LETËRSIA DOKUMENTARE


LETËRSIA DOKUMENTARE
✤ Përfshin vepra letrare të shkruara për njerëz e fakte reale dhe numëron lloje të ndryshme, si ditari, kujtimet, biografitë e letrarizuara etj. Vepra e parë e L.D. shqiptare është «Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut, princit të epirotëve» (1508-1510) e M.Barletit, që u shkrojt në latinisht. Në këtë lloj letërsie hyn edhe «Gjergj Kastrioti, epiroti…» (1636) e F.Bardhit. Pas këtyre veprave shtrihet një periudhë e gjatë, ku mungojnë botime letrare dokumentare, gjë që shpjegohet me rrethanat tepër të vështira nëpër të cilat kaloi kultura shqiptare, sidomos me përndjekjet e egra të pushtuesve osmanë kundër çdo shkëndije të zgjimit kombëtar. Vetëm në fund të shek.XIX dhe në fillim të shek.XX me ngritjen e hovit të lëvizjes patriotike, me ngjarjet e rëndësishme historike të kohës dhe me forcimin e vetëdijes kombëtare, nisën të botohen sërish vepra me karakter letrar dokumentar. U botuan një sërë veprash, që përshkruajnë përpjekjet e masave popullore dhe të patriotëve për çlirimin ë vendit nga zgjedha e huaj: «Pasqyrë e ditëve të përgjakshme» (1912) e R.Siliqit, «Kryengritja shqiptare» (1927) e M.Gramenos, «Memoriet e mia» të V.Dodanit (1930) etj. Me këto vepra, për nga faktet dhe ngjarjet e njëjta të përshkruara, lidhet edhe «Historia e Shqipnisë së re, vuajtjet e veprimet e mia» (I, 1943, II, 1945) e N.Ivanajt. Në vitet 30 u botua «Burgu» (1935) i H.Stërmillit. L.D. mori një zhvillim të hovshëm sidomos pas Çlirimit. Një nivel të lartë ideoartistik ka shënuar ajo me’veprat e sh. Enver Hoxha, veçanërisht me serinë e shënimeve historike, kujtimeve e ditareve: «Kur lindi Partia» (1981), «Me Stalinin» (1979), «Hrushovianët» (1980), «Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë» (1982), «Shënime për Kinën», (1979), «Titistët» (1982), «Vitet e vegjëlisës (Kujtime nga Gjirokastra, 1983) etj., të cilat janë modele të veprave dokumentare e letrare. Larmia e pasuria e ngjarjeve dhe e fakteve, depërtimi në thelbin e tyre, problematika e rëndësishme dhe përgjithësimet e thella, ndërthuren në veprat e sh. Enver Hoxha me gjallërimin e përshkrimit, rrëfimin tërheqës, aftësinë për të dhënë me dy-tri viza të goditura portretin e njerëzve. Për stilin e tyre janë karakteristike fryma e ngrohtë lirike dhe herë-herë patetike, natyrshmëria, notat e ironisë e të sarkazmës, karakteri publieistik. Libra me kujtime, tregime për fakte dhe njerëz realë botuan edhe mjaft pjesëmarrës të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, komandantë, komisarë etj., si «Kujtime dhe dokumente nga Lufta Nacionalçlirimtare» vëll.I, 1959, vëll.II, 1961 të Sh.Peçit, «Shtigjet e lirisë» (1967) të H.Stërmillit, «Ditari partizan® (1955) i G.Kolumbit etj. Në letërsinë e Pasçlirimit mori zhvillim edhe lloji i biografisë letrare; ndër veprat e këtij lloji duhen përmendur «Qemal Stafa» (1970) e N Jorgaqit, «Plaku i maleve» (1960) e S.Godos, «Isa Boletini» (1971) e S.Luarasit etj.

(FjCtT.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Letërsia Dokumentare


[cite]