Kungimi
Kungimi është misteri më i shenjtëruar, nëpërmjet të cilit besimtarët kungohen me bukën që është trupi i Krishtit dhe verën që është gjaku i Tij. Kungimi na jepet për faljen e mëkateve dhe trashëgimin e jetës së përjetshme. Këtë mister, për herë të parë e kreu vetë Krishti gjatë Darkës Mistike. Apostull Pavli, e shpjegon kështu mënyrën me të cilën Zoti e ofroi këtë mister të madh: “Sepse unë mora nga Zoti atë që ju transmetova edhe juve; se Zoti Jisu, në atë natë që po tradhëtohej, mori bukën dhe si falenderoi, e theu dhe tha: “Merrni, hani, ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim”. Gjithashtu pas darkës mori edhe kupën, duke thënë: “Kjo kupë është Besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim”. Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë” (Letra I Korintasve 11, 23-26). Kisha jonë e Shenjtë e mori këtë mister të madh nga apostujt dhe e vazhdon me anë të episkopëve dhe priftërinjve. Gjatë Liturgjisë Hyjnore shenjtërohet buka dhe vera, pra dhuratat e çmuara, të cilat nëpërmjet uratave të posaçme me anë të hirit të Shpirtit të Shenjtë transformohen në Trup dhe Gjak të Krishtit. Ata që kungohen marrin Trupin dhe Gjakun e Krishtit. Qëllimi i këtij misteri është që besimtarët ta ruajnë të gjallë kujtimin e vdekjes së Zotit.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)