshëm’ i partisë. Kadareja më pas ka thënë se ishte Dimri i madh ai që e shpëtoi fizikisht:
Enver Hoxha “e çmon mjaft portretin e tij në atë libër dhe kurrsesi nuk do që ta humbasë.
Mirëpo bashkë me ty do të zhdukej edhe romani.”70 Vepra është botuar frëngjisht (Paris 1978),
suedisht (Stokholm 1980), gjermanisht (Kiel 1987), spanjisht (Madrid 1991) dhe serbokroatisht.
Muzgu i perëndive të stepës, 1978, është një roman dhe autobiografik si Kronikë në gur.
Flet për vitet e Kadaresë si student në Institutin Gorki të Letërsisë Botërore pak kohë para
prishjes së aleancës sovjeto-shqiptare. Ky roman, që është përkthyer edhe frëngjisht (Paris
1981), italisht (Torino 1982), holandisht (Bussum 1983), suedisht (Stokholm 1983) dhe greqisht
(Athinë 1990), përfshin një histori dashurie të Kadaresë me një vajzë ruse dhe një kapitull për
shkrimtarin disident Boris Pasternak (1890-1960), të cilit iu dha Çmimi Nobel më 1958 për
romanin Doktor Zhivago, çka ngjalli pakënaqësinë e autoriteteve sovjetike. Muzgu i perëndive
te stepës paraqet disa ngjashmëri kureshtare me romanin e njohur rus Mjeshtri dhe Margarita
të Mihail Afanasjeviç Bullgakovit (1891-1940), të botuar një dhjetëvjeçar më herët.
Në Ura me tri harqe, Tiranë 1978, Kadareja u kthehet fillesave mitike të historisë së
mugët të Shqipërisë për t’i dhënë jetë njërit prej motiveve më të mahnitshme të legjendave
ballkanike, murimit. Legjenda e murimit të një qenieje njerëzore në themelet e një ure apo
kështjelle është gjerësisht e përhapur në letërsinë gojore shqiptare (kr. legjendën e kështjellës së
Rozafës). Në fillim të shekullit të njëzetë, ende bëheshin kurban kafshë si dashi, cjapi, gjeli në
të tilla raste ndërtimesh në Shqipëri për t’i bërë ‘më të forta’ themelet e urave apo mureve. Kjo
praktikë e ashpër merr jetë nga pena e Kadaresë me të gjithë tmerrin e saj në Ura me tri harqe,
e cila gjendet gjithashtu e përkthyer frëngjisht (Paris 1981), holandisht (Amsterdam 1986),
greqisht (Athinë 1989), spanjisht (Madrid 1989), baskisht (San Sebastian 1994) dhe anglisht
(Nju Jork 1997). Ky roman është konsideruar si një reagim shqiptar ndaj fituesit serb të Çmimit
Nobel Na Drini cuprija, Sarajevë 1948 (Ura mbi Drinë), të Ivo Andriqit. Kadareja e ndien veten
shkëlqyeshëm në temat ballkanike.
Një histori tjetër ballkanike është Komisioni i festës, 1977, i përkthyer frëngjisht (Paris
1985), gjermanisht (Berlini Lindor 1987), turqisht (Stamboll 1976) dhe italisht (Leçe 1996), që
na kthen e na shpie në Shqipërinë e shekullit të nëntëmbëdhjetë të mbërthyer në darën e
Perandorisë Osmane. Kadareja përshkruan ethet e përgatitjeve të një feste në kremtim të
ripërfshirjes së Shqipërisë brenda Perandorisë pas shtypjes së një kryengritjeje, dhe masakrën
e pabesë pas festës mbi pesëqind krerë e luftëtarë shqiptarë. Vepra mbështetet në njërin prej
episodeve më tragjike në historinë shqiptare. Më 1830, pas luftës ruso-turke, Porta e Lartë
vendosi të hiqte qafe një herë e mirë krerët shqiptarë, të cilët vazhdimisht ngrinin krye kundër
Perandorisë dhe kishin shfrytëzuar çdo rast për të mos u bindur. Në gusht të atij viti, Mehmed Reshid pasha mbërriti në Manastir për të shpallur një amnisti të përgjithshme për fiset
kryengritëse. Gjatë festës së kremtimit të kësaj amnistie, trupat e tij rrethuan dhe masakruan
pesëqind krerë me familjet e tyre, duke zhdukur kësisoj me një goditje praktikisht të gjithë
krerët e Shqipërisë së jugut. Në këtë vepër Kadareja rikrijoi me plot gjallëri mjedisin cinik të
politikës mashtruese të organizuar nga një sistem autokratik i zhytur në amulli. Natyrisht, i
mbetej lexuesit shqiptar të hiqte paralelet që dëshironte në kohë dhe në hapësirë.
Po ajo periudhë e historisë shqiptare e trajtuar në Komisionin e festës përbën sfondin
alegorik për veprën Pashallëqet e mëdha, 1978. Pashallëku në fjalë është ai i Ali pashë
Tepelenës (1741-1822), Luani i Janinës, i përmendur për egërsinë dhe mizorinë e tij. Pasi u
ngjit në një rang të lartë të administratës së Perandorisë Osmane, Ali pasha krijoi shtetin e tij
autonom në Shqipërinë e jugut e Greqinë e veriut dhe mbajti marrëdhënie diplomatike të
pavarura me Napoleonin dhe Perëndimin. Këtë e arriti me diplomaci mjaft të hollë, manovrime
taktike dhe intriga me Portën e Lartë, çka na kujton përsëri, jo rastësisht, luftën e Enver Hoxhës
me Kremlinin. Kryengritja e Ali pashës u mbyt nga Porta kur pashai rebel më në fund u kap dhe
u ekzekutua duke i prerë kokën në janar 1822 në një ishull në liqenin e Janinës, ku dhe ishte
ngujuar. Koka e Ali pashës, sikundër ato të të gjithë krerëve të tjerë rebelë, u soll në Stamboll
nga korrieri mbretëror, Tunxh Hatai, dhe u ekspozua për publikun në ‘kamaren e turpit’. Në
botimet në gjuhë të huaja, ky roman njihet shpesh me titullin Kamarja e turpit. Ndër to
përmenden përkthimet frëngjisht (Paris 1984), greqisht (Athinë 1985), suedisht (Stokholm
1986), danisht (Århus 1989, 1990), spanjisht (Barcelonë 1989), gjermanisht (Zalcburg 1990),
dhe holandisht (Amsterdam 1991).
