KODIKU I 62-TË, I BERATIT
(TYPIKON – LIBËR LITURGJIE )
Materiali: Letër.
Përmasat: 15.7 x 11.7 cm.
Sasia e fletëve: 264.
Teksti: Në një kolonë.
Kapakët: Prej dërrase, veshur me lëkurë.
Grafia: E tipit të vonë.
Shkrimi: Në ngjyra kafe të errët, kurse shënimet dhe inicialet – të kuqe.
Kodiku është libër shërbese liturgjike, i njohur me emrin tipikon. Është një libër që përmban
rregullore liturgjike, që tregon çfarë teksti prej leximeve dhe këndimeve duhet të përdoret në
shërbimet e kultit për festat e mëdha, të vogla dhe për çdo ditë të rëndomtë të vitit. Kështu,
ata që ishin meshtarë në kishë e përdornin këtë rregullore tipike si udhëzues për përgatitjet
për çdo ditë të vitit. Tipikoni u shërbente për të ditur çfarë duhej të lexonin ose të këndonin.
Ky kodik ka pësuar shumë dëme:
Lëkura e kapakëve është grisur në anën e lidhjes së fashikujve.
Tri fletët e para janë brejtur nga mola.
Prej fletës 40 deri në fletën 63 ka brejtje nga mola në mënyrë vertikale.
Fleta 82 ka pësuar pak djegie në anën e poshtme, duke dëmtuar pak tre rreshta.
Në fletën 243 ka mbetur një fragment i vogël, fleta 244 është grisur, duke lënë vetëm disa
shkronja fillestare të rreshtave; fleta 245 është ngrënë nga mola në mënyrë vertikale, duke e
lënë faqen pa pjesën më të madhe të tekstit. Fleta 246 dhe ajo 247 janë brejtur nga mola,
duke dëmtuar nga katër rreshta në anën e sipërme. Në fletët 249-252 ka mbetur vetëm një
fragment me disa shkronja.
Fletët 253-267 janë brejtur nga mola në mënyrë vertikale, kurse në tri nga këto fletë, tri fletët
e fundit, ruhen vetëm nga dy-tri shkronja.
Tipikoni ndahet sipas muajve të vitit, duke filluar me shtatorin.
Muaji shtator fillon në fletën 18 recto.
Muaji tetor fillon në fletën 34 verso.
Muaji nëntor fillon në fletën 40 verso.
Muaji dhjetor fillon në fletën 49 verso, tek fleta e grisur.
Muaji janar fillon në fletën 61 recto.
Muaji shkurt fillon në fletën 74 verso.
Muaji mars fillon në fletën 78 recto.
Muaji prill fillon në fletën 87 verso.
Muaji maj fillon në fletën 89 verso.
Muaji qershor fillon në fletën 92 recto.
Muaji korrik fillon në fletën 96 recto.
Muaji gusht nuk shquhet, sepse nuk është theksuar fillimi me shkronja të kuqe si në muajt e tjerë.
Në fletën 106 fillon triodhi me të Dielën e Publikanit dhe të Fariseut.
Edhe fillimi i librit të Pesëdhjetores nuk është cilësuar me shkronja të kuqe. Në fletën 182
fillon lista e festave të mëdha të çdo muaji, që vazhdon deri në fletën 185 recto.
Në fletën 185 janë disa shënime rreth librit të tipikonit, të shkruara nga murgu Mark. Në fletën
186 murgu Mark e cilëson veten “jeromonak Marku”, që do të thotë se është dorëzuar dhe
prift. Në tetë fletë janë dhënë udhëzime se si tipikoni ndihmon për përdorimin e teksteve
liturgjike në festat fetare. Fleta 248 verso si dhe fleta 249, janë shkruar nga një dorë tjetër, gjë
që konstatohet nga ndryshimi i grafisë. Fleta 249 është zbehur shumë.
Datimi: Në bazë të grafisë, kodiku duhet t’i atribuohet fundit të shekullit të 14-të dhe mund të
shkojë deri në fillim të shekullit të 15-të.
* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve