11. LETËRSIA NËN REGJIMIN E ENVER HOXHËS
(1944-1985) DHE DALJA NGA IZOLIMI

11.1 Kushtet politike dhe historike
Më 28 nëntor 1944 forcat fitimtare komuniste nën komandën e Enver Hoxhës (1908-
1985) hynë në Tiranë, ku dhe vendosën selinë e Qeverisë Demokratike të Shqipërisë.
Trembëdhjetë muaj më pas, më 11 janar 1946, u shpall zyrtarisht Republika Popullore e
Shqipërisë, kurse më 14 mars të atij viti hyri në fuqi një kushtetutë e modelit sovjetik, që
ndryshoi rrjedhën e historisë shqiptare.
Rrënjët e komunizmit shqiptar duhen kërkuar në fund të viteve njëzet. Grupe
mërgimtarësh, ndër ta edhe shkrimtari e politikani Fan Noli (1882-1965), kishin ngritur një
Komitet Nacional Revolucionar (KONARE) në Vjenë për t’iu kundërvënë diktatorit Ahmet
Zogu (1895-1961), i cili pati marrë pushtetin në dhjetor 1924. Ky komitet vendosi lidhje me
Internacionalen Komuniste (Komintern) në Moskë, nga edhe mori mbështetje financiare. Ndër
figurat e para të lëvizjes komuniste shqiptare ka qenë Ali Kelmendi (1900-1939), i shkolluar në
Bashkimin Sovjetik, i cili u kthye në Shqipëri më 1930 për të organizuar celula komuniste në
Korçë, Tiranë e gjetiu. Përpjekja e tij për t’i bashkuar këto grupe nuk u arrit plotësisht, dhe kjo
për shkak të grindjeve midis fraksioneve. Më 1941, komunistët jugosllavë të udhëhequr nga
Josip Broz Tito (1892-1980) ngarkuan dy emisarë, Dushan Mugoshën (1914-1973) dhe Miladin
Popoviqin (1910-1945), për t’i bashkuar grupet e ndryshme ilegale në luftën e përbashkët
kundër pushtuesve fashistë. Partia Komuniste Shqiptare, e krijuar më 8 nëntor 1941, u rrit
vrullshëm gjatë viteve të pushtimit italian e gjerman dhe doli fitimtare në luftën e përgjakshme
civile me rivalin e vet, organizatën e rezistencës Balli Kombëtar. Sekretari i Përgjithshëm i
kësaj partie të re ishte ambiciozi Enver Hoxha nga grupi i Korçës, i cili kishte fituar mjaft
përvojë në përballimin e intrigave të vazhdueshme dhe grindjeve fraksioniste për ta bashkuar
partinë në një lëvizje të fuqishme.
Me të filluar punën, qeveria e re mori masa të menjëhershme për të fuqizuar pushtetin.
Në janar 1945 në Tiranë u ngrit një gjykatë speciale e kryesuar nga Koçi Xoxe (1917-1949),
ministri i ri i brendshëm nga Korça, për të gjykuar ‘kriminelët kryesorë të luftës’. Kjo gjykatë
zhvilloi disa gjyqe spektakolare që zgjatën për muaj të tërë, në të cilët qindra kundërshtarë të
vërtetë apo të dyshimtë të regjimit u dënuan me vdekje ose me afate të gjata burgimi. Me anë të
një tatimi të posaçëm, u konfiskuan prona dhe pasuri private, duke eliminuar kështu klasën e
mesme, kurse industria u shtetëzua. Në gusht 1945 filloi një reformë agrare rrënjësore, që në të
vërtetë fshiu e zhduku të gjithë klasën e çifligarëve, e cila e kishte sunduar vendin që nga
shpallja e pavarësisë më 1912. Në të njëjtën kohë, u bënë përpjekjet e para për të luftuar
analfabetizmin, i cili mbante nën hijen e vet të errët 80% të popullsisë. Përveç ekonomisë së
shkatërruar dhe revoltave antikomuniste në disa pjesë të vendit, regjimit të ri iu desh të përballej
edhe me një varg problemesh të mëdha të politikës së jashtme. Greqia e quante veten ende në
gjendje lufte me Shqipërinë, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara ishin keqësuar menjëherë,
kurse lidhjet me Britaninë e Madhe u bënë shumë të ndera pas të ashtuquajturit incident të
Kanalit të Korfuzit61, ku një destrojer britanik u hodh në erë nga një minë në bregdetin shqiptar.
