LEKSIKOGRAFIA SHQIPE
✤ Degë e gjuhësisë shqiptare që merret me teorinë dhe me praktikën e hartimit të fjalorëve të shqipes. Historia e saj, si dega më e hershme e gjuhësisë shqiptare, nis më 1635 me Fjalorin latinisht-shqip të F. Bardhit (shih). Për arsye historike u zhvillua së pari leksikografia dygjuhëshe. Deri_ në prag të Çlirimit u botuan rreth 70 fjalorë shqip-gjuhë e huaj dhe gjuhë e huaj-shqip, shumica për qëllime praktike. Përpjekjet e para për të hartuar një fjalor të gjuhës shqipe u bënë në kohën e Rilindjes Kombëtare me Fjalorin e gjuhës shqipe të K. Kristoforidhit (shih). Vlera kryesore e fjalorëve të botuar para Çlirimit (shih: Fjalorët e gjuhës shqipe) ishte regjistrimi, ruajtja e përhapja e shumë fjalëve të shqipes; ata kanë pasur përgjithësisht bazë të ngushtë dialektore, nuk kanë arritur të pasqyronin pasurinë e vërtetë leksikore e frazeologjike të shqipes. Teoria leksikografike nuk ishte e zhvilluar, ajo u shpreh kryesisht në kritikat e diskutimet rreth fjalorëve. Pas Çlirimit nis një etapë e re e leksikografisë shqipe. Ndër të tjera u krijuan kushtet për të zgjidhur një detyrë themelore — hartimin e fjalorëve shpjegues të gjuhës shqipe. I pari fjalor i tillë ishte Fjalori i gjuhës shqipe (1954, shih).
Për të hartuar një fjalor të ri shpjegues, më normativ, me një paraqitje më të gjerë e sistemore të leksikut të shqipes nisi gjurmimi dhe studimi i visarit të fjalëve e të frazeologjisë së shqipes në mënyrë të organizuar e me kërkesa ideoshkencore më të larta. U themelua Kartoteka e Leksikut të Shqipes (1955). Arritjet e gjuhësisë shqiptare e sidomos të leksikologjisë shqipe (shih) krijuan mundësitë që të zhvillohet edhe teoria leksikografike. Janë bërë studime e diskutime shkencore për fjalorët shpjegues normativë dhe për trajtimin leksikografik të lëndës leksikore, u vlerësua në mënyrë kritike trashëgimia leksikografike etj. Hap me rëndësi në këtë fushë përbënte puna për përcaktimin e punimeve themelore për hartimin e «Fjalorit të gjuhës së sotme shqipex (botuar më 1968), e cila shërbeu si bazë për hartimin e Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe (1980, shih), vepra më e plotë, më e rëndësishme dhe me nivelin ideoshkencor më të lartë, që ka krijuar deri më sot leksikografia shqiptare.
Teoria dhe praktika leksikografike kanë dhënë një ndihmesë të veçantë edhe për ngulitjen e normës letrare leksikore, gramatikore e stilistike dhe sidomos për pastrimin e pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare, duke vënë në qarkullim fjalë e shprehje të panjohura kryesisht nga gurra popullore. Drejtimi kryesor tjetër i L.Sh. është hartimi i fjalorëve terminologjikë shumëgjuhësh e shpjegues (shih: Terminologjia), fjalorë të cilët plotësojnë kërkesat e mëdha të fushave të ndryshme të shkencës, të teknikës e të prodhimit dhe që mbështeten në aftësitë e shqipes për t’i plotësuar këto kërkesa nga burimi i vet. L.Sh. ka përballuar detyra me rëndësi edhe për tipat e tjerë të fjalorëve. Në lëmin e fjalorëve krahinorë para Çlirimit është botuar Fjalori i ri, (1941) etj., ndërsa pas Çlirimit kanë punuar shumë gjurmues të zellshëm të fjalëve e të shprehjeve popullore. Një vend të madh zunë fjalorët dygjuhësh të kohës sonë. Janë botuar fjalorë gjuhë e huaj-shqip dhe shqip-gjuhë e huaj për një varg gjuhësh evropiane. Pas botimit të fja’lorëve shpjegues të shqipes, u bë një hap i madh eilësor përpara në këtë’ fushë, duke e ballafaquar në mënyrë shkencërisht të drejtë visarin e shqipes me atë të gjuhëve të tjera. Një fushë e re e L.Sh. pas Çlirimit është hartimi i fjalorëve enciklopedikë. Janë botuar fjalori i filozofisë, i pedagogjisë, i astronomisë, i kimisë etj. Vepër e rëndësishme është vetë Fjalori enciklopedik shqiptar, i pari fjalor i tillë në gjuhën shqipe, i cili hap rrugën për hartimin e Enciklopedisë shqiptare.
(J.Th.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Leksikografia Shqipe