Joan Kukuzeli
(greqisht: Ιωάννης Κουκουζέλης ) shqiptar ortodoks Joan Kukuzeli (+1200) ishte nga Durrësi dhe ka jetuar në shek. XII. Biografët nuk na japin hollësira rreth jetës së tij në Durrës. Theksojnë vetëm se kishte mbetur jetim nga i ati dhe me edukimin e tij u mor e ëma. Joani ishte i zgjuar e i urtë, por mbi të gjitha kishte zë të jashtëzakonshëm dhe vesh muzike të mprehtë. Ky talent i tij mendohet se u bë shkak të dërgohet në Kostandinopojë për t’u pajisur me kulturë muzikore. Shkollat e Kostandinopojës qenë të dëgjuara dhe profesorët ishin njerëz të famshëm. Jan Kukuzeli, pas mbarimit të studimeve, u bë figurë e shquar artistike dhe tërhoqi vëmendjen e perandorit. Kështu shumë shpejt ai mori titullin e domestikut dhe u emërua drejtues i ceremonive festive të pallatit. Nuk dihet se sa kohë qëndroi Kukuzeli në këtë detyrë, sepse më vonë atë e gjejmë në Athos. Një mëngjes të bukur ai zbriti nga një anije dhe u paraqit në manastirin e “Lavrës së Madhe”. Takoi igumenin dhe kërkoi që të pranohej murg rishtar. Kërkesa iu pranua dhe si detyrë prove iu caktua të kulloste cjeptë e manastirit. Një ditë, ndërsa kulloste cjeptë e manastirit, ai ja nisi këngës. Këndoi me aq pasion e dashuri sikur dëshironte që muzika e tij ta shpërblente për të gjithë kohën e heshtjes. Mirëpo ky akt u bë shkak për zbulimin e tij. Një asket që e kishte dëgjuar, shtangu nga bukuria e të kënduarit dhe lajmëroi të parin e manastirit. Kukuzeli kur u thirr prej igumenit nuk e fshehu se kush ishte. Me ndërmjetësimin e igumenit ai u lejua të qëndronte në “Lavrën e Madhe” ku ju dha një qeli. Në atë qeli të thjeshtë ai kreu gjithë atë punë të madhe për sa i përket artit të muzikës bizantine gjersa vdiq në moshë të kaluar. Joan Kukuzeli shpiku një sistem të ri të muzikës bizantine, i cili quhet “Kukuzelian”. Përparësia e këtij sistemi ishte se Kukuzeli e pasuroi me shumë shenja të reja, të cilat shprehnin më mirë karakterin melodik të himneve dhe tropareve bizantine. Gjithashtu Kukuzeli ka krijuar “sistemin e rrathëve muzikorë”, me anën e së cilit u stabilizua raporti që ekziston ndërmjet katër tingujve kryesorë të muzikës bizantine. Joani ka kompozuar shumë himne bizantine, poliele, qeruvikë etj, duke vënë në përdorim ison e këngës paqadike. Nga librat që u shkruan prej Kukuzelit mund të veçojmë: 1-”Libër që me dëshirën e Perëndisë së shenjtë përmban tërë shërbesat e Kishës, i ndërtuar prej mjeshtrit Jan Kukuzeli”. 2-”Arti i të kënduarit dhe shenjat e këngës bashkë me himrominë dhe kompozimin, bërë prej Mjeshtrit Jan Kukuzeli”. 3-”Tropare për Hyjlindësen”, që përmban poezi të shkruara nga Manuil Rambatia dhe kompozuar prej Jan Kukuzelit. 4-”Kondaqe për gjithë vitin”, këtë libër e ka shkruar Mihal Ananeoti dhe e ka ndrequr Jan Kukuzeli. Dorëshkrimet voluminoze me muzikë bizantine të Kukuzelit gjenden nëpër bibliotekat e Malit të Shenjtë duke e renditur atë ndër radhët e njerëzve të shquar.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Mihal Ekonomi, Jan Kukuzeli, Vegim Drite, Nr 4, qershor 1997, faqe 18-20.
2-Dhimitër Beduli, Jan Kukuzeli nga Durrësi, Ngjallja, nëntor 1992, faqe 15.
3-Marisa & Petrika Trako, Joan Kukuzeli – Mjeshtër i madh i artit muzikor, Tema, 2 gusht 2007, faqe 12.