LAOMEDONTI

Leoja rrinte te sheshi dhe mbante në dorë një top të vogël. E hidhte në ajër dhe e priste në duar, pastaj e hidhte sërish dhe prapë e priste. Lia po e vështronte, ndërsa e ëma lexonte.
—Në qofsh e zonja ta kapësh topin, do të të jap njëzet lira.

E ëma ngriti sytë nga libri.
—Po sikur të mos i kesh ato njëzet lira?
—Nuk i kam, po jam i sigurt se Lia s’ma merr dot topin.
—Po sikur ta kapte, ç’do të bëje ti? Apo do të veproje si Laomedonti.
—Kush është ky Laomedonti?
—Ka qenë mbret.
—Dhe ç’bënte?
—Jepte fjalën dhe s’e mbante.
—A s’ma tregon historinë e Laomedontit? — i tha Leoja.

Dhe e ëma ia tregoi.

Këtu e shumë, shumë vjet më parë, në Azi na ndodhej një qytet afër detit, që e quanin Trojë. Mbretin e Trojës e quanin Ilio dhe në pjesën më të lartë të qytetit ai kishte ndërtuar pallate për princat, shtëpi për luftëtarët dhe tempuj, ku trojanët shkonin t’u faleshin e t’u blatonin fli zotave. Kjo lagje, që i kishte shtëpitë më të mëdha e më të bukura, dhe rrugët më të gjera, quhej Ilio. Mbreti i Trojës na kishte një djalë, Laomedontin, i cili ishte i pashëm dhe i fortë, por që, kur jepte fjalën, nuk e mbante.

Një ditë prej ditësh, Ilioja vdiq dhe mbret i Trojës u bë Laomedonti.
Lamedonti mendoi: — Po të ngrihej një mur përreth Ilios, shtëpitë dhe pallatet do të mbroheshin më mirë, sepse ushtarët e armikut s’do të hynin dot në qytet.
Si u mendua mirë e mirë, Laomedonti thirri në pallatin e tij Feb Apolonin, perëndinë e diellit, dhe Poseidonin, perëndinë e ujit e të detit, dhe u tha:
—Dëgjoni këtu, o zota: dua të ndërtoj një mur rreth e rrotull Ilios. Dua të jetë i lartë dhe i fortë, që t’i pengojë armiqtë të hyjnë në qytet. A ma ndërtoni ju?
—Ta ndërtojmë me gjithë qejf, — u përgjigjën Feb Apoloni dhe Poseidoni. — Po kur ta mbarojmë punën, duhet të na paguash.
—Do t’ju paguaj patjetër, — U përgjigj Laomedonti. — Dhe do t’ju jap pagesë të majme. As që më shkon mendja t’ju vë në punë pa ju dhënë gjë!
Feb Apoloni dhe Poseidoni hodhën shpejt në trup nga një palë rroba muratori dhe iu përveshën punës. Punuan e punuan dhe ndërtuan një mur të lartë, të trashë e të fortë rreth e rrotull Ilios. Pastaj u kthyen te Laomedonti.
—Ja ku erdhëm, — i thanë. — E ndërtuam murin rreth e rrotull qytetit. Përsipër ka edhe kulla. Është i trashë dhe i fortë, armiku s’e çan dot kurrë!
—Shumë mirë, ju falem nderit, — tha Laomedonti.

Po kur Poseidoni dhe Feb Apoloni kërkuan pagesën, atëherë puna nuk eci mbarë. Laomedonti zuri të shkiste në fjalë, gjente plot e plot shkaqe që të mos jepte asnjë dhjetëshe dhe më në fund ua tha copë se s’kishte ç’t’u jepte.

—Kishte apo s’kishte? — pyeti Leoja.
—Ndoshta nuk kishte, por ama s’duhej të premtonte. E kur Feb Apoloni me Poseidonin ngulën këmbë që t’u paguhej haka, Laomedontin e kapën xhindët dhe i dëboi me të ashpër.
—Po s’ia mbathët me të katra, — u tha Laomedonti, — do t’ju lidh këmbë e duar dhe do t’ju shes si skllevër në ndonjë ishull të largët. Hajt, këputni qafën, këputni qafën, shpejt!

Poseidoni me Apolonin ikën buzëvarur dhe Poseidoni, perëndia e ujit, i dha urdhër detit të ngjitej mbi tokë. Grurin e arave e pllakosën valët, rrugët dhe sheshet u bënë lumenj e liqene, shtëpitë u përmbytën. Njerëzit kacavirreshin të trembur mbi pullazet, fëmijët qanin nga të ftohtët e nga uria. Atëherë Laomedonti, që ishte ngjitur bashkë me fëmijët e tij në dhomën më të lartë të pallatit, në kullë, i thirri i dëshpëruar Poseidonit:
—Poseidon, më fal! Poseidon, shpëtomë!
Mirëpo Poseidoni as që dukej dhe deti vazhdonte të përmbyste arat e të pllakoste shtëpitë.
—Poseidon, më fal! Poseidon, shpëtomë! Veç më shpëto, o Poseidon, pa do të të jap ç’të duash!

Atëherë, në dhomën majë kullës, ku ndodhej mbreti me Priamin, të birin, dhe me Hesionën, të bijën, hyri një plak. Mjekrën e kishte të gjatë e të thinjur dhe mbante në dorë një sfurk me tri maja. Ky ishte Poseidoni, perëndia e detit.
—Ç’kërkon të të jap për të na shpëtuar të gjithëve? — iu lut mbreti. — Na griu uria, tërë ushqimet na janë përmbytur.
—Unë mund t’i jap urdhër ujit që të kthehet në det, — tha Poseidoni.
—Në u ktheftë uji në det, do të të jap ç’të duash, — i dha fjalën mbreti.
—Dhe dashke të të besoj? Më gënjeve njëherë dhe s’të besoj më! Brenda një ore uji do të jetë kthyer në det dhe brenda dy orësh ti do të marrësh bijën tënde, Hesionën, do ta lidhësh me një litar pas një guri buzë detit dhe do ta lësh aty fill vetëm, gjersa të vijë ndonjë nga përbindëshat e mi dhe ta përpijë.
—Si the, Hesionën? Hesionën? S’mund të ta jap bijën time! Kërkomë diçka tjetër, Poseidon!
—Në qoftë se brenda dy orësh Hesiona s’do të jetë e lidhur në një shkëmb mbi breg, uji do të ktnehet në arat dhe në shtëpitë e ju do të vdisni të gjithë.
Këto tha Poseidoni dhe fryu e iku. Uji filloi të largohej e të derdhej në det; gratë dhe fëmijët lëshonin britma të hareshme, zbritnin nga pullazet e ktheheshin nëpër shtëpitë.
Mirëpo Laomedonti s’hapte gojë dhe s’luante vendit. Nuk i përgjigjej as Hesionës, e cila i ishte afruar dhe po e pyeste:
—Baba, pse duhet të vdes? Pse Poseidoni kërkon që unë të vdes?
Kaloi një orë dhe uji ishte derdhur në det. Shtëpitë po tereshin. Kaloi edhe një orë tjetër e pak nga pak uji filloi sërish të ngjitej mbi tokë. Hesiona zgjati kokën nga dritarja dhe pa ujin që po vërshonte.
—Baba, duhet të shkoj buzë detit, përndryshe trojanët do të vdesin. Mos ki frikë për mua. Unë s’kam frikë.
Hesiona puthi Laomedontin, puthi vëllaçkon e saj, Priamin, që e donte fort, dhe iu afrua bregut të detit. Përpara saj ujërat tërhiqeshin. Kur arriti në breg, Hesiona u tha që ta lidhnin në një shkëmb e ta linin aty. Dhe priti fill vetëm kundrejt detit.
Ndërkaq, të gjithë po qanin në pallatin e Laomedontit. Po ndërsa të gjithë po shkrinin në vaj, u dëgjua një zë, si bubullima e një shtrëngate që afrohet.
—Ku është Laomedonti? Ku është Laomedonti?

Të gjithë kthyen kokën andej nga vinte zëri dhe panë një vigan të mbuluar me lëkurë luani, i cili mbante në dorë dajakun e tij: një shkop të trashë neje-neje. Ra heshtje e thellë. Të gjithë, edhe ata që s’e kishin parë kurrë viganin, e kuptuan nga lëkura e luanit dhe nga dajaku se kush ishte. Herakli1 i tha:
—Ç’do të më japësh, po të të shpëtoj Hesionën?
—Do të të jap një arkë me florinj, — u përgjigj Laomedonti.
—Herakli nuk do arka me florinj. Kush është i fortë, s’ka nevojë për pasuri.
—Do të të jap armë të shkëlqyeshme dhe coha të mrekullueshme, — u përgjigj Laomedonti.
—Arma ime është dajaku dhe veshja ime është lëkura e luanit që kam vrarë.
— Atëherë, më thuaj, o Herakël, ç’kërkon të të jap? Çdo gjë që të duash, do të bëhet jotja!
—Po të më japësh kuajt e tu më të bukur, ata dy kuajt e mrekullueshëm e të pavdekshëm që t’i ka dhuruar Zeusi, unë do të ta shpëtoj Hesionën.
—Do të t’i jap kuajt, — i dha fjalën mbreti.

Herakli s’u përgjigj, por shkoi me hapa të mëdhenj fill e në breg të detit. Në ujë tani po dukej përbindëshi që po vinte të përpinte Hesionën: ishte i gjelbër dhe i zi, me këmbë të verdha, sy të kuq si flakë dhe gojën, nga dilte një shkumë e murrme, e mbante hapur si kamare. Herakli u ndal përpara Hesionës, e cila rrinte symbyllur që të mos shihte gjë. Kur përbindëshi u afrua, Herakli u derdh mbi të, ia dërrmoi kokën, sytë, shpinën e këmbët, duke e ngjeshur me grushte të fuqishme pa pushim. Përbindëshi ulërinte, tundte bishtin, stërkiste me ujë nga të katër anët, e hapte gojën vesh më vesh që të kafshonte, çapëlonte këmbët që të gërvishtte. Mirëpo grushtet i binin si breshër e sa vinte po dobësohej, po e humbiste fuqinë gjithnjë e më tepër. Gulfa gjaku të zi rridhnin nga plagët e tij dhe errësonin ujin rreth e qark. Më në fund mbeti në ujë shtang i vdekur, si një bretkosë e madhe e neveritshme. Atëherë, Herakli këputi litarët që lidhnin Hesionën dhe u kthye te Laomedonti bashkë me të.
—Ja ku e ke tët bijë, Laomedont. Tani jepmi kuajt.
—Unë besoj se s’ka ndër mend t’ia japë, — u hodh e tha Lia, që po e dëgjonte tregimin me veshët katër.
—Ia dha apo s’ia dha? — pyeti Leoja.
Nëna vazhdoi:
—Do të t’i jap nesër, — i tha Laomedonti.
Ditën tjetër Herakli erdhi përsëri.
—A do të m’i japësh kuajt, o Laomedont?
Ky e çoi Heraklin në stallat dhe i tha:
—Ja ku janë kuajt e mi. Zgjidh ata që të pëlqejnë.

Herakli i vështroi mirë e mirë të gjithë kuajt, po nuk i gjeti ata që kërkonte, sepse Laomedonti i kishte hequr fshehurazi natën.
—Të kërkova kuajt që të ka dhuruar Zeusi dhe ti më premtove se do të m’i jepje. Tani s’mund të më dalësh fjale.
—Kuajt që kërkon s’mund të t’i jap, sepse nuk i kam më.
—Ti ma hodhe, Laomedont, — ulëriu Herakli, i tërbuar nga inati. — Ti më mashtrove, por hap sytë! Mjer kush nuk e mban premtimin! Herët a vonë e pret e zeza, dhe unë do të të marr shpagim!

Herakli u turr jashtë stallave, doli me vrap nga pallati dhe iku nga Troja.
Laomedonti po rrinte i kënaqur në pallat dhe po mendonte: «Po të jesh dredharak, del kurdoherë i fituar! Herakli iku dhe kuajt mbetën të mitë!» Mirëpo, ndërsa Laomedonti po mendonte kështu, një ushtar hyri shpejt e shpejt në pallat dhe tha i trembur:
—Një tufë ushtarësh të armikut po marshojnë drejt Trojës! I udhëheq Herakli!
—S’mund të jenë shumë vetë dhe do t’ua ndreqim samarin mirë e bukur, — tha Laomedonti, që harroi se Herakli vetë ishte baras me një ushtri të madhe. U armatos me parzmore, me përkrenare e me shpatë dhe shkoi të luftonte.
Trojanët u hidhnin që majë mureve shigjeta dhe gurë sulmuesve, mirëpo Herakli goditi një portë me dajakun e tij dhe e shembi. Atëherë, shoku i tij, Telamoni, mbret i Salaminës, hyri në qytet dhe vrau ushtarët e rojës. Hyri dhe Herakli, kërkoi Laomedontin, e gjeti dhe me një të shtyrë e rrëzoi përdhe.

—Laomedont, a do të m’i japësh kuajt tani? — e pyeti, duke e mbajtur të shtrirë përdhe e duke e shkelur me gju mbi kraharor.
—Betohem se do të t’i jap. Do të të jap ç’të duash, veç mos më vrit.
—Betohu sa të duash, betohu tërë jetën e jetës. Do të ta tregoj qejfin, që të mos mund të betohesh më kurrë, o i poshtër që s’mban fjalë!
Dhe, një t’i rënë me dajakun e tij, e vrau Laomedontin. Pastaj shkoi të kërkonte Hesionën, të cilën ia dha Telamonit, mbretit të Salaminës. Mirëpo Hesiona qante kur shihte gjithë ata trojanë të burgosur dhe i tha:
—Herakël, pse ma shpëtove jetën? Pse e vrave përbindëshin që desh të më përpinte? Më mirë të më kishe lënë të vdisja, sesa të shkatërroje qytetin!
Herakli iu përgjigj:
—Nuk e shkatërrova unë Trojën, po babai yt, Laomedonti! Por ty, që je e mirë dhe guximtare, do të të jap një dhuratë: zgjidh një nga të burgosurit trojanë dhe bëj ç’të duash me të.
Hesiona pa midis të burgosurve të vëllanë, Priamin. Ia zgjidhi prangat dhe e liroi. Pastaj u nis për në Salaminë, u martua me Telamonin dhe u bë mbretëreshë e Salaminës.
—Po pastaj? — pyeti Leoja.
—Pastaj Priami u bë mbret i Trojës.
—Po pastaj? — pyeti Lia.
—Pastaj fillon një histori tjetër, por atë do t’jua tregoj një ditë tjetër.

 

Rrëfime për heronjtë e Trojës
_____
1) Herakli i grekëve është Herkuli i latinëve.

 

[cite]