Edhe marrëdhëniet me Jugosllavinë fqinje arritën në një fazë të pasigurtë lidhur me çështjen e Kosovës. Kur gjermanët u tërhoqën nga Shqipëria veriore në fund të vitit 1944,
Kosova, e cila kishte qenë ribashkuar me Shqipërinë disa vjet më parë, u mor nga partizanët
jugosllavë. Atje u kryen masakra të fshehta kundër popullsisë shqiptare, që akuzohej për
bashkëpunim me gjermanët. Problemi i Kosovës në fillim do të zgjidhej sipas parimit të
vetëvendosjes, d.m.th. me plebishit, por Titoja, duke e kuptuar se kurrë nuk do të fitonte
përkrahjen e nacionalistëve serbë, i bindi udhëheqësit komunistë shqiptarë më 1943 që të mos
kishin më shpresë te zbatimi i ‘një zgjidhjeje marksiste’. Një ide e propozuar si zgjidhje për
problemin shqetësues të Kosovës qe bashkimi i Jugosllavisë dhe Shqipërisë në një shtet të
vetëm.
Udhëheqja komuniste në Shqipëri, pak kohë pasi mori pushtetin, qe e ndarë në dy
kampe. Njëra palë, e përfaqësuar nga poeti Sejfulla Malëshova (1900-1971), i ngarkuar me
punët e kulturës, mbronte tezën se Shqipëria duhet të zhvillonte një politikë të jashtme të
pavarur, duke mbajtur lidhje si me Lindjen edhe me Perëndimin, dhe një politikë të brendshme
më të moderuar për të nxitur ripajtimin kombëtar. Fraksioni projugosllav, i kryesuar nga
ministri i brendshëm Koçi Xoxe, ishte për lidhje më të ngushta me Jugosllavinë dhe Bashkimin
Sovjetik, dhe ngulte këmbë për një politikë ekonomike e sociale më radikale e të bashkërenduar
me atë politikë që ndiqej në Beograd. Fituan Xoxe dhe këshilltarët e tij jugosllavë, dhe në
shkurt 1946 Malëshova u përjashtua nga Byroja Politik dhe u dënua si ‘oportunist i djathtë’.
Vetë Enver Hoxha duket se ka mbajtur një qëndrim taktikisht të vakët, duke mbetur në hije e
duke pritur rastin për të eliminuar kundërshtarët e tij njëherë e mirë. Marrëdhëniet me Britaninë
e Madhe e me Shtetet e Bashkuara u ndërprenë në korrik 1946, dhe Enver Hoxha nënshkroi një
Traktat Miqësie, Bashkëpunimi e Ndihme Reciproke gjatë vizitës në Beograd, si hap i parë drejt
bashkimit të të dy vendeve. Serbokroatishtja u përfshi në programin e të gjitha shkollave
shqiptare si gjuhë e huaj e detyrueshme, kurse këshilltarët jugosllavë zunë pikat kyçe në qeveri
e në çështjet ekonomike. Shqipëria do të mbetej kështu një koloni e vërtetë jugosllave deri më
1948. Gjatë kësaj periudhe, ministri i brendshëm Koçi Xoxe shfrytëzoi krejt pushtetin e vet mbi
aparatin e policisë e të sigurimit për të eliminuar të gjithë armiqtë dhe rivalët e mundshëm. Këto
gjueti shtrigash, që në historinë zyrtare të partisë cilësohen si periudhë e Koçi-Xoxes,
përfunduan me ekzekutim apo burgosje të figurave politike por edhe të shumë shkrimtarëve apo
intelektualëve të talentuar. Letërsia dhe kultura shqiptare u goditën rëndë.