Shumë nga tregimet dhe romanet e shkurtra të Kadaresë janë botuar, në këtë periudhë
pjekurie artistike përherë e më të lartë, në tri përmbledhje: Emblema e dikurshme, Tiranë 1977,
Gjakftohtësia, Tiranë 1980 dhe Koha e shkrimeve, Tiranë 1986. Këto dy vëllimet e fundit qenë
thellësisht jokonformiste po të kemi parasysh standardet shqiptare, dhe pasuruan tregimin
shqiptar me përmasa të reja si në përmbajtje edhe në formë. Romanet e shkurtra u botuan në
formë tregimi të shkurtër, duke qenë se romanet në përgjithësi kontrolloheshin në mënyrë më
rigoroze dhe për arsyen e thjeshtë se redaktori i tregimit të shkurtër në shtëpinë botuese
shtetërore asokohe ishte më pak i rreptë në vigjilencë politike se redaktori i romanit.
Breznia e Hankonatëve, 1977, është një roman i shkurtër me 78 episode, i përkthyer
frëngjisht (Paris 1985) e gjermanisht (Berlini Lindor 1987), që ndjek rrugën e familjes Hankoni,
një emërtim i sugjeruar nga familja Angoni në zë e Gjirokastrës. Kadareja vë në dukje zellin,
paragjykimet, konfliktet dhe rivalitetet e vogla, arritjet dhe dështimet e kësaj familjeje, duke e
ndjekur nga brezi në brez gjatë një periudhe prej dy shekujsh. Edhe këtu autori tregon mjeshtëri
jo vetëm në përvijimin e një historie familjare, por edhe në teknikat origjinale për pasqyrimin
e një epoke të mbrujtur me ironitë e historisë dhe trillet e fatit.
Në Kush e solli Doruntinën?, 1979, Kadareja zhytet përsëri në të kaluarën legjendare të
Shqipërisë, në një legjendë me kuptimin e pastër të fjalës. Historia e Kostandinit dhe e së
motrës Doruntinë, që nganjëherë del me emrin Garentinë, është një nga më të njohurat e
folklorit shqiptar.
Një grua plakë ka nëntë djem e një vajzë. Kur vjen koha të martojë vajzën me një
dhëndër të largët, tetë nga djemtë tashmë i kanë vdekur. Për shkak se nëna plakë
ngurron ta japë pëlqimin për këtë martesë se mos humbet edhe të bijën, ndoshta për jetë,
i vetmi djalë që i kishte mbetur, Kostandini i vogël, bëri një betim solemn (besën), duke
i dhënë fjalën se do t’ia sjellë të motrën sa herë që të dëshirojë e ëma. Koha kalon, por
nga pjesëtarët e familjes të mbetur gjallë, është Kostandini ai që vdes i pari. Plaka, tani
e vetmuar, pendohet që e ka dhënë vajzën larg, digjet për të parë të bijën dhe mallkon
Kostandinin e vdekur që nuk e mbajti fjalën, besën. Prandaj Kostandini, ndonëse i vdekur, i mbetet besnik fjalës së dhënë dhe ngrihet nga varri, i hipën kalit, dhe niset
nëpër natë për të gjetur të motrën. E gjen dhe e sjell te krahët e së ëmës që ishte duke
dhënë shpirt.
Kjo është legjenda ballkanase të cilën Kadareja e ka shndërruar me mjeshtëri në një
‘thriller’ të kohës. Kush e solli Doruntinën? është përkthyer anglisht me titullin Doruntine (Nju
Jork 1988), si dhe frëngjisht (Paris 1986), greqisht (Athinë 1987), suedisht (Stokholm 1988),
bullgarisht (Sofje 1989), italisht (Milano 1989), danisht (Århus 1990), gjermanisht (Zalcburg
1992), polonisht dhe spanjisht. Veprimi shtjellohet rreth kapiten Stresit, nëpunës i ulët në
Shqipërinë mesjetare, i ngarkuar me përzgjedhjen e fakteve të çështjes dhe me përgatitjen e një
raporti: mbërritja e beftë e bijës nga Bohemia e largët në një natë tetori me mjegull, vdekja e
papritur e nënës me të bijën, fjalët e parreshtura për një lidhje incesti – një dëshirë kaq e zjarrtë
saqë vetëm vdekja e mposht – varri i hapur, marifetet për të mbuluar skandalin në interes të
kishës e të shtetit dhe, më në fund, personi i dyshuar. Kjo atmosferë intrigash mesjetare, që na
jep Kadareja, na kujton atë të romanit mjaft me sukses të Umberto Ekos Il nome della rosa
(Emri i trëndafilit).
Prilli i thyer, 1978, i botuar në vëllimin Gjakftohtësia, nuk është pa ngjasim me Kush e
solli Doruntinën? e mesjetës; ndonëse subjekti i saj fillon me një vrasje, e për më tepër
shtjellohet në vitet 1930. Gjorg Berisha ka kryer atë që familja dhe gjithë të afërmit kishin
ngulur këmbë: të vërë nderin në vend duke vrarë vrasësin e të vëllait nga fisi rival i Kryeqyqes.
