9.4 Letërsia toske e Jugut të Shqipërisë nën ndikimin kulturor grek

Shqiptarët toskë në jug të vendit, ashtu si vëllezërit Frashëri, kishin qenë gjithmonë nën
ndikimin e fortë të Greqisë e të kulturës ortodokse. Shqiptarë e grekë kishin jetuar për shekuj
me radhë së bashku në këtë zonë kufitare midis Shqipërisë së jugut dhe Epirit. Me gjysmën e
dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, ngulimet e përziera dhe mungesa e një vije kufitare
përfundimtare midis shtetit të ri të pavarur grek dhe Shqipërisë, e cila ishte pjesë përbërëse e
Perandorisë Osmane, e kishin kthyer këtë rajon politikisht në një fuçi baruti, e cila shpërtheu më
në fund në luftërat ballkanike të fillimit të shekullit të njëzetë. Grekët i shihnin me mosbesim
fqinjët e tyre të ashpër e të pabindur shqiptarë, kurse shqiptarët, nga ana e tyre, kishin qenë
gjithmonë të lëkundur në qëndrimin ndaj grekëve. Shumë shqiptarë kishin përfituar nga
shkollimi dhe kultura greke, çka u kishte ngulitur një adhurim të pafund për qytetërimin helen.
Gjimnazi Zosimea i Janinës, sikundër e pamë, u jepte të rinjve shqiptarë të talentuar nga atdheu
i tyre i thyer malor bazat e arsimit e të kulturës, si dhe mundësi për kontakte intelektuale me
botën e jashtme. Por shqiptarët nuk ishin grekë dhe nuk do të zhyteshin plotësisht në këtë
kulturë tipike mesdhetare. Përveç kësaj, shumica e shqiptarëve, një numër i madh në jug, ishin
myslimanë e për këtë arsye shiheshin si turq nga grekët epirotë, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk njihen për ndonjë ndjenjë të dukshme turkofile. Edhe autoritetet greke nuk tregoheshin të
gatshme të kuptonin se jo të gjithë myslimanet e jugut shqiptar ishin turq, po ashtu si edhe jo të
gjithë ortodokset ishin grekë. Ky qëndrim dhe ide të tilla, për shumë fusha të jetës greke, kanë
ardhur si të tilla deri në ditet tona. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, veçanërisht kisha ortodokse
greke shkoi tepër larg në masat e saj për të shtypur edhe shenjën më të vogël të veprimtarive
kulturore të shqiptarëve. Kështu, veprime të padëmshme, si për hapjen e ndonjë shkolle në
gjuhën shqipe, mund të sillnin shkishërime. Zgjimi kombëtar shqiptar dhe krahas tij rritja e
ndërgjegjes kombëtare do të binin në konflikt me interesat greke. Shqiptarët e jugut patën
shumë përfitime nga kultura greke, ndërkaq ata vuajtën mjaft asokohe nga shovinizmi kulturor
grek.
Caku i fundit i ngulimeve shqiptare nuk ishte rajoni kufitar greko-shqiptar. Përkundrazi,
një pjesë e mirë e Greqisë qendrore kishte qenë e populluar prej shqiptarësh nga shekulli i
katërmbëdhjetë e këndej. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, madje, shqipfolësit përbënin shumicën
e popullsisë në një pjesë të mirë të Atikës, përfshirë rrethinat e Athinës, dhe në treva të gjera të
Beotisë e të Peloponezit, sidomos në Eubenë e jugut, në Andros e në ishujt e gjirit të Saronisë.
Shumë nga heronjtë e luftës greke për çlirim kishin qenë arvanitas (Miaulisi, Boçari, Bubulina,
Kondurioti, Xhavella), kurse flota greke e kohës ishte pothuajse tërësisht një institucion në
gjuhën shqipe26.
Derisa arvanitasit kishin dhënë një ndihmesë me rëndësi për çlirimin e Greqisë në
gjysmën e parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, ata gjithashtu kishin për të luajtur rolin e tyre në
zgjimin kombëtar shqiptar në gjysmën e dytë të këtij shekulli.
