LËVIZJA E ARMATOSUR NË KOSOVË NË VITET 1918-1928


LËVIZJA E ARMATOSUR NË KOSOVË NË VITET 1918-1928
✤ Lufta e popullsisë shqiptare të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të Jugosllavisë për çlirimin nga zgjedha serbomadhe dhe për bashkimin me shtetin e pavarur shqiptar.

Ishte rrjedhim i politikës së gjenocidit serbomadh të ndjekur ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës dhe të viseve të tjera që u pushtuan nga ushtritë serbe më 1918. Shovinistët serbë vazhduan përpjekjet për ta ndryshuar me çdo mjet përbërjen etnike të viseve shqiptare, zbatuan të ashtuquajturën «reformë agrares që u shoqërua me shpronësimin në masë të popullsisë shqiptare, me shpërnguljen e saj nga trojet amtare dhe kolonizimin e tyre me serbë, malazezë etj.

Lëvizja nacionalçlirimtare në Kosovë u zhvillua nën udhëheqjen e Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës (shih) që përpunoi programin e saj dhe drejtoi luftën e armatosur të çetave, të cilat më 1918-1925 vepronin në mbarë Kosovën. U shquan sidomos çetat e Azem e Shotë Galicës (shih), të Idriz Seferit (shih), të Mehmet Konjuhit (shih), të Ramë Vllasës, të Sadik Ramës të Gjurgjevikut, të Mulla Agan Kajës, të Kerit të Sadri Bardhit të vëllezërve Baçinovci (shih), etj., që vepronin në Plavë, Guci, Rugovë, Pejë, Gjakovë, Drenicë, Llap, Prishtinë, Vuçiternë, Kërçovë etj. Qëndresa e popullsisë shqiptare kundër zgjedhës serbomadhe u shndërrua në një lëvizje të përgjithshme popullore. Një vend të rëndësishëm zë kryengritja e vitit 1919 që u zhvillua kryesisht në Rrafshin e Dukagjinit, e drejtuar nga Azem Galica, Sadik Rama etj., në të cilën morën pjesë rreth 10 000 veta. Kjo lëvizje u shtyp në mënyrën më të egër nga borgjezia serbomadhe. Me gjithë përpjekjet e pushtetit ushtarak e policor serb e jugosllav lufta e arraatosur e popullsisë shqiptare vazhdoi pa ndërprerje. Më 1920 krahina e Llapit u bë arenë e luftimeve të përgjakshme midis popullsisë dhe reparteve të mëdha të ushtrisë serbe, në të cilat shqiptarët korrën suksese. Në vitin 1923 në Drenicë dhe në Vuçiternë-Zogorth u formuan zonat e lira që u bënë baza të lëvizjes. Qëndresa e armatosur e popullsisë shqiptare kundër zgjedhës serbomadhe zgjati pothuajse 10 vjet, deri më 1928, kur u shtyp me terror nga ushtria serbe. Ajo pati përkrahjen e organiza,tave revolucionare bahkanike, si dhe të Internacionales III Komuniste.

(B.Ç.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lëvizja E Armatosur Në Kosovë Në Vitet 1918-1928


[cite]