Rrugë tjetër nuk kishte, veç asaj të gjakmarrjes të parashikuar në kanunin e lashtë të Lekë
Dukagjinit. Familje të tëra qenë fshirë nga faqja e dheut me gjakmarrje, kurse tani edhe ai ishte
i detyruar të ndiqte ligjin, duke u bërë vetë viktima e radhës. Gjithçka ishte përcaktuar nga kodi
fisnor përfshirë besën tridhjetëditëshe gjatë së cilës vrasësit i lejohej të kalonte ditët e fundit të
jetës jashtë shtëpisë e gjatë së cilës duhet të kaptonte disa male për të shkuar te qehajai i gjakut,
mbajtësi i llogarive, e për t’i dorëzuar taksën e gjakut. Kur shkrimtari Besian Vorpsi u shpall
miqve e të njohurve në një darkë në Tiranë se muajin e mjaltit do ta kalonte me një udhëtim
nëpër malësinë patriarkale, ata shtangën të gjithë. Edhe nusja Diana befasohet dhe habitet nga
mendimi që do të kalojë muajin e mjaltit në rrafshin e shkretë të Alpeve të veriut. Disa nga
miqtë arrijnë të kuptojnë se Besianin, si shkrimtar, e ka magjepsur ideja e një udhëtimi në të
kaluarën, mes fiseve malësore patriarkale e feudale të veriut, shoqëri kjo primitive, ende e
paprekur nga qytetërimi modern. Po e shkreta nuse Diana? Ata më të hedhurit, amatorët e
aventurave, e kanë zili: “Ti do të shkosh nga bota reale drejt e në botën e legjendave, midis
eposit të mirëfilltë, që rrallë e gjen akoma të gjallë mbi fytyrë të rruzullit tokësor.” Kurse
Gjorgu, gjatë udhëtimit për në kullën e zymtë të Oroshit, shtanget kur sheh karrocën me një
zonjë të re e të bukur nga qyteti. Edhe Dianës ia ka kapur syri këtë malësor të ri gjatë rrugës për
në kullën e Oroshit. E doemos, joshja e sëmurë e Besianit për zakonin e gjakmarrjes dhe joshja
erotike e Dianës për Gjorg Berishën, një obsesion që e tërheq dhe e dërgon në një botë tjetër,
shpien në ftohjen e tyre. Ky roman është përkthyer anglisht me titullin Broken April (Nju Jork
1990), frëngjisht (Paris 1982), greqisht (Athinë 1988), polonisht (Varshavë 1988), gjermanisht
(Zalcburg 1989), bullgarisht (Sofje 1989), spanjisht (Barcelonë 1990), italisht (Parma 1993),
dhe norvegjisht (Oslo 1993).
Nëpunësi i pallatit të ëndrrave, Tiranë 1981, është quajtur si një nga kryeveprat e
Kadaresë. Këtu kemi botën e Franc Kafkës (Franz Kafka) dhe të veprës ‘1984’ të Xhorxh
Oruellit (George Orwell), të vendosur në atmosferën disi të fjetur të Perandorisë Osmane. Mark
Alemi, pinjoll i një familjeje të njohur nëpunësish shtetërorë, caktohet me punë në Tabir Saraj,
zyra e tmerrshme shtetërore, që merret me studimin e gjumit dhe të ëndrrave. Detyra e tij është
të marrë në shqyrtim e të grupojë ëndrrat dhe ankthet e shtetasve të Sulltanit e t’i interpretojë për
t’u dhënë mundësi autoriteteve të mbysin që në embrion çdo rebelim e të parandalojnë aktet kriminale. Nëpunësi i pallatit të ëndrrave, që është përkthyer bullgarisht (Sofje 1989), frëngjisht
(Paris 1990), greqisht (Athinë 1990), italisht (Milano 1991), serbokroatisht (Sarajevë 1991),
spanjisht (Barcelonë 1991), portugalisht (Lisbonë 1992), suedisht (Stokholm 1992), anglisht,
(The palace of dreams, Nju Jork/Londër 1993), danisht (Århus 1994), dhe holandisht
(Amsterdam 1995), është në thelb një roman me humor, por ndoshta jo krejtësisht për ata që
kanë jetuar në një shtet totalitar. Për shqiptarët, analogjia është më se e dukshme.
Krushqit janë të ngrirë, botuar në Koha e shkrimeve më 1986, u bën jehonë ngjarjeve
shpërthyese të kryengritjes shqiptare në krahinën, atëherë autonome, të Kosovës në mars-prill
1981. Kërkesa e shqiptarëve për statusin e republikës brenda Federatës Jugosllave u ndesh me
përndjekje të ashpra dhe vendosjen e shtetrrethimit nga autoritetet serbe të Beogradit. Tensioni
midis shqiptarëve dhe serbëve, që kanë qenë bashkë në fushat e Kosovës për shekuj me radhë,
arriti një kulm tjetër tragjik atë vit. Në vend që të bashkëjetonin në harmoni, ata u hodhën
kundër njëri-tjetrit. Titulli i romanit e hedh fjalën pikërisht te kjo pamundësi, e krijuar nga
rrethanat për të jetuar së bashku. Sipas legjendës, ‘ora’, e mitologjisë shqiptare, i ngrin krushqit
para se të arrijnë në shtëpi, në mënyrë që të parandalohet ajo që nuk duhet të ndodhë. Alegoria
e Kadaresë prek një realitet të pakëndshëm. Janë dy ditë nga jeta e Teuta Shkrelit, mjeke kirurge
në një spital të Prishtinës gjatë atyre ngjarjeve të përgjakshme, e cila e sheh veten të kapur në
një grackë intrigash e inkriminimi. Kush ishte përgjegjës për ata shtretër të tjerë të vendosur në
pavjon një natë para kryengritjes? Kush e hoqi listën me emrat e pacientëve nga dosjet e
spitalit? Kush u dha ndihmë mjekësore armiqve të shtetit? A qenë sterilizuar serbët nga mjekë
shqiptarë, apo anasjelltas? Teuta, e vetëdijshme për shtypjen që e priste, e ndjeu se besnikëria
ndaj popullit të vet e ndaj profesionit peshon më shumë se besnikëria pasive ndaj shtetit.
Kadareja nuk e kursen penën në pasqyrimin e realitetit politik në Kosovë, sidomos në
përshkrimin e maskarenjve të dehur serbë, që ëndërrojnë kohën e lumtur të Aleksandër
Rankoviqit (1909-1983), kreu i policisë sekrete jugosllave, përgjegjës për përndjekjen
sistematike të popullsisë shqiptare, derisa u shkarkua në korrik 1966. Ky roman, i palejuar në
Jugosllavi për një kohë të gjatë, gjendet edhe i përkthyer në frëngjisht (Paris 1987), dhe sot
është më aktual se kurrë.