Nga të gjitha figurat toske të lëvizjes kombëtare shqiptare që qenë ngulur me banim në
brigjet e Bosforit, askush tjetër nuk do të ishte aq aktiv për çështjen e zgjimit kombëtar sa Jani
Vreto27 (1820-1900). Vretoja lindi në fshatin Postenan afër Leskovikut, një qytet jo larg kufirit
të sotëm me Greqinë, më 14 janar 1820. Mësimet i ndoqi në një shkollë greke në Vurban afër
Konicës, kurse nga 1843 deri 1847 ndoqi gjimnazin e mirënjohur Zosimea në Janinë, ku
vëllezërit Frashëri, Kostandin Kristoforidhi dhe shumë intelektualë të tjerë shqiptarë morën
bazat e arsimit e të kulturës e që i ushqeu Vretos së ri adhurimin e përjetshëm për kulturën
helene. Është kjo arsye që Faik Konica më pas do ta quante grekoman. Po pikërisht këtu do t’i
zgjohej Vretos për herë të parë interesimi për gjuhën e vendit të vet. Më 1847 ai hartoi një
vjershë për Skënderbeun me alfabet grek dhe nisi të mbledhë fjalë të urta e këngë popullore
shqiptare. Më 1854 u shpërngul në Konstantinopojë, ku i ati merrej me tregti. Atje punoi si
sekretar në një shoqëri duhanesh dhe me fillimin e viteve shtatëdhjetë ishte njohur e lidhur me
figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare shqiptare: Hasan Tahsini (1811-1881), Sami Frashëri
(1850-1904), Pashko Vasa (1825-1892) dhe Ferid pashë Vlora. Gjithashtu mbante letërkëmbim
me figura të shquara shqiptare në Egjipt si Thimi Mitko (1820-1890), Spiro Dine (1846?-1922)
dhe Thimi Thoma Kreji si dhe me Dhimitër Kamardën (1821-1882) dhe Jeronim De Radën
(1814-1903) në Itali. Botimi i parë i Vretos ishte një gramatikë e greqishtes e përkthyer shqip,
Grammatikê tês omilumenês hellênikês glôssês eis tên albanikên, Konstantinopojë 1866
(Gramatikë e greqishtes së folur në gjuhën shqipe). Në vjeshtën e vitit 1877 u bë anëtar
themelues i Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe punoi
aktivisht për përmbushjen e qëllimeve të tij. Në maj 1878, pas daljes së një radhe artikujsh
polemikë në shtypin grek, sidomos në gazetën Neologos, që shpallnin pretendime për treva që
banoheshin nga shqiptarë në Epir, pretendime që ishin hedhur poshtë më parë nga Abdyl Frashëri, Vretoja botoi një Apologia, Konstantinopojë 1878, në greqishte, në të cilën shtjellon
prejardhjen e shqiptarëve, gjuhën, trevat e banuara prej tyre e të drejtat e tyre. Në fillim të vitit
1879 u caktua anëtar i komisionit të ngritur nga Komiteti qendror për të vendosur për alfabetin
përfundimtar të shqipes. Anëtarët e këtij komisioni prej kohësh kishin mendime të ndryshme e
nuk pajtoheshin në këtë çështje shqetësuese të alfabetit. Filoheleni Jani Vreto parapëlqente
alfabetin grek, Pashko Vasa kishte propozuar të përdorej vetëm alfabeti latin, kurse Hasan
Tahsini kishte shpikur një alfabet të tijin. Më në fund komisioni miratoi alfabetin e quajtur të
Stambollit, të propozuar nga kryetari i atij komisioni, Sami Frashëri, që përmbante shkronja
latine si dhe disa të tjera në stil grek. Më 1879 komisioni botoi një Allfabetare e gluhësë shqip,
disa pjesë të së cilës u shkruan nga Vretoja, sidomos një shkrim me titullin Udhë e të shkruarit
të gluhësë shqip. Më 12 tetor të atij viti ai gjithashtu mori pjesë në themelimin e shoqërisë me
rëndësi historike Shoqëri e të shtypuri shkronja shqip, e cila do t’ia kushtonte energjitë e veta
botimit të librave shqip, sidomos të teksteve shkollore, si dhe hapjes së shkollave në gjuhën
shqipe. Vretoja qe autor i një statuti (Kanonizmë) të shoqërisë, së cilës i ra barra të reagonte me
zgjuarësi e në mënyrë diplomatike ndaj kundërshtimeve Osmane e, sidomos, ndaj qëndrimeve
armiqësore greke për çështjen e zgjimit kulturor shqiptar. Pikërisht në këtë kohë ai u shkishërua
nga mitropoliti ortodoks i Gjirokastrës, sepse paskësh bërë herezi ‘duke krijuar një çështje
shqiptare’. Në verë të vitit 1881, Vretoja shkoi në Bukuresht që të zgjonte interesimin për
lëvizjen kombëtare ndër shumë shqiptarë që ishin ngulur me banim aty e nëpër Rumani, dhe
themeloi në Bukuresht një seksion të Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip. Pas kthimit në
Konstantinopojë, Vretoja punoi me energji për botimin e organit periodik Drita, që më pas mori
emrin Dituria, e cila doli në Konstantinopojë nga gushti 1884 deri në korrik 1885. Veprimtaritë
e aktivistëve të lëvizjes kombëtare shqiptare në Konstantinopojë, sidomos ato të Jani Vretos,
zunë të shihen përherë e më me dyshim nga autoritetet osmane, të cilët e kuptonin se përparimi
dhe autonomia kulturore nuk mund të shpinin veçse në kërkesa politike e ndoshta territoriale.