Grindja midis Titos dhe Stalinit më 1948 i siguroi Enver Hoxhës aleatin sovjetik me
mbështetjen e të cilit tani do të ruante pozitën e vet e do t’ia dilte pas pak kohe të eliminonte
rivalët. Shqipëria u bë i pari vend i Evropës Lindore që denoncoi Jugosllavinë pas përjashtimit
të saj nga Kominformi, d.m.th nga blloku sovjetik, më 17 qershor 1948, dhe të gjithë
këshilltarët jugosllavë u dëbuan menjëherë nga vendi. Kështu hyri Shqipëria në vathën
sovjetike.
Seria e gjyqeve spektakolare dhe e spastrimeve që pasuan, qe e ngjashme me ato që
ndodhën edhe në vendet e tjera të Evropës Lindore në fund të viteve dyzet e në fillim të viteve
pesëdhjetë. Në kongresin e saj të parë më 8-22 nëntor 1948, Partia Komuniste e Shqipërisë
ndërroi emër e u quajt Partia e Punës e Shqipërisë. Sundimi me terror i Koçi Xoxes mori fund,
kur u dënua për tradhëti në maj 1949 e u ekzekutua më 10 qershor të atij viti.
Aleanca e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik pati disa epërsi. Sovjetët ofruan më shumë
ndihmë ekonomike e ushqimore për të zëvendësuar humbjet e shkaktuara nga ndërprerja e
ndihmës jugosllave. Po ashtu erdhi edhe ndihma ushtarake për t’u mbrojtur si nga Jugosllavia
fqinje ashtu edhe nga Perëndimi në një kohë kur Lufta e Ftohtë arriti kulmin. Meqë Shqipëria
nuk kishte kufi të përbashkët me Bashkimin Sovjetik, nuk kishte ndonjë rrezik të afërt për
aneksim politik të drejtpërdrejtë, se udhëheqja shqiptare u tregua në shumë anë e kujdesshme
për të ruajtur zyrtarisht pavarësinë e vendit.
E përfshirë në sferën sovjetike, Shqipëria hyri në një periudhë izolimi të thellë nga pjesa tjetër e botës. ‘Ndërtojmë socializmin duke mbajtur në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën
pushkën’ ishte parulla e përhapur nga Partia për të krijuar një mendësi rrethimi, që do të mbyste
çdo kundërshtim. Me vitin 1955 Shqipëria ishte bërë shembull i një shteti stalinist, me modele
sovjetike të kopjuara e të përshtatura për çdo fushë të jetës shqiptare.
Mirëpo kur Nikita Hrushçovi (1894-1971) denoncoi krimet dhe kultin e individit të
Stalinit në një raport të fshehtë para Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste Sovjetike në shkurt
1956, Enver Hoxha e dënoi revizionizmin. Pas disa manovrimeve politike dinake e të egra, ai
ia doli mbanë të kapërcejë kritikat kundër politikës së tij staliniste e të mbajë pushtetin. Kurse
ngjarjet në Hungari dhe Poloni e bindën se Hrushçovi përfaqësonte rrezikun më të madh për
sovranitetin e Shqipërisë e për pushtetin e tij. Dallimet ideologjike midis dy partive dhe orvatjet
e Hrushçovit për t’u marrë vesh me renegatin Tito shpunë në fillim në një çarje politike në
marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, çarje që u thellua mjaft në vitet e ardhshme me gjithë
varësinë e skajshme të Shqipërisë nga ndihmat dhe dërgesat ushqimore sovjetike. Në
Konferencën e tetëdhjetë e një partive komuniste të mbajtur në Moskë në nëntor 1960, Enver
Hoxha qe i patundur në mendimin për të mos i dënuar komunistët kinezë nën udhëheqjen e Mao
Ce Dunit (1893-1976) dhe, në një fjalim të hapur e të pazakontë, sulmoi Hrushçovin për
shmangie nga marksizëm-leninizmi. Marrëdhëniet midis dy partive u tejkeqësuan me shpejtësi
deri në atë pikë sa në mars 1961 Hrushçovi pezulloi dërgesat ushqimore për Shqipërinë, aq të
domosdoshme e të ngutshme për popullsinë atë vit. Në dhjetor 1961 Bashkimi Sovjetik prishi
marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, kurse Enver Hoxha, në kërkim të një mbrojtësi të ri,
ktheu sytë nga Lindja e Largët.