Viti i mbrapshtë, edhe ky i botuar në librin Koha e shkrimeve dhe i përkthyer frëngjisht
(Paris 1987), na shpie prapa në vitin 1914, një faqe e errët jo vetëm në analet e historisë së
Evropës, por edhe një vit i rrëmujshëm e vendimtar në luftën e shtetit të sapolindur shqiptar për
të mbetur gjallë. Çfarë ligësish paralajmëroi kometa që kaloi në qiellin shqiptar? Në vend
mbretëroi rrëmuja e jo princi gjerman Vilhelm Vid (Wilhelm zu Wied, 1876-1945), i zgjedhur
nga fuqitë evropiane, që pas një vonese të madhe, zbarkoi në portin e Durrësit në mars 1914 për
të pranuar kurorën e kësaj principate të vogël e të panjohur. Por qeveria e tij e kryesuar nga
Turhan Pasha, e përbërë kryesisht nga çifligarë feudalë rivalë, kontrollonte vetëm një pjesë të
vogël të vendit, kurse Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit nuk qe në gjendje t’u bënte ballë një
numri të madh interesash të kundërt, jo vetëm midis vetë shqiptarëve, por edhe midis
‘këshilltarëve ushtarakë’ francezë, britanikë dhe holandezë e midis shteteve fqinje përherë në
ekspansion. Në valën e kësaj rrëmuje fjalët përhapeshin si zjarri në pyll. A duhet bërë
Vilhelm Vidi synet për të treguar një gjest të vullnetit të mirë kundrejt bashkësisë myslimane në
shumicë apo tashmë është bërë synet fshehurazi? Kush e di përveç së shoqes, e ndoshta së
ëmblës Sara Stringa, mbrëmjet dhe pritjet e së cilës janë në qendër të jetës shoqërore për atë
ajkë mjaft të paktë të kryeqytetit të saposajuar shqiptar? Ndërsa kapedanët nëpër male
vazhdojnë luftën për pushtet dhe forcat malazeze, greke dhe serbe shkelin vendin, korpusi
diplomatik i akredituar këtu merret me interpretimin e domethënies që mund të ketë ajo tepsia
e bakllavasë dërguar misionit britanik nga konsulli turk. Pas gjashtë muajsh sundimi pa lavdi
princi i pa të keq gjerman ikën nga Durrësi e merr detin, duke lënë një këshill regjence për
punët e vendit, ndërkohë që kometa misterioze dalëngadalë zbret poshtë horizontit. Viti i mbrapshtë përmban mjaft aludime të matura për Shqipërinë komuniste.
“Jam i lumtur të lajmëroj sot sulltanin sovran, mëkëmbësin e profetit mbi dhè, se gjithë
gratë dhe vajzat e perandorisë më të madhe të botës janë nën ferexhe.” Kjo është pika kulminore
e tregimit me titull Sjellësi i fatkeqësisë – Islamo nox, 1984, që gjendet edhe i përkthyer
frëngjisht (Paris 1985) dhe gjermanisht (Berlini Lindor 1987). Qe vullneti i Sulltanit që të gjitha
femrat e Perandorisë Osmane, në lindje e në perëndim të Bosforit, të mbuloheshin me perçe.
Gratë e Ballkanit, e sidomos vashat syzeza të malësisë së thellë shqiptare, myslimane vetëm nga
emri, nuk e quanin ende të turpshme sjelljen e tyre, prandaj edhe Porta e Lartë qe e shtrënguar
të merrte masa. Gjatë gjithë një vere, me një punë të nderë, rrobaqepëse nga dhjetë qytete turke
përgatitën gjysmë milioni perçe për motrat kokëforta evropiane. Sapo u dorëzuan në magazinën
qendrore në Stamboll, perçet u bënë deng me kujdes e u ngarkuan në mushkat e Haxhi Miletit.
Në këtë pikë nis rrëfimi i Kadaresë. Ndjekim pastaj karvanin e Haxhi Miletit gjatë rrugës së tij
më se politike drejt Shqipërisë për t’ua shpërndarë perçet orientale grave evropiane të
Perandorisë. Haxhiu, shërbëtor besnik i Sulltanit, arrin të mposhtë dyshimet që i lindën për
karakterin e moralshëm ose jo të udhëtimit të tij dhe e zbaton urdhrin perandorak një për një. Po
a e zbaton vërtet? Me t’u kthyer në Orman Çiflig, e arrestojnë dhe e hedhin në burg për të kaluar
pjesën tjetër të jetës. Çfarë e vulosi fatin e tij, ndonjë intrigë politike apo ‘mallkimi i grave të
Ballkanit’? Edhe këtu, lexuesi shqiptar ishte i lirë të bënte analogjinë si të donte.
Në kontrast me tregimet dhe romanet e shkurtra të sipërpërmendura, romani i Kadaresë
Koncert në fund të dimrit, Tiranë 1988, u kthehet përmasave epike të Dimrit të madh, me të
cilin ka mjaft paralele. Kjo kronikë 700 faqesh, e përkthyer frëngjisht (Paris 1989), gjermanisht
(Zalcburg 1991), greqisht (Athinë 1992), spanjisht (Madrid 1992), anglisht (Nju Jork/Londër
1994) dhe portugalisht, ka një titull të hapur simbolik që na bën ta nënkuptojmë si një vazhdim
të Dimrit të madh. Këtu Kadare i jep lexuesit një tablo tjetër të historisë më të re shqiptare, një
vështrim grotesk mbi shkëputjen dramatike të Shqipërisë nga Kina postmaoiste më 1978. Autori
në fakt e kishte filluar ta shkruante atë në kohën e prishjes së aleancës kino-shqiptare, por e
përfundoi vetëm më 1988. Marrëdhëniet midis Kinës dhe Shqipërisë patën filluar të acaroheshin
me hapjen pak e nga pak të Kinës ndaj Perëndimit në vitet shtatëdhjetë, kurse pika e fundit që
mbushi gotën qe pak a shumë ftesa historike presidentit Nikson për të vizituar republikën e pesë
yjeve. Për Enver Hoxhën dhe Partinë e Punës të Shqipërisë aleati i tyre i vetëm nuk qe më
kështjellë e marksizëm-leninizmit. Skenari politik ishte në fakt po ai i prishjes me Bashkimin
Sovjetik: dallime ideologjike në pikëpamje, politikë e forcës, një Enver Hoxhë i vendosur dhe
largim përfundimtar i specialistëve të huaj nga e vetmja kala e tyre në Mesdhe. Materiali
kryesor i Koncert në fund të dimrit dhe teknikat narrative të përdorura ngjasojnë dhe nuk
ngjasojnë me ato të Dimrit të madh. Varianti epik i Kadaresë për ngjarjet e viteve shtatëdhjetë
u jep jetë përsëri disa karaktereve që i kemi njohur në Dimrin e madh: Besnik Struga, Skënder
Bermema dhe Marku, të gjithë shtatëmbëdhjetë vjet më të mëdhej dhe më me përvojë. Por
romanit nuk i mungon polemika, dhe, për fat të keq, as tonet antikineze. Njëkohësisht, ai
përmban mjaft kritikë për shpersonalizimin e individit në kushtet e socializmit. Ashtu si gjetiu,
edhe në këtë roman Kadareja pëlqen simbolet dhe i përdor gjerësisht.