Vretoja u dërgua nga shoqëria jashtë për të organizuar lëvizjen kombëtare e për të mbledhur
fonde. Në dhjetor 1884 ai bashkëpunoi për themelimin e shoqërisë Drita të Bukureshtit dhe
shërbeu si sekretar i saj. Kjo shoqëri, e kryesuar nga Anastas Avramidi Lakçe, ngriti një
shtypshkronjë shqiptare dhe më 1886 nisi misionin historik të botimit të librave në gjuhën
shqipe. Vetëm në vitin e parë të punës dolën dhjetë libra të tillë, duke përfshirë dy libra të
Vretos: Mirëvetija, Bukuresht 1886, dhe Numeratoreja, Bukuresht 1886. Praktikisht ishte
Vretoja ai që bënte punët në shtypshkronjë. Ai faqoste tekstet, lexonte bocat dhe pastaj
interesohej për lidhjen e librave dhe për shpërndarjen e tyre. Ndër librat e botuar aty ishte një
vepër e shkruar në fillim me alfabet arab, Erveheja, Bukuresht 1888, e poetit mysliman
Muhamet Kyçyku, i njohur edhe me emrin Muhamet Çami (1784-1844), të cilin Vretoja e
transkriptoi në alfabetin e Stambollit e madje e pastroi nga orientalizmat. Një vit më pas ai botoi
një vepër 158 faqesh me titull Radhuashkronjë, Bukuresht 1889 (Llogaritje), për tregtarët dhe
biznesmenët shqiptarë në Rumani. Gjatë gjithë viteve nëntëdhjetë, siç ndodhte shpesh në
lëvizjen kombëtare, ndër udhëheqësit shqiptarë në Bukuresht shpërthyen debate. Plaku Jani
Vreto, që tani po jetonte në prag të varfërisë, ndjeu se i qe bërë padrejtësi kur publicisti Vissar
Dodani (rreth v. 1857-1939) zgjodhi një alfabet të ri të shqipes, të përshtatur nga rumanishtja,
për botimin e gazetës së tij Shqipëria, 1897-1899, duke prishur kështu punën e një jete të tërë
të Vretos për përhapjen e përdorimit nga të gjithë të një alfabeti të vetëm shqip. Në tetor 1899,
Vretoja u largua dhe vajti në Athinë. Vdiq në kryeqytetin grek në fillim të korrikut një vit më
pas, me sa duket nga uria.
Po të lemë mënjanë poemën rinore me interes artistik të kufizuar, Istori e Skënderbeut,
të shkruar më 1847 por të shtypur veç më 1897 në organin periodik të Bukureshtit Shqipëria,
Jani Vretoja nuk ishte autor i ndonjë vepre të botuar, që mund të hynte në kategorinë e letërsisë
shqiptare si të tillë, por ai ishte një eseist me rëndësi. Tekstet e tij mësimore, artikujt në fushën e meditimit filozofik dhe përkthimet nga veprat e filozofëve të lashtësisë, të gjitha të botuara në
numrat e periodikëve që ai redaktonte vetë, si dhe traktati i tij mbi ‘mirëvetijën’ i shtypur më
1886, nuk qenë pa ndikim si për pasurimin e gjuhës letrare ashtu edhe në zhvillimin e mendimit
teorik shqiptar. Por Jani Vretoja zë një vend të rëndësishëm në historinë e letërsisë shqiptare jo
thjesht nga këto shkrime. Si një nga anëtarët më aktivë të Shoqërisë së të shtypuri shkronja
shqip në Konstantinopojë e më pas në Bukuresht, Vreto luajti një rol kyç në përmbushjen e një
qëllimi madhor të intelektualëve shqiptarë të periudhës – botimit të librave në gjuhën shqipe.