Aleanca kino-shqiptare, e cila do të zgjaste nga 1961 deri në korrik 1978, e radikalizoi
jetën politike, ekonomike e sociale në Shqipëri dhe e izoloi vendin edhe më shumë nga Evropa
dhe nga pjesa tjetër e botës. Kina e ndihmoi shumë Shqipërinë për zhvillimin e saj, veç të
tjerash me mallra dhe kredi me interes të ulët, por kjo ndihmë nuk doli e mjaftueshme për të
nxitur rritjen ekonomike. Për të shuar valën e pakënaqësisë së popullit nga sundimi i tij, Enver
Hoxha përdori taktikën e tij të zakonshme të kundërsulmit, duke filluar një fushatë të modelit
kinez në fund të vitit 1965 për ‘të revolucionarizuar të gjitha aspektet e jetës së vendit’, fushatë
që përkoi me Revolucionin Kulturor në Kinë. Një politikë kulturore revolucionare e re, e
paraqitur në publik në tetor 1965 nga kryeideologu për çështjet kulturore, Ramiz Alia (l. 1925),
kërkonte me vendosmëri shkëputjen e kulturës shqiptare nga të gjitha ndikimet e huaja. Tani,
roli i letërsisë dhe arteve ishte që të imunizonte njerëzit përballë të gjitha prirjeve borgjeze e
revizioniste, ngado që ato mund të vinin. Shkrimtarët duhet t’i përqëndronin energjitë e tyre në
tema kombëtare si ajo e lëvizjes partizane dhe e ndërtimit të socializmit. Në praktikë kjo
politikë shpuri në ndalimin e librave dhe filmave të huaj dhe në mbytjen edhe të asaj pak lirie
intelektuale që ekzistonte ende në vend. Në përgjigje të letrës së hapur të Enver Hoxhës më
4 mars 1966, mijra punonjës të mendjes, ndër ta shumë shkrimtarë e artistë, ‘dolën vullnetarë’
për të vajtur në fshat e për të punuar tokën bashkë me fshatarët. Optimist pas fitores 99,99% të
kandidatëve të Partisë në zgjedhjet e përgjithshme në korrik 1966, Kongresi i Pestë i Partisë, i
mbajtur në nëntor të atij viti, orientoi që të intensifikohej më tej ‘lufta e klasave’, duke e bërë të
detyrueshme për të gjithë punën fizike në sektorët prodhues të ekonomisë. Parulla e ditës ishte
‘Të mendojmë, të punojmë e të jetojmë si revolucionarë’.
Në një fjalim më 6 shkurt 1967 Enver Hoxha nxiti hapjen e një fushate kundër fesë, që
përbënte njërin nga elementet e fundit të mbetur nga tradita. Brenda pak muajsh u mbyllën të
gjitha xhamitë, kishat dhe teqetë bektashiane, shumica duke u shembur ose rikonstruktuar për
t’u përdorur si salla kinemaje, pallate sporti (Katedralja Katolike e Shkodrës) apo depo.
Shqipëria u shpall i pari shtet ateist në botë. Kjo, e ashtuquajtura dëshirë spontane e rinisë, jo
vetëm e zhveshi Shqipërinë nga shumë tradita kulturore të saj, por edhe nga mjaft monumente
të arkitekturës dhe të kulturës kombëtare. Fushata për çrrënjosjen e fesë, e zhvilluar me zellin e entuziazmin fetar të një kryqëzate, përbënte një akt të paparë vetëvrasjeje kulturore.
Monumente kulture u fshinë nga faqja e dheut, ikona e libra të rrallë u dogjën, dorëshkrime të
vjetra u lanë të kalben. Gjithçka sadopak e lidhur me fenë u bë tabu për dy dhjetëvjeçarët që
pasuan. Në të njëjtën kohë sistemi arsimor u reformua rrënjësisht për ta pastruar nga ndikimet
sovjetike. Rradhët e ushtrisë u spastruan dhe atë e morën në dorë komisarët e partisë.
Periudha revolucionare, që nisi më 1965 dhe zgjati deri në mesin e vitit 1969, përfundoi
me ftohjen e marrëdhënieve me Kinën. Pas pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë më 1968, që
solli edhe tërheqjen përfundimtare të Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, udhëheqja kineze u
mundua të përmirësonte marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe Rumaninë me qëllim që të
dobësonte Bashkimin Sovjetik në Ballkan. Enver Hoxha nga ana e tij e kuptoi se aleanca me
Kinën qe e pamjaftueshme për ta mbrojtur vendin nga kërcënimi ushtarak sovjetik. Në vitin
1971 ai po i lëshonte sinjale të matura Perëndimit, kurse vetë normalizoi marrëdhëniet
diplomatike me Jugosllavinë dhe Greqinë fqinje. Në fillim të viteve shtatëdhjetë, politika kineze
ndryshoi rrënjësisht kur e braktisi izolimin. Kontradiktat ideologjike me udhëheqjen shqiptare
arritën kulmin kur presidenti i SHBA Riçard Nikson (1913-1994) vizitoi Pekinin në shkurt
1972. Enver Hoxha e dënoi përsëri revizionizmin. Me gjithë marrëdhëniet e jashtme të turbullta
të Shqipërisë, pas revolucionit kulturor shqiptar brenda vendit mbizotëroi një periudhë e
shkurtër qetësie, ndonëse jo e vërtetë. Pas disa vjetësh vetëmohimi e turbullire, populli ishte i
mërzitur e i zemëruar, kurse intelektualët më të shqetësuar se kurrë.
Megjithëse Partia vazhdonte t’i binte avazit të rrezikut të ndikimeve borgjeze, në rrugët
e Tiranës po dukeshin modat perëndimore të veshjes, si dhe një pasqyrim i zbehtë i
ndryshimeve sociale që po ndodhnin në Perëndim. Shihje të mbaheshin pantallona të tipit
perëndimor, flokë të gjatë e në ndonjë rast funde të shkurtër, kurse programet me muzikë
perëndimore të radiostacioneve italiane po dëgjoheshin gjithnjë e më shumë. Në Plenumin e
katërt të Komitetit Qendror më 26-28 qershor 1973, Enver Hoxha ndërmori përsëri ofensivën
dhe paraqiti një raport që sot mund të quhet si klasik në analet e obskurantizmit evropian: Të
thellojmë luftën ideologjike kundër shfaqjeve të huaja e qëndrimeve liberale ndaj tyre.62 Si
shkak në këtë luftë të re të Hoxhës për të mbajtur pushtetin shërbeu Festivali i 11-të i Këngës
më 25 dhjetor 1972, ndonëse ishte krejt i padëmshëm. Protagonistë të së ashtuquajturës lëvizje
liberale, nëse vërtet ka pasur të tillë, qenë dramaturgu Fadil Paçrami (l. 1922), sekretar i
partisë për çështjet ideologjike të Komitetit të Partisë së Tiranës, dhe Todi Lubonja63 (l. 1923),
drejtor i Radiotelevizionit, të cilët shërbyen si ‘koka turku’ për të trembur shkrimtarët e artistët
e për t’i pasur ata pas vetes, dhe për pasojë gjithë vendin. Për ta u tha se kishin nxitur që ide e
ndikime dekadente perëndimore të depërtonin në kulturën shqiptare. Lëvizja liberale u shtyp
menjëherë, kurse dy figurat kryesore të saj u dënuan pa mëshirë për mëkatet e tyre si deviatorë
dhe armiq të popullit. Todi Lubonja, i akuzuar për pikëpamje dhe shije estetike liberaloportuniste
të theksuara, u dënua më 27 korrik 1974 me pesëmbëdhjetë vjet burg. Pas
trembëdhjetë vjetësh në burgun famëkeq të Burrelit, ai u lirua në qershor 1987 dhe u internua
në fshatin Malecaj (rrethi i Lezhës) para se kalvari i tij të merrte fund. Fadil Paçrami, nga ana
e tij, u lirua më në fund nga burgu i Kosovës së Madhe afër Elbasanit më 17 mars 1991, dy javë
përpara zgjedhjeve të para pluraliste.
Ajo çka ndodhi nga viti 1973 deri të paktën më 1975 qe mbretërimi i terrorit kundër
shkrimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë, që mund të krahasohet edhe me spastrimet staliniste
të viteve 1930. Këto vite qenë një hap i madh prapa për zhvillimin e letërsisë dhe kulturës
shqiptare. Në pranverë 1973 njëqind e tridhjetë shkrimtarë e artistë shpallën se po largoheshin nga qytetet për të punuar në ara e kantiere ndërtimi me qëllim që të forconin lidhjet e tyre me
masat punonjëse. Poetë e prozatorë hynë në garë mes tyre duke dëshmuar një zell revolucionar
dhe duke hedhur poshtë ndikimet e huaja e liberale. Ata që qenë më pak bindës ose me botime
të prekura nga liberalizmi u dërguan në zona të largëta ose u burgosën. Më fatlumët humbën
vetëm të drejtën e botimit. Pothuaj të gjithë shkrimtarët kryesorë e patën nga një vepër të hequr
nga qarkullimi e ‘të kthyer në karton’. Mësimi i gjuhëve të huaja në thelb qe ndaluar, kurse ata
që kishin fatkeqësinë të dinin frëngjisht apo italisht u gjendën në pozitë të palakmueshme. Edhe
piktorë të tillë si Maks Velo (l. 1935), Edison Gjergo (l. 1938) dhe Ali Oseku (l. 1944) u
demaskuan në Plenumin e Katërt e u dërguan në burgje e kampe përqëndrimi, si në burgun
famëkeq të minierës së bakrit në Spaç. Ata u dënuan për krimin e agjitacionit e të propagandës
sepse kishin shprehur një farë interesimi për Pablo Pikason, Salvador Dalin apo Maks Ernstin.
Në vitet më pas, vazhduan një radhë spastrimesh dukë përfshirë të gjithë sektorët e tjerë
të shoqërisë, tërë popullsinë, në një atmosferë hutimi e pasigurie. Në tetor 1974, Beqir Balluku
(1917-1975), ministër i mbrojtjes që më 1953, u spastrua bashkë me Petrit Dumen, shefin e
shtabit, dhe Hito Çakon, drejtor i drejtorisë politike të ushtrisë, kurse një vit më vonë Abdyl
Këllezi (1919-1977), kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, Koço Theodhosi (1913-1977),
ministër i industrisë dhe i minierave, dhe Kiço Ngjela (l. 1920), ministër i tregtisë, u shkarkuan
nga funksionet dhe u dënuan pa mëshirë.
Kontradiktat ideologjike që kishin lindur me kinezët shpunë në fundin e aleancës kinoshqiptare
më 1978. Tani Shqipëria qe e izoluar nga e gjithë bota, një ishull revolucioni në detin
e revizionizmit.
Vdekja misterioze më 17 dhjetor 1981 e rivalit të Hoxhës, Mehmet Shehu (1913-1981),
i cili ishte në krye të aparatit ushtarak dhe aparatit të tmerrshëm të Sigurimit, si dhe përgjegjës
kryesor për tmerrin, solli një tjetër fshesë spastrimi në qeveri e në parti. Në nëntor 1982, Hoxha
i moshuar, në një nga deklaratat publike më qesharake të lëshuara ndonjëherë nga një tiran i
regjur, shpalli para botës së shtangur se aleati më i ngushtë i dikurshëm i tij, Mehmet Shehu,
kishte pasë punuar si agjent i huaj njëkohësisht për amerikanët, anglezët, sovjetikët dhe
jugosllavët dhe, përballë akteve të poshtra të tij, kishte vendosur të vriste veten. Është e tepërt
të themi se, deri pas vdekjes së Hoxhës, nuk është bërë asnjë orvatje për të devijuar nga kursi
ideologjik i caktuar nga partia.
Me vdekjen e Enver Hoxhës më 11 prill 1985, fuqia politike i takoi pasardhësit të tij
Ramiz Alia (l. 1925) nga Shkodra, i cili e sundoi vendin me dorë pak më të butë, ndonëse pa
bërë ndonjë ndryshim real në politikë. Në fund të viteve tetëdhjetë, me rënien e komunizmit
evropiano-lindor, e sidomos me vdekjen e diktatorit rumun Nikolae Çaushesku, më 25 dhjetor
1989, udhëheqja e partisë e ndjeu se edhe në Shqipëri përmbysja e komunizmit ishte çështje
kohe. Themelet e sistemit qenë tronditur në fillim të korrikut 1990, kur mijëra shqiptarë
rrezikuan jetën duke kërkuar strehim politik në ambasadat gjermane, italiane dhe franceze në
Tiranë. Brenda gjysmë viti diktatura njëpartiake, që kishte qenë sunduese në të gjitha aspektet
e jetës shqiptare për gati gjysmë shekulli, mori fund. Pluralizmi politik u lejua në dhjetor 1990,
kurse zgjedhjet e para shumëpartiake në vend u zhvilluan më 31 mars 1991.
Sado e pabesueshme duket tani që kthehemi prapa – madje edhe për vetë shqiptarët –
stalinizmi fanatik mbijetoi i pacenuar e i padobësuar për plot tridhjetë e shtatë vjet pas vdekjes
së Stalinit më 1953. Ndonëse gjykimi përfundimtar për periudhën ‘socialiste’ në Shqipëri u
duhet lënë historianëve dhe politologëve të së ardhmes, periudha dyzetegjashtëvjeçare e
‘izolimit të shkëlqyer’ nën regjimin marksist-leninist duket sikur i ka lënë vendit si trashëgim
mjerim të përgjithshëm dhe një ekonomi që krahasohet me vendet më të prapambetura të
Afrikës qendrore. Kur sistemi njëpartiak u hoq përfundimisht, në të vërtetë nuk kishte mbetur
udhëheqje intelektuale për të mbushur zbrastësinë. Kultura shqiptare ishte rrënuar. Kështu,
fillimi i viteve nëntëdhjetë e gjeti shtetin shqiptar në një gjendje politike e ekonomike katastrofike me rrjedhoja dramatike për zhvillimin e letërsisë dhe kulturës bashkëkohore.
Vërtet, është e vështirë dalja nga izolimi, por nuk ka dyshim se së shpejti Shqipëria do të zërë
vendin e vet në Evropë.

_____________
61 kr. Gardiner 1966 dhe Leggett 1974.
62 kr. E. Hoxha 1973 dhe 1975.
63 kr. T. Lubonja 1993, 1994.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]