Në romanin Dosja H. dy studiues fiktivë irlandezo-amerikanë, Maks Roth dhe Vili
Norton, nisen për në malet e humbura të Shqipërisë veriore të paraluftës, me magnetofon në
dorë, në kërkim të atdheut të eposit. Të dy folkloristët kanë për synim të hetojnë mundësinë e
ekzistencës së një lidhjeje të drejtpërdrejtë midis poezisë homerike dhe këngëve heroike të
kënduara nga malësorët shqiptarë me lahutat e tyre. A mos është kjo poezi epike e historike, që
akoma këndohet nga shqiptarët dhe sllavët e jugut, avanpost i fundit i eposit homerik? Kjo është
një hipotezë që Ismail Kadarenë e ka tërhequr në mënyrë të veçantë. Por ky ekskursion i të dy
të huajve i vë disi në mëdyshje autoritetet shqiptare, sidomos nënprefektin e zonës ku kalojnë,
i cili, për çdo rast, u qep prapa agjentin e ngathët sekret Dullë Baxhaja për t’i vëzhguar e për t’i raportuar lëvizjet dhe veprimtarinë e tyre. Edhe e shoqja e nënprefektit, Dezi, e cila na kujton
figurën e Diana Vorpsit në Prilli i thyer, tërhiqet po aq nga prania e dy studiuesve meshkuj. Në
popullatën vendëse lind dyshimi se mos të ardhurit nga jashtë janë vërtet spiunë. Selinë e tyre
në Hanin e Rrashtbuallit e bastisin, kurse pajisjen e inçizimit, me zërin e fshatarëve e
shkatërrojnë. Misioni i tyre në Shqipëri merr fund. Dosja H., e cila gjendet në frëngjishte në
përkthimin e bukur të Jusuf Vrionit me titullin Le Dossier H (Paris 1989), si dhe në suedishte
(Stokholm 1990), në portugalishte (São Paolo 1990), në greqishte (Athinë 1992), në
norvegjishte (Oslo 1992), dhe në spanjishte (Madrid 1993), është një satirë po dhe aq e
këndshme për dy të huaj të pafajshëm, të cilët mundohen t’i hyjnë e ta kuptojnë tokën shqiptare
dhe, në veçanti, për huqet e jetës shqiptare, që shpesh i bëjnë vizitorët e huaj të çuditen:
dashuria ballkanike për fjalë e thashetheme, paaftësia administrative, si dhe frika prej fëmije
apo dyshimi nga ana e autoriteteve për çdo gjë të huaj. Duke i vendosur ngjarjet në vitet 1930,
Kadareja edhe një herë mundi pa rrezikuar t’u japë një goditje anësore prirjeve izolacioniste të
vendit të tij dhe ndërhyrjes së pavend të aparatit të Sigurimit në të gjitha sferat e jetës
bashkëkohore.
Veprimtaria e Ismail Kadaresë në fushën letrare kurrsesi nuk është mjaftuar me romane,
tregime e poezi. Ai është edhe autor sprovash, studimesh letrare, kritikash, përkthimesh dhe
përshtypjesh udhëtimi. Studimet letrare, përgjithësisht, nuk kanë qenë po aq të fuqishme sa edhe
romanet e tregimet. Autobiografi e popullit në vargje, Tiranë 1971 (Përkth. angl. Autobiography
of the people in verse, Tiranë 1987), për shembull, kërkon të zbulojë rrënjët dhe strukturën e
legjendave e të poezisë popullore, që aq shumë e kanë tërhequr Kadarenë në prozën e vet, por
kurrsesi nuk është e mjaftueshme si studim për letërsinë gojore shqiptare.
Në një studim më të shkurtër me titull Mbi eposin e kreshnikëve Kadareja heton, me një
masë të konsiderueshme subjektivizmi, prejardhjen e ciklit kryesor të eposit heroik shqiptar të
njohur me emrin Këngë kreshnikësh apo cikli i Mujit dhe Halilit. Këngët e kreshnikëve, të cilat
ende këndohen me lahutën me një tel në malësinë e Shqipërisë së veriut, janë të lidhura ngushtë
në përmbajtje e në formë me poezinë epike të sllavëve të jugut (sidomos boshnjake), duke qenë
të dyja me prejardhje të përbashkët. Megjithatë, zanafilla e saktë e tyre është bërë temë debati
të tipit jo të rrallë në Ballkan ‘Unë isha i pari!’. Studimi i Kadaresë i përkthyer në Tiranë në
frëngjishte, serbokroatishte, gjermanishte, turqishte dhe anglishte, ky i fundit me titullin disi
çorientues On the lay of the knights, Tiranë 1979, është tejet polemik dhe nuk i bën nder emrit
të tij si shkrimtar i rangut botëror.
