LIBOFSHA
✤ Fshat në rrethin fe Fierit (V), në P të kodrave të Ardenicës. Qendër e fshatit të bashkuar, që përfshin edhe fshatrat Rreth-Libofsha e Vanari, popullsia gjithsej 4960. Si vendbanim L. është e vjetër, duke qenë ndërmjet Fierit e Lushnjes, me toka pjellore dhe me skelën mesjetare të Pirgut buzë Adriatikut. Ka tradita patriotike e arsimore. Fshatarët kanë marrë pjesë në luftën për Pavarësi. Përpjekjet për mësimin e shqipes janë bërë që në mesin e shek. XIX, me libra që vinin nga shoqëritë shqiptare të Rumanisë e Bullgarisë. Më 1908 u hap shkolla e parë shqipe e Myzeqesë me Mësuesin e Merituar Jovan Ndreko, dëshmor. Banorët ndihmuan Ismail Qemalin në rrugën për në Vlorë. Këtu veproi organizata demokratike «Bashkimi» më 1924 e drejtuar nga Naum Ligor Prifti. Këshilli NÇ u ngrit më 1943. Më 28.1.1943 këtu u zhvillua lufta e L. Kolektivizimi i bujqësisë u bë më 1947. Koop. e bashkuar u formua më 1965. Ka drejtim kryesor prodhimin e drithërave të bukës, të pambukut e të fasules. Është e zhvilluar blegtoria, rritet lopa. L. ka shkollë të mesme bujqësore, shtëpi kulture, spital, njësi tregtie e shërbimesh komunale, stacion hekurudhor.
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Libofsha
[cite]