Krisht
(greqisht: Χριστός ) Krisht është titull që do të thotë “lyej me miro” ose “i lyeri”. Në hebraisht ai që është “i lyer” quhej “Meshiah” dhe grekët e përkthyen në “Mesia”. Misteri i lyerjes ka qenë që në kohët e hershme. Kryeprifti Haroni përgatiti një vaj dhe pasi u lye me të u quajt “krisht”, madje edhe “krisht Zoti”, sepse vaji ishte porositur nga Perëndia. Më pas u lyen edhe pasardhësit e tij. Gjithashtu me vaj lyheshin edhe mbretërit si Sauli, (Libri I i Samuelit 10,1) Davidi etj. Në rast se vaji u kullonte nga hunda, atëhere quheshin krisht. Por edhe profetët lyheshin me miro dhe quheshin “krisht”. Pra kemi emrin krisht për Kryepriftin, Mbretin dhe Profetin, por këta ishin krishti me “k” të vogël, sepse hebrenjtë prisnin atë Krisht, i cili do t’i shpëtonte. Këtë e ka profetizuar Davidi:”Unë jam krishti, por një pasardhësi im do të jetë Krishti që do të shpëtojë”. Hebrenjtë prisnin me padurim Krishtin, ardhjen e tij e profetizon aq bukur Davidi në psallmet kristologjike: “Unë u leva me vaj si të gjithë mbretërit, kurse ti o Krishti im do të lyhesh me vaj nga vetë Perëndia dhe ky vaj do të jetë Shpirti i Shenjtë”. Për lyerjen e Krishtit flet ungjillori Luka 4,18.Ardhjen e Krishtit e prisnin të gjithë, madje profetët kishin profetizuar se si do kryqëzohej, do të pësonte dhe do të shkonte drejt vdekjes si një qengj i pafajshëm, do të ngjallej etj. Në gjuhën hebraike nuk ekziston folja jam, prandaj kur hebrenjtë donin të thonin “ky është Krishti” përdornin “Jezu Krishti”. Me këtë donin të thonin se Jezui është Krishti. Kur thonin Jezu nënkuptonin një person dhe kur thonin Krisht nënkuptonin Perëndinë.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)