KODIKU I 97-TË, I GJIROKASTRËS
(NOMOKANON)
Përmasat: 19.2 x 14 cm.
Sasia e fletëve: Parathënia dhe titujt e përmbajtjes janë deri në fletën 19, kurse teksti
që përmban ligjet ka 296 fletë, gjithsej fletë 315.
Kapakët: Prej kartoni, veshur me lëkurë.
Grafia: E tipit të vonë, në ngjyrë të zezë, titujt në ngjyrë të kuqe.
Në fund të parathënies, faqja 13, ruhet data: viti 1562.
Kodiku ruhet në gjendje të mirë, vetëm se fletët 252-256 janë të shkëputura nga lidhja.
Titujt e parë flasin për gjykatësin, se si ai duhet të jetë i drejtë dhe me sjellje të tillë që të
simpatizohet prej të gjithë njerëzve. Shkruhet mbi drejtësinë dhe se si gjykatësi duhet të jetë
i drejtë. Shkruhet mbi ligjet: ç’janë e drejta dhe ç’është paligjësia. Shkruhet mbi zakone të
popullit, që nuk janë të shkruara. Shkruhet mbi patrikun si kryetar i përgjithshëm i kishës.
Shkruhet mbi hierarkët (peshkopët), detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, si dhe për klerikët e
gradave më të ulëta, si priftërinjtë dhe dhjakonët, mbi detyrat e tyre. Shkruhet mbi klerikët dhe
se kujt i përket t’i gjykojë, si dhe parapamjet e dënimeve që u jepen atyre që kanë shkelur
ligjet. Këto jepen me hollësira për çdo klerik, i çdo grade që të jetë.
Pas këtyre shkruhet mbi të krishterët, detyrat që ata kanë kundrejt kishës, si pagëzimi, marrja
pjesë në shërbimet fetare etj.
Nomokanoni përmban çështje rreth fejesave dhe martesave, prej cilës moshë mund të fejohen
e të martohen të rinjtë. Gjithashtu jepen me hollësi shkallët e gjinisë që kanë njerëzit, në cilën
shkallë gjinie djali dhe vajza mund të martohen.
Në nomokanon përfshihen dhe çështje rreth trashëgimisë e shumë të tjera.
Këto çështje dhe të tjera si këto i përmbajnë gati të gjithë nomokanonet e kishave të ritit lindor.
Ajo që konsiderohet esenciale nga kisha gjendet në të gjitha nomokanonet që përmbahen në
arkivin tonë. Ndryshimi në mes tyre qëndron në faktin se disa nomokanone janë më të vogla,
më të shkurtëra në çështje, disa të tjera janë më të mëdha, duke trajtuar çështje edhe më të
imëta, por janë përpjekur që t’i qëndrojnë frymës së kanoneve të quajtura “të apostujve” dhe
të vendimeve të koncileve të njohura nga Kisha lindore.
Këto shërbejnë për të ditur se populli ynë, përveç kanoneve popullore, ka pasur dhe kanone
kishtare, të cilat shërbenin për të ruajtur traditat e tyre morale.
* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve