LAKRA
✤ (Brassica oleracea). Bimë barishtore e familjes kryqore (Cruciferae), me gjethe të mëdha të mbledhura në koçan, që kultivohet në një numër të madh varietetesh. Është me prejardhje nga Azia e Vogël, Evropa Perëndimore dhe Mesdheu.

Përdoret për ushqim sidomos gjatë dimrit. L. është mbjellë që në lashtësi dhe , është e çmuar për vlera ushqyese. Më të njohura janë: L. kokë (Brassica oleracea var. capitata D.C.) është bimë dyvjeçare dhe ka dy forma: L. e bardhë dhe L. e kuqe. Gjatë vitit të parë bima formon kokën dhe në vitin e dytë zhvillon kërcellin, lulet, frytin dhe farën. Gjethet i ka të mëdha, ato mbështillen rreth sythit të majës, duke formuar kokën. Kokat kanë peshë 1-10 kg. Lulet janë të vogla me ngjyrë të verdhë e dyseksore. L. është bimë tipike me pjalmim të kryqëzuar dhe kryqëzohet lirisht me lulelakrën, L. e Brukselit, L. foragjere e kolrabin. Fruti është silik, vizak-cilindrik, i cili përmban 5-12 fara të vogla, sferike, me ngjyrë kafe në të kuqe (barut). L. gatuhet sallatë, gjellë, përdoret për turshi, e tharë etj. Përmban 8-9% lëndë të thatë, 1,2% proteina, 2-3% sheqerna, 60-70 mg/100 gr vitaminë C, vitaminë B,A, kripëra minerale etj.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lakra


[cite]