Kostandini i Madh

Kostandini i Madh

(greqisht: Μέγας Κωνσταντίνος) shqiptar ortodoks Kostandini i Madh ka lindur më 27 shkurt të vitit 272, nga një familje fisnike iliriane në Naissus të Dardanisë (Nishi i sotëm). I ati i tij Kostanti, në kohën e Dioklecianit ishte njëri prej dy Çezarëve, që mbretëronte Galinë, Britaninë e Madhe dhe Spanjën. Prindërit e tij, Kostant Klori dhe Helena qenë paganë. E ëma ishte provinciale nga qyteti Drepanum. Në vitin 293 Diokleciani e emëroi Kostant Klorin në postin e Çezarit, prandaj e detyroi që të divorcohej me Helenën, me pretekstin se martesa e oficerëve të lartë me gra provinciale nuk ishte e lejuar. Kostanti martohet me Teodorën, të bijën e Maksimilianit dhe Kostandini u dërgua të edukohej në oborrin e Dioklecianit. Në fakt atje mbahej si peng. Mbas vdekjes së Dioklecianit dhe Maksimilianit, dy Çezarët, Galeri dhe Konstant Klori, u ngritën në shkallën e Augustëve. Në vitin 305 Kostandini kthehet te babai i tij. Pas një viti më 25 korrik 306 i vdes babai, dhe Kostandini shpallet August (perandor) nga ushtria, e cila përbëhej kryesisht nga ilirë (306). Ndërkohë Galeri, i cili e konsideronte veten si perandori i parë, kishte caktuar dy Çezarë: Maksimilian Daian për Lindjen dhe Severin për Perëndimin, me kryeqytet Romën. Severi u përmbys nga një kryengritje e gardës pretoriane dhe u zëvendësua nga Maksenti, i biri i Maksimilianit. Maksenti hyri shpejt në konflikt me babanë e tij dhe Maksimiliani gjeti strehë te Kostandini, duke i dhënë për grua të bijën Faustën. Martesa e tyre u bë në Arles të Galisë. Maksimiliani duke bashkëpunuar me të bijën, thuri një komplot ndaj Kostandinit. Komploti u zbulua dhe Maksimiliani u dënua në vitin 310. Galeri, i informuar për ngjarjet që turbullonin perandorinë e Perëndimit, caktoi perandor Liçinin. Kostandini në vitin 311 bashkohet me Liçinin dhe niset drejt Romës, në luftë me Maksentin. Pasi kapërceu alpet në shtator të vitit 312, ai pushtoi me lehtësi qytetet e Italisë së Veriut dhe mbërriti në rrethinat e Romës, ku Maksenti kishte përqendruar forca të mëdha ushtarake. Përpara betejës, teksa po vështronte hordhitë armike, tek ura e Milviut, ndonëse ishte mesditë, Kostandini pa një vegim. Në qiell u shfaq një kryq, rreth të cilit ishte shkruar EN TOYTO NIKA (me këtë do të fitosh). Eusebio i Qezaresë na thotë se po atë natë iu shfaq Krishti në ëndërr dhe e urdhëroi të bënte një kryq të ngjashëm me atë që kishte parë në vegim dhe ta vendoste në flamurët që paraprinin ushtrinë, në vend të shqiponjave perandorake. Shenja e fitores shkëlqeu përsëri në qiell dhe Kostandini besoi me gjithë shpirt tek Jesu Krishti. Me betejën vendimtare të Milviut, më 28 tetor të vitit 312, ishte Kryqi që i dha fitoren. Kostandini bëri një hyrje triumfale në Romë duke falenderuar Perëndinë. Ai urdhëroi që në monumentet kryesore të qytetit të vihej Shenja e Kryqit. Gjithashtu u ngrit edhe një statujë e perandorit, e cila e paraqiste atë duke mbajtur Kryqin në dorë, si shenjë e fitores dhe emblemë e autoritetit të tij që e kishte marrë nga Krishti. Në vitet e mbretërimit të Kostandinit të Madh të krishterët filluan të ushtronin lirshëm besimin e tyre. Konstandini u takua me Liçinin në Milano dhe në vitin 313 të dy perandorët nxorën një dekret, me të cilin u jepej liria të krishterëve që të praktikonin lirisht besimin e tyre nëpër gjithë perandorinë. Çdo paragraf i Ediktit të Milanos ishte i frymëzuar nga parimet e barazisë dhe të tolerancës fetare.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Costantino il Grande, Le Radici, Anno 5, numero 5, Novembre 2007, pagina 1.

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]