KODIKU I 32-TË, I BERATIT
(VËLLIM PREJ TRE LIBRASH NË DORËSHKRIM)
I pari është psaltir, përmban psalmet e Danidit; dy të tjerëve, duke mos e pasur fillimin, nuk qe
e mundur t’u atribuohet titull. Nga disa pjesë që mund të lexohen duket se përmban pjesë të
ndryshme teologjike, historike e morale, këto të trajtuara në mënyrë teorike. Ka dhënie mendimi
apo gjykimi, që në sllavishten kishtare thuhet “rasudjivanje”, mbi çështje të ndryshme. Libri i
dytë përmban çështje teologjike, nga këto më tepër dogmatike.
Materiali: Letër.
Përmasat: 21.5 x 14.6 cm.
Sasia e fletëve: 384, ku përfshihen dhe shumë fragmente që janë të ngrëna nga
mola. Por edhe pas fletës 384 ka shumë fletë të tjera, të brejtura nga insektet, me të cilat
numri i përgjithshëm i fletëve arrin deri në 407.
Teksti i tre librave është në një kolonë, por secili prej tyre ndryshon në grafi. I pari, që fillon me
fletën 1 shkon deri në fletën 109. I dyti, që përmban psalmet, fillon nga fleta 110 dhe shkon
deri në fletën 195 dhe i treti fillon prej fletës 218 dhe shkon deri në fletën 407.
Kapakët: Prej dërrase dhe mbi të është ngjitur një karton i trashë. Këta janë të dëmtuar
shumë në pjesët anësore (të brejtur nga mola).
Ndërmjet këtyre dy librave të fundit ruhen disa fletë, prej asaj me numër 196 deri në atë me
numrin 217, të cilat ndryshojnë nga tre librat e këtij vëllimi, duke përmbajtur këshilla fetare
morale.
Teksti i librit të parë, si rregull me shkronja të vogla me ngjyrë kafe të errët, herë-herë rezulton
me shkronja në forma të mëdha.
Shkruesi i këtij libri shumë grafemave u jep disa forma të ndryshme, gjë që kërkon të mësohet
mirë leximi në këtë tekst, të njihet alfabeti, që të mund të kuptohet. Veç këtyre ka dhe shumë
fjalë të shkurtuara, me dy ose tre shkronja, ose një shkronjë të vetme, që simbolizon një fjalë,
të cilat mund të lexohen në kontekst, duke u mbështetur në kuptimin e fjalëve të plota ose të
të gjithë frazës. Në këtë tekst janë dhe disa iniciale pak më të mëdha se ato të rëndomtat.
Teksti i librit të tretë është më i vështirë se dy të parët, për arsye të shkrimit me shkronja më
të vogla dhe penës më të trashë. Nganjëherë rezultojnë nga dy–tre fjalë të ngjitura. Në këtë
libër nuk ka as kapituj as iniciale, që të kuptosh se ku fillon një pasos (paragraf) dhe ku nis
zhvillimi i një mendimi tjetër. Ngjyra e grafisë është kafe pak më e çelët se në kodikë të tjerë.
Libri i psalmeve ka një grafi aq të imët, saqë shkronjat përfshihen brenda një milimetri. Bëjnë
përjashtim shkronjat grafikisht më të mëdha siç është “ksi” ose “u” e ndonjë tjetër. Grafia e
psalmeve ka një mjeshtëri të shkëlqyer, për hir të shkronjave të imëta. Faqja e psalmeve,
duke qenë lartësia e fletës 21.2 cm, përfshin 46 rreshta shkrimi. Kjo është grafia me shkronja
të imëta në gjithë literaturën tonë mesjetare.
Libri i psalmeve, në tri fletët e para, ka një hyrje ose një parathënie. Psaltiri fillon me psalmin
e parë “I lumtur është ai njeri“, në fletën 112, dhe mbaron në fletën 194, me psallmin “Çdo
frymë le të lavdërojë Zotin“. Në këtë psaltir psalmet nuk i shohim të jenë ndarë me numra, siç
janë sot, prandaj nuk mund të konstatohet sa psalme përfshihen në këtë libër.
Kodiku në fjalë nuk ka stolisje, përveç grafisë së shkëlqyer të psalmeve.
Në këtë kodik grafinë po ia atribuojmë shekullit të 13-të, ndonëse është e vështirë të jemi të
saktë në datimin e tij.

 

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

 

[cite]