KODIKU I 33-TË, I BERATIT
(KALENDAR FETAR VJETOR – SYNOPSION -)
Materiali: Pergamenë.
Përmasat: 20.3 x 15 cm.
Sasia e fletëve: 142.
Teksti: Në një kolonë për faqe, me 24 rreshta secila, me shkronja të tipit të mesëm,
në ngjyrë kafe të çelët. Inicialet dhe titujt janë në ngjyrë të kuqërremtë, me shkronja kapitale.
Kapakët: Janë të rinj, të vënë nga arkivistët. Kapakët e vjetër nuk janë ruajtur.
Datimi: Duke u mbështetur në grafinë e bukur, duhet t’i atribuohet shekullit të 12-të
deri në shekullin e 13-të.
Kodiku është një farë kalendari kishtar, që përmban festat për çdo ditë të 12 muajve të vitit.
Kur festat janë të rëndësishme, ka dhe udhëzime se çfarë këndohet e lexohet në ditët e tyre.
Synopsi i tyre tregon dhe çfarë lexohet e këndohet gjatë kreshmëve deri të shtunën e madhe.
Kjo lëndë gjendet në librin kishtar që e quajnë „triodh“.
Zbukurime artistike: Në fletën 18 kodiku ka një vinjetë të pikturuar në formë shiriti të ngushtë,
gërshetuar me një kordon të bardhë, mbi sfond të kuqërremtë. Një vinjetë e tillë ruhet dhe në
fletën 45, dhe një e tretë në fletën 74 verso. Kurse në fletën 85 ruhet një vinjetë në formë
shiriti mjaft të gjerë, stolisur prej një linje valëzuese, e cila ka zbukurime të imëta në fushat që
lë bosh. Linja valëzuese, linjat e tjera dhe zbukurimet e vogla janë të bardha, mbi një sfond të
kuqërremtë, ose në ngjyrë kafe të errët.
Dëmtimet: Fleta e parë në gjysmën e sipërme është grisur shumë dhe nxirë, në faqen recto
dhe në faqen verso. Fleta 2 ka gjithashtu grisje në pjesën e poshtme. Kjo grisje ka dëmtuar
tre rreshtat e fundit. Prej fletës 2 deri në fletën 26 pergamena është ngrënë prej insekteve në
pjesën e poshtme, duke mos cënuar rreshtat e shkruar. Fletët e para të kodikut deri tek fleta
e gjashtë kanë pësuar mjaft ndotje. Ndotjet përsëriten dhe bëhen më të rënda sidomos prej
fletës 104 deri në fletën 137, kurse prej fletës 138 deri në fund dorëshkrimi ka pësuar ndotje
të tilla që e kanë zhdukur shumë dhe tekstin.

 

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

 

[cite]