Kostandin Kristoforidhi
(greqisht: Κωνσταντίνος Χριστοφορίδης) shqiptar ortodoks Kostandin Kristoforidhi (1827- 1895) ka lindur në Elbasan në vitin 1827. Shkollën e mesme e kreu në Gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Gjatë viteve 1847-1850 Kristoforidhi i mësoi gjuhën shqipe albanologut Hahn, i cili ishte konsull i Austrisë në Janinë. Vite më vonë Hahni me ndihmën e Kristoforidhit zbuloi shkrimet e Dhaskal Todrit. Bashkëpunoi me Hahnin, i cili botoi më 1854 në Vjenë veprën “Studime shqiptare” (Albanische Studien). Më pas Kostandini studioi në kolegjin protestant të Maltës. Në vitin 1869 përktheu, me porosi të Shoqatës Biblike Britanike, Dhiatën e Re në dialektin gegë dhe më 1897 e botoi atë në Stamboll sipas dialektit toskë. Kristoforidhi përktheu edhe disa nga librat e Dhiatës së Vjetër. Në vitin 1872 botoi Psalltirin dhe në vitet 1880-1884 botoi “Të bërët”, “Të dalët”, “Nomi i dytë”, “Fjalë të Urta” dhe “Isaia” në toskërisht. Përkthimet e Kristoforidhit dallohen nga pastërtia dhe saktësia e përdorimit të gjuhës shqipe. Teksti i Dhiatës së Re, i botuar për herë të parë në vitin 1879 në dialektin toskë, dhe i ribotuar në vitet 1911 dhe 1930, përdoret ende edhe sot në Kishën Ortodokse. Për edukimin fetar të fëmijëve ortodoksë K. Kristoforidhi përktheu përveç Biblës edhe tekste fetare shkollore si “Historia e Shkronjës së Shenjtëruar” dhe “Katër katekizmat”. Veprat shkencore shumë të rëndësishme për gjuhën shqipë janë “Gramatika” (1882) dhe “Fjalori i Gjuhës shqipe”, i cili mundi ta shohë dritën e botimit në vitin 1904 në Athinë. Të gjitha përkthimet e tij shquhen nga pastërtia dhe përdorimi i shkëlqyeshëm i gjuhës shqipe. Gjithë jetën e tij ia kushtoi predikimeve të fjalës së shenjtë, të Ungjillit, i frymëzuar prej idealit të bekuar të shqiptarizmit. Kostandin Kristoforidhi vdiq më 24 shkurt 1895 në qytetin e lindjes në Elbasan. Për të nderuar veprën e madhe të këtij dijetari dhe atdhetari të shquar, Kisha Ortodokse në vitin 1934 i ngriti një bust, i cili është sot në Kishën e Shën Marisë në Elbasan.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Mitropoliti i Korçës Joani, Një vështim i shkurtër mbi përkthimet fetare në kishën orthodhokse, Ngjallja, mars 1999, faqe 7,8