Më e thellë dhe e studiuar është monografia e gjatë e Kadaresë për dramaturgun grek të
lashtësisë Eskili (rreth v. 525-456 para erës sonë) me titullin Eskili, ky humbës i madh, Tiranë
1990. Çfarë ka parë Kadareja te babai i tragjedisë, të cilin e quan “dydimensional: në dritë dhe
në hije të përjetshme,” e ç’e ka tërhequr atë? Nga të tetëdhjetë pjesët e shkruara prej Eskilit, për
këtë apo atë arsye vetëm shtatë kanë shpëtuar në shekuj. Mjafton vetëm ky fakt për t’u lëshuar
në krahët e imagjinatës e në hamendje. Si mund të vështrohet e të trajtohet Eskili, që s’është
tjetër veçse hija e vetvetes? Si do të dukej bota letrare me të gjitha pjesët e tij dhe a mund të
merret me mend bota pa të? Në këtë studim, që gjendet edhe në frëngjishte në përkthimin e
Aleksandër Zotos Eschyle ou l’éternel perdant (Paris 1988) dhe në greqishte (Athinë 1988),
Kadare i jep jetë së kaluarës dhe, duke u mbështetur në atë pak material që gjendet, përvijon një
personalitet bindës për themeluesin e tragjedisë klasike. Diçka nga patosi i Greqisë së lashtë
bëhet madje më i kuptueshëm, më i dukshëm, i parë me sytë e fqinjëve shqiptarë. Begatia
ekzotike e oborrit mbretëror të Kserksit, ashtu siç është pasqyruar në ‘Persët’, na kujton atë të
përvojës së gjatë të Shqipërisë në duart e sulltanëve të Portës së Lartë një mijëvjeçar më pas, e
madje atë të nomenklaturës së Shqipërisë komuniste. Tragjedia e shtëpisë së Atreut në Orestia,
vuajtjet e mundimet e pjesëtarëve të veçantë të familjes nga një brez në tjetrin, gjejnë një
pasqyrim të shënuar në besën shqiptare, besnikëria absolute ndaj fjalës së dhënë, detyrës dhe fatit, zakon ky që ka mbërthyer breza të tërë në alpet e Shqipërisë veriore e i ka çuar në
gjakmarrje e zhdukje brezash. Dhe a nuk gjen eposi homerik pasqyrimin e vet të fundit në
poezinë epike e heroike të përmendur më sipër të shqiptarëve e të sllavëve të jugut? Të shumta
janë paralelet midis këtyre vendeve e epokave kaq të ndryshme në dukje, por edhe më fort
kureshtje të ngjallin paralelet në këtë pikëtakim të mendësisë midis tragjedianit grek dhe
rapsodit ilir. Jo rastësisht Kadareja nënvizon:
“Si çdo shkrimtar i madh Eskili ishte i ndërgjegjshëm se, në krahasim me atë zyrtar të
mesëm apo të lartë që përfaqësonte shtetin, ai ishte një princ, dhe jo vetëm i artit, por
i gjithë kombit të vet. Si i tillë, ai qëndronte më lart se çdo burrë shteti dhe se fati i
Greqisë i rëndonte atij mbi supe më shumë se ç’i rëndonte ndoshta krejt mekanizmit të
shtetit grek.”71
Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe, Tiranë 1991, është një sprovë për poetin djalosh
shqiptar Migjeni (1911-1938) i cili, me ato pak skica në prozë dhe përmbledhjen e vogël me
vjersha, i dha fund një herë e mirë zgjatjes së traditës së romantizmit kombëtar në letrat
shqiptare. Kjo monografi e vitit 1991 është variant i zgjeruar i një hyrjeje që Kadareja kishte
shkruar vite më parë për një botim të veprave të plota të Migjenit në Tiranë: Vepra, Tiranë
1988. Kjo sprovë u botua në Francë me titullin Migjeni, Chroniques d’une ville du nord,
précédé de: L’irruption de Migjeni dans la littérature albanaise, Paris 1990 (Migjeni, Kronikë
e një qyteti të veriut, ardhja e Migjenit në letërsinë shqiptare). Të dy variantet japin një tablo
subjektive e disi të sipërfaqshme të letërsisë në vitet tridhjetë, që pasqyron thellë qëndrimet dhe
paragjykimet e Partisë së Punës të Shqipërisë; por fatkeqësisht, as përpjekja e Kadaresë për të
përcaktuar rolin e Migjenit nuk ka dalë plotësisht e kënaqshme. E shkruar në fillim para
emigrimit të Kadaresë në Francë, kjo monografi më fort se çdo gjë tjetër zbulon shpërthimet
autobiografike të autorit të saj të padeshifrueshëm. Kadareja vëren, për shembull, se “ka
diktatura të tmerrshme e djallëzisht të përsosura ku profesioni i shkrimtarit është një mallkim i
vërtetë.”72 Ky qe një problem me të cilin Migjeni i ri e mesianik, që i dha udhë aq të lirë
shpërthimit të revoltës dhe pasioneve të tij, nuk u ballafaqua po në atë masë sa Kadareja. Po,
sado i pakënaqshëm mund të jetë si studim përfaqësues për letërsinë shqiptare të paraluftës, vetë
fakti se Kadareja e botoi këtë sprovë në Tiranë në atë kohë dhe se përfshiu në të një trajtim të
gjerë të ‘autorëve reaksionarë’ kryesorë, normalisht të lënë në heshtje, ishte në vetvete një hap
përpara për shtigje të reja.
Po, ashtu drejt shtigjeve të reja ishte Ftesë në studio, Tiranë 1990, botimi i fundit i
Kadaresë në Tiranë para largimit për në Francë në vjeshtë 1990. Ky libër përmban një tufë me
tridhjetë e dy vjersha nga një autor që përndryshe e kishte braktisur këtë gjini prej vitesh;
përkthime poezish nga greqishtja, kinezishtja, frëngjishtja, rumanishtja dhe rusishtja; dhe pjesa
më e rëndësishme, një radhë refleksionesh për letërsinë e artet e për ngjarjet aktuale. Për
letërsinë që botohej në Tiranë, Ftesë në studio qe mjaft e hapur për kohën e botimit dhe theu jo
pak tabu. Është në thelb një tablo subjektive e shfrytëzuar nga autori edhe si mundësi për të larë
ca hesape të vjetra me shkrimtarë rivalë.
Në fund të vitit 1990, vetëm dy muaj para rënies përfundimtare të diktaturës, Ismail
Kadareja iku nga Tirana me të shoqen e fëmijët dhe kërkoi strehim politik në Francë. Largimi
i tij zgjoi një valë interesimi në shtypin shqiptar e të huaj në një çast politikisht shpërthyes të
historisë së vendit. Disa komentatorë e shikonin largimin e tij si braktisje të një anijeje në mbytje e sipër, të cilën ai lehtësisht mund dhe duhet ta kishte lënë shumë vjet më parë. Të tjerë
u tronditën nga ky vendim i tij për ta braktisur popullin në një ditë nevoje. Kadareja i shpjegoi
motivet e largimit në të përditshmen pariziane Le Monde pak kohë pas mbrritjes. Pa çdo gjykim
ose paragjykim për largimin e tij nga Shqipëria, e vërteta është se për herë të parë Kadareja fitoi
mundësinë për të ushtruar profesionin në liri të plotë. Prandaj nuk është për t’u habitur që
shkrimtari do t’i kthehej më haptazi politikës në botimet e tij të mëvonëshme.