Shtypshkronja shqiptare në Bukuresht, që ai e ngriti dhe e vuri në punë, ishte po me rëndësi
themelore për përparimin e letërsisë shqipe në fundin e shekullit të nëntëmbëdhjetë sa edhe
ç’kishte qenë shpikja e shtypshkronjës së lëvizshme nga Johan Gutenbergu për kulturën
evropiane katër shekuj e gjysmë më parë. Për të parën herë ajo u dha shkrimtarëve shqiptarë atë
që kishin kërkuar gjithmonë: lexuesin.
Shtytje të dukshme zgjimit të ndërgjegjes kombëtare i dha edhe Panajot Kupitori
(1821-1881), i njohur në greqishte si Panagiôtês Kupitorês. Ky dijetar nga ishulli Idhra (Hydra)
studioi letërsi në Universitetin e Athinës. Punoi si drejtor shkolle në Lamia dhe Halkis para se
të kthehej në Athinë ku, më 1876, u emërua mësues në gjimnazin Varvakion (greqisht:
Barbakeion gymnasio), e më pas u bë drejtor, dhe për më tepër një figurë me emër në
kryeqytetin grek. Veprimtaria e tij studimore e arsimore pati rëndësi për përparimin e kulturës
greke dhe të kulturës shqiptare. Ai është autor i një numri veprash greqisht, ndër to edhe një
studim mbi ritmin në himnografinë ekleziastike greke dhe një fjalor latinisht-greqisht; thuhet
edhe se ka organizuar një shkollë mbrëmjeje ku mësohej shqipja me alfabet grek. Për sa u
përket studimeve shqiptare, Kupitori mbahet mend kryesisht si autor i një studimi greqisht me
titull Albanikai meletai. Pragmateia historikê kai filologikê peri tês glôssês kai tu ethnus tôn
Albanôn, Athinë 1879 (Studime shqiptare. Punim historik dhe filologjik mbi popullin dhe
gjuhën shqipe). Kjo monografi me 62 faqe përmban të dhëna të ndryshme për çështje si historia
e lashtë e Shqipërisë dhe prejardhja e gjuhës shqipe. Por duhet thënë se ajo gjithashtu riprodhon
mjaft nga ato thashethemet dhe keqinformimet për shqiptarët, që mbizotëronin në studimet e
mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Kupitori shkroi edhe një varg artikujsh mbi gjuhën shqipe,
një studim për vetën e tretë të përemrit vetor të shqipes në dialektin e vendlindjes së tij, si dhe
hartoi një fjalor të shqipes që ka mbetur i pabotuar. Dorëshkrimi i kësaj vepre të fundit u ble
nga shoqata etimologjike dhe historike greke më 1926 dhe sot nuk dihet se ku ndodhet. Përveç
këtyre veprave, për Kupitorin flitet të ketë botuar një abetare të shqipes më 1879 ndonëse
ndonjë dëshmi për këtë nuk ka.
Me ndikim më të madh në letërsinë shqiptare është personaliteti kombëtar, botuesi dhe
shkrimtari Anastas Kullurioti28 (1822-1887) nga Athina. Kullurioti lindi në lagjen Plaka të
kryeqytetit grek. Kjo lagje e vjetër edhe sot qendër turistike e Athinës rrëzë Akropolit, banuar
asokohe nga shqiptarë, ende mban emrin e vet shqiptar. Në rini Kullurioti emigroi në Amerikë
dhe thuhet se atje i eci mirë e bëri pasuri, sikundër thonë për të gjithë emigrantët shqiptarë të
atjeshëm. Me t’u kthyer në Greqi, themeloi gazetën e përjavshme Hê fônê tês Albanias (Zëri i
Shqipërisë), një periodik kombëtar i zjarrtë në gjuhën greke me ndonjë artikull të rastit në
shqipe. Doli nga shtatori 1879 deri në gusht 1880 në gjithsej dyzet numra. Tre qëllimet kryesore
të kësaj gazete e të veprimtarisë kombëtare të Kulluriotit në përgjithësi ishin: krijimi i një partie
politike shqiptare në Greqi, hapja e shkollave në gjuhën shqipe dhe çlirimi i Shqipërisë nga
zgjedha turke. Në fillim të viteve tetëdhjetë, Kullurioti bëri një udhëtim në Shqipërinë e jugut
për të kërkuar përkrahje për çështjen kombëtare, një veprimtari kjo që doemos e vuri në konflikt
edhe me autoritetet turke, edhe me ato greke. Në Gjirokastër, me kërkesën e konsullit grek, u arrestua nga autoritetet osmane dhe u dëbua në Korfuz. Në Greqi e mbajtën për ca kohë në burg
