Joani i Shkallës
(greqisht: Ιωάννης Κλίμακος ) Joani i Shkallës (525-600). Të dhënat biografike që na kanë mbërritur për oshënar Joanin, shkrimtarin e Shkallës, për fat të keq janë të pakta. Biografia e shkurtër që na la Daniel Refina është më tepër një fjalë solemne se sa një tekst biografik. Atdheu i tij është i panjohur. Disa thonë se prejardhja e tij është nga një vend bregdetar ose nga një ishull. Nga ana kronologjike jeta e tij caktohet nga viti 525-600. Familja e tij me siguri duhet të ishte e pasur, sepse i lejoi të vazhdonte shkollimin në një shkollë të lartë. Në moshën 16- vjeçare Joani asketoi në shkretëtirën e Sinait. Ai kishte shumë dituri dhe për këtë mori emrin skolastik. Joani u drejtua për ngritjen e tij shpirtërore tek Ava Martini. Pas vdekjes së jerondit u tërhoq në një shpellë asketike për 40-vjet. Jeta e shkretëtirës ia ngriti në një shkallë shumë të lartë ineligjencën dhe mençurinë. Për të gjithë murgjit u bë mësuesi i shkretëtirës që shuante çdo etje shpirtërore. Joani fjeti më 30 mars të vitit 600 në moshën 75- vjeçare. Kisha jonë e vendosi në grupin e oshënarëve dhe e përkujton më 30 mars dhe të dielën e katërt të Kreshmëve të Mëdha. Shkrimet: Shkalla e Parajsës, e cila përbëhet prej 30 kapitujsh. Ky është një libër me përmbajtje të thellë shpirtërore dhe asketike. Në kap. 1-23 bën fjalë për ato gjëra, të cilave murgjit duhet t’u shmangen, ndërsa në kap. 24-30 flet për virtytet që duhet të kenë murgjit.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)