Gjatë muajve të parë të mërgimit në Paris, ‘princi i kombit’ në letërsi përfundoi një
kronikë vetjake të ngjarjeve, e cila mbulon periudhën kalimtare nga dhjetori 1989 deri në
dhjetor 1990, kronikë e botuar në shkurt 1991 me titullin Nga një dhjetor në tjetrin, Paris 1991.
Kjo vepër është vazhdim i librit Ftesë në studio, aty ku e kishte ndërprerë. E botuar në një kohë
me përkthimin frëngjisht me titull Printemps albanais, Paris 1991, ajo ofron për të parën herë
një përjetim letrar të fazës së fundit të një gjysmë shekulli diktature. Kadareja e nis kështu:
“Këto janë shënime të një shkrimtari dhe, ndonëse ngjarjet për të cilat flitet këtu s’kanë të bëjnë
me letërsinë, ato duhet të lexohen vetëm si të tilla. Të përftuara ndryshe këto shënime nuk do të
jepnin një pamje të saktë, në po atë mënyrë që një palë syze të gjetura rastësisht rrallë herë
mund t’i përshtaten syrit të gjetësit.”73 Të dymbëdhjetë muajt në fjalë natyrisht qenë shumë të
rëndësishëm për historinë e Shqipërisë. Ata u karakterizuan sidomos nga paniku i fillimit që
shkaktoi në ‘aristokracinë e kuqe’ ekzekutimi i Nikolae Çausheskut në dhjetor 1989 dhe vala e
parë e emigrimit nëpërmjet ambasadave gjermane, italiane dhe franceze në Tiranë në korrik
1990. Si ndihmesë për ‘pranverën shqiptare’, që pasoi ‘dimrin e madh’ të ri, Kadare botoi edhe
letërkëmbimin me presidentin Ramiz Alia në maj 1990. Pjesa e dytë e librit përmban
refleksione mbi regjimin kokëfortë stalinist në Shqipëri dhe mbi natyrën e diktaturës në
përgjithësi. Libri Nga një dhjetor në tjetrin, i cili edhe është përkthyer gjermanisht (Kiel 1991),
holandisht (Amsterdam 1991), norvegjisht (Oslo 1991), anglisht (Londër 1994), dhe spanjisht,
është herë me tone ankuese e herë me tone sarkastike. Edhe këtu nuk mungojnë polemikat dhe
hakmarrjet e vockëla të vëna re më parë te Ftesë në studio, dhe në analizë të fundit duket se
edhe ky libër më shumë ngre çështje se sa na jep përgjigje.
Pesha e kryqit, Paris 1991, qe vepra e dytë e Kadaresë e botuar në mërgim në Paris. Ajo
mendohet si vazhdim i librit Ftesë në studio dhe pa dyshim kjo ka qenë arsyeja që të dyja veprat
u botuan në një vëllim të vetëm prej 558 faqesh në frëngjishte Invitation à l’atelier de l’écrivain
suivi de Le poids de la croix, Paris 1991. Së bashku me Ftesë në studio dhe Nga një dhjetor në
tjetrin formohet kështu një lloj trilogjie politiko-letrare. Ndonëse nuk është më pak inatçore se
dy veprat e mëparëshme, Pesha e kryqit në të njëjtën kohë zbulon anë të tjera të personalitetit
të Kadaresë, sidomos ankthin dhe vuajtjet vetjake gjatë viteve të tmerrshme të skëterrës për
intelektualët shqiptarë. Ajo është autobiografia e një romancieri nën regjimin stalinist, që ia del
të botojë veprat e tij, por që asnjëherë nuk është i sigurt për reagimin e gjysmëperëndive të
Byrosë Politike, e sidomos të të Plotfuqishmit vetë. Kadareja arrin të hedhë pak dritë mbi
realitetin jashtëzakonisht të zymtë të ‘pushtetit popullor’, ndonëse në një mënyrë tepër personale
e subjektive. Çka i mungon Peshës së kryqit dhe çka e ndan atë nga veprat klasike të letërsisë
së çlirimit në Evropën Lindore postkomuniste është një vizion më i gjerë mbi sendet. Bota e
Kadaresë mbetet e përqendruar tërësisht në ndarjen personale që krijon midis ‘miqve’ dhe
‘armiqve të përjetshëm’ të tij. Asgjëkundi nuk përmend shpirtin e plagosur të kombit, peshën e
kryqit të mbajtur mbi kurriz nga populli i vet gjatë dyzet e gjashtë vjetësh tmerri të pashprehur
apo të paktën agoninë më konkrete të shumë kolegëve të tij shkrimtarë e artistë. Në çdo moment
atë e ka kapërthyer ankthi – dhe për këtë zor se mund ta fajësojmë – për të shpëtuar e mbetur
gjallë vetë. Vetëm koha ka për ta treguar nëse Kadareja do të mundë të dalë nga kjo traumë
personale dhe zërin e talentin ta përdorë për t’i dhënë shprehje në libra asaj traumës më të madhe që hoqi populli shqiptar gjatë gati një gjysmë shekulli, vula e së cilës nuk do t’i hiqet për
shumë kohë në vitet që vijnë.