dhe thuhet se vdiq i helmuar në fillim të vitit 1887. Kullurioti mbahet mend jo vetëm si një
botues, por edhe për librin e tij Avabatar arbëror ose Albanikon alfabêtarion, Athinë 1882
(Abetare shqip), një abetare dygjuhëshe në dialektin e vendlindjes së tij. Kjo përmbante veç të
tjerave edhe një hyrje në gramatikën e gjuhës shqipe dhe një tufë përrallash, vargjesh popullore
e proverbash shqip e greqisht. Po atë vit Kullurioti nxori një libër këndimi shqip me 116 faqe
me titull Klumësht për foshnja, Athinë 1882, me tekstin në dy gjuhë, pa dyshim një nga veprat
më të hershme të letërsisë për fëmijë në gjuhën shqipe. Njëra nga vjershat e tij u botua nga
Spiro Dinia më 1908 në antologjinë Valët e detit. Kulluriotin më fort e interesonte ruajtja e
trashëgimisë kulturore shqiptare në Greqi sesa krijimtaria letrare. Ai ishte shumë i interesuar,
për shembull, për letërsinë gojore shqiptare dhe arvanitase dhe qe autori i një fletoreje 196
faqesh me këngë popullore shqiptare, ende e pabotuar, që tani ruhet në Bibliotekën Kombëtare
në Tiranë. Kjo fletore29 përmban këngë popullore që Kullurioti i mblodhi vetë, dhjetë nga të
cilat, çka është mjaft interesante, me një përkthim anglisht midis radhëve. Aty gjejmë edhe një
transkriptim të përmbledhjes me këngë popullore të botuara nga konsulli austriak Johan Georg
fon Han (Johann Georg von Hahn) më 1854, si dhe disa përkthime nga Bibla (Psallmet e
Davidit 1-15 dhe Shën Mateut 23).
Si botues e si figurë kombëtare, Anastas Kullurioti dha një ndihmesë të dukshme për
zgjimin e identitetit kombëtar ndër shqiptarët e Greqisë e të Shqipërisë së jugut.
Kultura vendëse e Shqipërisë së jugut do të mbetej gjallë e do të zhvillohej si rezultat i
veprimtarive të intelektualëve rilindës. Ndërkaq brenda Greqisë qendrore dhe jugore, shqiptarët,
megjithëse në numër të madh, u asimiluan aq shpejt në dhjetëvjeçarët që erdhën, saqë atje pati
shumë pak krijimtari letrare në gjuhën shqipe. Kemi një vjershë të një Gjergj Dhriva ose
Dhrëva nga ishulli Idhra, që u botua nga Dhimitër Kamarda (1821-1882) në antologjinë A Dora
d’Istria gli Albanesi, Livorno 1870 (Dora d’Istrias shqiptarët), si dhe një tjetër nga një që njihet
pakëz më shumë, Jani Botasi (1839-1924), politikan greko-shqiptar. Botasi, pas studimeve në
Athinë, emigroi në Shtetet e Bashkuara. Por, ashtu si Kullurioti, u kthye në Greqi më 1874, nisi
karrierë në politikë dhe u bë deputet në parlamentin grek. Më 1899 u zgjodh president i
shoqatës greke të historisë dhe etnografisë, post që do ta mbante për tridhjetë vjet. Në poezinë
e tij shqip Botasi këndon bëmat e vendlindjes, si dhe ishullit Spece (Spetsai), gjatë luftës greke
për çlirim.
Me këta autorë rryma e veçantë greko-shqiptare e letërsisë shqiptare të shkruar mbaron
e nuk shkon më tutje. Ndonëse gjuha shqipe (arbërisht) ende flitet nga të moshuarit në rreth 320
fshatra në Greqinë e sotme, ajo nuk i ka bërë ballë batërdisë së asimilimit kulturor dhe prej
kohësh ka zbritur në nivelin e një të folmeje fshati. U takon folkloristëve tani të regjistrojnë atë
që ka mbetur nga letërsia gojore në kujtesën kolektive të arvanitasve para se koha ta shuajë edhe
atë përfundimisht.

______________
26 kr. Xoxi 1991.
27 kr. Uçi 1965, Vreto 1973, Faensen 1980, f. 151-154, Qosja 1984, vëll. 2, f. 265-305, dhe Xholi 1987, f. 89-124.
28 kr. Shuteriqi 1977, f. 335-356, Reso 1981, dhe Reso në Bihiku (red.) 1981, f. 491-507.
29 kr. Shuteriqi 1977, f. 335-356.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]