Joan Teologu

Joan Teologu

(greqisht: Ιωάννης ο Θεολόγος) Joan Teologu ishte nga Betsaida e Galilesë. I biri i Zebedeut dhe i Salomës, e cila ishte bijë e Josifit, burrit të Hyjlindëses. Josifi nga martesa e parë ka pasur katër djem dhe tri vajza. Joani, së bashku me vëllanë e tij Jakovin, po ndihmonte të atin e tij kur u thirr nga Zoti për ta ndjekur pas dhe për t‘u bërë peshkatarë njerëzish. Ai ishte në Kana të Galilesë, kur Krishti e bëri ujin verë. Joani ishte një nga tre nxënësit që Zoti mori me vete në malin Tabor, kur u shpërfytyrua. Gjatë Darkës Mistike ishte ai që pushoi në gjirin e Jesuit. Joani ishte nga natyra i qetë dhe i rreptë, prandaj Krishti e quante Voangjelos, që do të thotë biri i bubullimës. Kur u kryqëzua Zoti, Joani dhe Hyjlindësja qenë të vetmit që qëndruan pranë Kryqit. Ai ishte ndër të parët që vrapoi drej varrit të Jesuit. Joani e mori lajmin e Ngjalljes dhe e pa atë në Galile së bashku me apostujt e tjerë. Pas zbritjes së Shpirtit të Shenjtë, në ditën e Pendikostisë, Joani ka predikuar ungjillin në Jerusalem, Samari dhe në qytetin e Efesit. Efesianët kishin një devocion të madh për perëndeshën Artemisa dhe në mënyrë periodike kremtonin festa për nder të saj. Gjatë njërës prej këtyre festave Joani u ngjit në kodrën ku ishte statuja e madhe e Artemisës. Kur e panë paganët, të tërbuar nga zemërimi filluan t‘i gjuanin me gurë për ta vrarë, por asnjë nga gurët nuk e preku shenjtin. Të gjithë ranë mbi statujë duke u bërë copë e thërrime. Fama e Joanit erdhi deri në vesh të perandorit Domician, i cili dërgoi njerëz që t‘ia sillnin. Perandori vendosi ta internojë në ishullin e Patmos, duke menduar se kështu do ta ulte influencën e shenjtit te njerëzit. Gjatë udhëtimit për në ishull, Joani së bashku me nxënësin e tij Prohorin predikuan ungjillin duke kthyer në besën e Krishtit shumë paganë. Në Patmos rreth viteve 80 ka shkruar ungjillin që mban emrin e tij, ndërsa në vitin 95 ka shkruar Zbulesën. Kur në pushtet erdhi Trajani, Joani u lirua nga internimi dhe shkoi përsëri në Efes, ku kaloi vitet e fundit të jetës duke pasur një vdekje natyrale.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]