Ndër botimet e kohëve të fundit të Kadaresë është edhe romani Piramida, një alegori
politike e historike, i cili në fillim u botua pjesë-pjesë si tregim në numrat e parë të gazetës së
opozitës në Tiranë Rilindja demokratike në janar 1991. Në mërgim në Paris Kadareja e zgjeroi
deri në një roman shtatëmbëdhjetë kapitujsh, i cili së pari doli i përkthyer frëngjisht nga Jusuf
Vrioni La Pyramide, Paris 1992. Është përkthyer gjithashtu greqisht (Athinë 1992), portugalisht
(Lisbonë 1994), spanjisht (Madrid 1994), dhe anglisht (Nju Jork/Londër 1996). Duket se është
e vërtetë që monarkët absolutë kanë prirje për monumente në formë piramide me qëllim që të
paraqesin në mënyrë simbolike strukturën hierarkike të pushtetit të tyre. Prandaj nuk vjen si
befasi që monumenti i fundit përfaqësues i ngritur në kujtim të Enver Hoxhës para shembjes së
sistemit qe ‘Muzeu Enver Hoxha’, në formë piramide, i ngritur anës bulevardit kryesor në
Tiranë. Ai është një ndërtim prestigjoz prej mermeri të bardhë të lëmuar, me një yll të kuq
gjigant prej materiali plastik sipër si kurorë, simbol që u hoq pa bujë me të gjitha reliket e tjera
pas rënies së regjimit. Ndërtesa vetë, edhe tani pas disa vjetësh demokracie, ka mbetur një nga
më madhështoret e vendit dhe ruan diçka përjetësisht kërcënuese. Në kohën kur po ngrihej
piramida gjigante prej mermeri e Tiranës, nga shumë studentë e shkrimtarë quhej fshehtazi si
simbol i marrëzisë njerëzore. Një nga parullat blasfemike entuziaste në ditët e para të lëvizjes
studentore shqiptare, forca që më në fund i detyroi stalinistët e moshuar t’i lëshonin udhë një
forme më pak surrealiste qeverisjeje, ishte “piramida diskotekë!”, d.m.th. që Muzeu Enver
Hoxha, i njohur nga të gjithë me emrin ‘piramida’, të shndërrohej në një diskotekë vallëzimi për
studentët dhe të rinjtë e kryeqytetit shqiptar, të cilit i mungonin argëtimet.
Një pasqyrim të drejtpërdrejtë dhe imagjinar të joshjes së Ismail Kadaresë nga ky muze
fort i mburrur dhe fshehtazi i sharë e gjejmë në këtë roman historik që të ndjell kureshtje.
Sikundër shumë vepra të tjera të këtij shkrimtari shqiptar, ajo mund të kuptohet si duhet vetëm
po të lexohet si alegori politike. Piramida është rrëfim marramendës e i habitshëm i idesë dhe
ndërtimit të piramidës së Keopsit në Egjiptin e lashtë, por edhe i pushtetit politik absolut e
madje i marrëzisë njerëzore. Keopsi, faraoni egjiptian, e ndjeu se i kishte trembur e tmerruar
oborrtarët e vet kur ishte betuar një mëngjes vjeshte të dilte jashtë traditës duke mos ndërtuar
piramidë siç kishin bërë paraardhësit. Por sistemi faraonik dhe forca e zakonit dhe e
konformizmit doli se qenë shumë më të fuqishme. Nuk vonoi dhe Keopsi u bind nga prifti i lartë
Hemiunu se piramida nuk ishte thjesht varr, por diçka më shumë. “Ajo është në radhë të parë
pushtet, madhëri. Ajo është shtypje, burg, para, po aq sa ç’është trullosje e turmave, ngushtim
i mendjes, vyshkje e vullnetit, mërzi dhe humbje. Ajo është roja jote më e mirë, faraoni im.
Policia e fshehtë. Ushtri, flotë dhe harem i erandshëm. Sa më e lartë të jetë ajo, aq më i mpakët
ngjan shtetasi nën hijen e saj. Dhe sa më i vogël të jetë shtetasi aq më i lartë je ti, madhëri.” E
kësisoj, masat egjiptiane iu vunë punës për një ndërtim absurd në shkretëtirë, ashtu si katër
mijëvjeçarë e gjysmë pas tyre, shqiptarët iu vunë punës për të ngritur qindra mijëra bunkerë
betoni anembanë vendit si mbrojtje nga një pushtim i mundshëm imperialist i hamendësuar, e
për të ndërtuar një mauzole mermeri për faraonin e tyre.
Ismail Kadareja bëri çmos për emancipimin e letërsisë shqiptare, mbi të cilën në saje të
talentit të vet dhe përkrahjes nga regjimi, mbretëroi si monark absolut në vitet shtatëdhjetë e
tetëdhjetë. Në mjaft raste gjatë viteve të gjata të diktaturës së rëndë, ai shprehu kritika të hapura
për nivelin në fushën e letërsisë e të arteve, ndërkohë që njëherazi i dha mbështetjen e vet pa
kushte sistemit politik nga i cili ai vetë pa dyshim ka vuajtur. Kjo ka bërë që një numër i mirë
kundërshtarësh më vonë ta përmendin si ‘shkrimtar oborri’ apo si ‘eksponent të regjimit’,
kundërshtarë që kanë vënë në dyshim edhe nëse ka qenë vërtet disident i fshehtë, siç është
munduar, në mënyrë disi të trashë, të provojë që nga mërgimi në Paris. Sidoqë të jetë, nuk ka kurrfarë dyshimi se Ismail Kadareja e shfrytëzoi lirinë relative dhe talentin e vet nën diktaturë
për të bërë sulme të holla kundër regjimit në formën e alegorive që i ndeshim, sikundër e pamë,
kudo nëpër veprat e tij. Gjithësesi, e mira e të mirave ndoshta është që Ismail Kadareja të
vlerësohet nga një pikëpamje tërësisht letrare, si autor veprash që shkojnë nga një nivel mesatar
deri në të shkëlqyer. Analizat politike për konformizmin apo disidencën në prozën e tij duhet t’i
lihen së ardhmes.
____________
67 kr. J. Byron 1979a, 1984, Pipa 1983-1984, 1987, 1991, f. 49-123, Mitchell 1990, Beqiri 1991, Faye 1991a, 1991b, Klosi 1991, Resuli 1992, Terpan 1992, Çaushi 1993, 1995, Druon 1993, Nauni 1993, dhe Zamputi 1993a.
68 Pesha e kryqit, Paris 1991, f. 27.
69 Dimri i madh, Tiranë 1981, f. 614-615.
70 Pesha e kryqit, Paris 1991, f. 140.
71 Eskili, ky humbës i madh, Tiranë 1990, f. 58.
72 Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe, Tiranë 1991, f. 34.
73 Nga një dhjetor në tjetrin, Paris 1991, f. 7.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia